E Diel, 1 Nëntor 2026

Hiqen nga lista e të papunëve, por nuk punësohen asgjëkundi

Norma e papunësisë në Shqipëri ka ardhur gjithmonë me ulje, por në anën tjetër, numri i të punësuarve nuk është rritur në të njëjtën masë me uljen e të papunëve, gjë që hedh hije dyshimi mbi saktësinë dhe seriozitetin e sistemit të statistikave të kësaj fushe. Numri zyrtar i të papunëve në Shqipëri u ul me 40 mijë vetë nga 2001 deri në shtator të vitit të kaluar, por në të njëjtën periudhë kohe, numri i të punësuarve në sektorin shtetëror dhe në sektorin privat jobujqësor, është rritur me vetëm 7100 vetë. Diferenca prej 34 mijë vetësh konsiderohet si manipulim statistikor.

Rritja e punësimit, minimal

Shqipëria ka pasur një numër pothuajse të njëjtë të punësuarish në tetë vitet e fundit, gjë që është shkaktuar nga reduktimi i të punësuarve në sektorin publik dhe rritjen shumë të pakët të të punësuarve në sektorin privat. Gjatë këtyre viteve, Shqipëria ka hapur më pak se 1 mijë vende pune në vit, shifër kjo që konsiderohet minimale dhe që vë në dyshim vlerësimet në rritjen e prodhimit të brendshëm bruto gjatë këtyre viteve. Një rritje e tillë e papërfillshme në punësim nuk e mbulon dot rritjen natyrale të forcës së punës, gjë që tregon rritje reale në nivelin e papunësisë, pavarësisht se kjo gjë nuk pasqyrohet në statistikat e papunësisë. Gjatë këtyre tetë viteve, numri i njerëzve të aftë për punë në Shqipëri është rritur. Në shtator të vitit të kaluar, ishin 1.1 milionë vetë. Vlerësohet se 147 mijë vetë kanë hyrë në tregun e punës në sektorin jobujqësor që nga viti 2001 deri më sot, por nga këta, vetëm 7 mijë vetë kanë gjetur një vend pune.

Papunësia zyrtare

Zyrtarisht, Shqipëria ka gjithnjë e më pak të papunë. Në vitin 2001, norma e papunësisë ishte 16.5 për qind. Në tremujorin e tretë të vitit të kaluar, shifrat zyrtare tregonin se papunësia ishte vetëm 12.62 për qind. Shifrat e papunësisë përgatiten nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, por zakonisht raportohen nga Instituti i Statistikave. Disa vite më parë, përballë sikletit të raportimit të shifrave të pakuptimta, Instituti i Statistikave filloi të vendosë në të gjitha publikimet mbi punësimin, burimin e të dhënave, pra ministrinë. Kjo nuk ndryshoi shumë gjëra. Në fakt, norma e papunësisë vijoi të ulej deri në nivele të pabesueshme. Shqipëria ka sot zyrtarisht të papunë po aq sa shumë vende të zhvilluara evropiane.

Përkundër shifrave të të papunëve, të cilat manipulohen me lehtësi, shifrat e të punësuarve janë më të besueshme, pasi pasqyrojnë njerëzit e regjistruar dhe që paguajnë sigurime shoqërore.

Punësimi dhe PBB

Ekonomia shqiptare është rritur me 5 për qind në vit, mesatarisht gjatë tetë viteve të fundit, në terma realë. Në bazë të vlerësimit të PBB-së, ekonomia shqiptare është dyfishuar, por në nivelet e punësimit, kjo gjë nuk ka ndodhur. Gjatë tetë viteve të fundit, numri i të punësuarve është rritur me vetëm 1.8 për qind. Ekspertët vërejnë se rritja e ekonomisë kombëtare ka ndodhur, por kjo rritje i dedikohet "të punësuarve jashtë vendit". Shanset e pakta për punësim në Shqipëri kanë bërë që më shumë të rinj të largohen në emigrim. Të dhënat mbi udhëtimet e shqiptarëve jashtë vendit tregojnë se numri i njerëzve që kanë dalë nga Shqipëria është rreth 20 mijë më i madh sesa numri i atyre që janë kthyer në vend. Vetëm gjatë viteve 2006-2007, nga Rinasi kanë dalë 42 mijë vetë më shumë nga sa kanë hyrë, ndërsa nga deti kanë dalë edhe 56 mijë vetë më shumë nga sa kanë hyrë. Gj. Erebara


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›