“INSTAT i pabesueshëm në publikimin e shifrave”
• Shifrat e publikuara nga Instituti i Statistikave nuk janë reale. Por, kjo përbën një problem mjaft të madh, pasi mungesa e një sistemi të fortë statistikash mund të vendosin në dyshim edhe integritetin e Bankës së Shqipërisë.Fabiola ÇelaEkspertë të Fondit Monetar Ndërkombëtar gjatë një takimi të zhvilluar dje me deputetët e Komisionit të Ekonomisë, diskutuan mbi rëndësinë e treguesve statistikorë dhe se cila mund të ishte rruga e duhur për t'i përmirësuar ato. Sipas burimeve nga Komisioni Parlamentar i Ekonomisë, ekspertët e FMN-së kanë parë se do të ishte shumë e udhës nëse do të krijohej një lob parlamentar për rritjen e besueshmërisë së treguesve statistikorë. Gjatë diskutimeve me ekspertët e Fondit, deputetët e Komisionit të Ekonomisë kanë qenë të mendimit se INSTAT-i duhet të jetë i pavarur, pasi, sipas tyre, ky institucion nuk duhet të jetë më në varësi të Këshillit të Ministrave, por nga Kuvendi, në mënyrë që të dhënat zyrtare që publikon INSTAT-i të mos jenë të politizuara. Madje, deputetët kanë kërkuar edhe ndryshimin e kuadrit ligjor. Ekspertët e FMN-së kanë qenë dakord me këtë pikë të propozuar nga deputetët e Komisionit parlamentar të Ekonomisë. Por shqetësimi më i madh i FMN-së mbetet përfundimi i marrëveshjes që qeveria shqiptare ka me fondin. Kjo, pasi nëse të dhënat e INSTAT-it nuk janë të sakta, atëherë është tepër e vështirë për të marrë një analizë të ekonomisë së vendit. Kjo, pasi në bazë të të dhënave të publikuara nga INSTAT-i, vihet re sa është niveli i inflacionit, pra sa janë rritur çmimet nga një muaj në tjetrin. Saktësia në publikimin e këtyre statistikave ka një rëndësi mjaft të madhe për politikën monetare në vend. Por jo vetëm kaq. Në bazë të të dhënave që publikon ky institut, vihet re si është ecuria e sektorëve kryesorë të ekonomisë, si ndërtimi, tregtia etj., pra e thënë më thjesht, me anë të treguesit statistikorë ekonomistët mund të evidentojnë se si ka qenë ecuria ekonomike e vendit për gjatë një viti, por nëse këto shifra nuk janë të sakta, atëherë asnjë konkluzion i tyre nuk është i saktë. Në fakt, jo pak herë ndërkombëtarët kanë kritikuar saktësinë e të dhënave të marra nga INSTAT-i, por deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë hap për të ndryshuar këtë situatë.