E Diel, 1 Nëntor 2026

Pëllumbi: PS u kthye në parti presidenciale, përplasja ime me Ben Blushin pas 28 qershorit



Në këtë pjesë të librit të tij, në kapitullin “ç’të mbjellësh do të korrësh”, Servet Pëllumbi me shënimet e tij ndalet në debatin e ditës, që u zhvillua në PS menjëherë pas humbjes së zgjedhjeve dhe kërkesës së një pjese të deputetëve dhe anëtarëve të Asamblesë Kombëtare për dorëheqjen e Edi Ramës.

Servet Pellumbi

Në kërkim të një lideri
Rezultati i zgjedhjeve të 28 qershorit i bëri tepër aktuale disa të vërteta teorike mbi rolin e lidershipit dhe të përgjegjësive të tij politike e personale në një shoqëri demokratike problematike, siç është aktualisht shoqëria shqiptare. Jo rastësisht kjo çështje u fokusua kryesisht si një çështje vetëm për opozitën, për PS-në. Pa u dhënë ende zyrtarisht rezultatet përfundimtare nga KQZ-ja, si majtas, ashtu edhe djathtas, nisi fushata kundër kreut të PS-së, Edi Rama. Sikur zgjedhjet të mos paskëshin objektiv tjetër përpos largimit të tij nga drejtimi i partisë më të madhe dhe më të organizuar në vend, Partisë Socialiste. Nuk munguan të dalin në skenë, rrëmbimthi e si të detyruar, mëtuesit e parë për kreun e PS-së. Madje, nga radhët e anëtarëve të kryesisë, që gjatë katër vjetëve nuk kanë bërë asnjë kritikë në adresë të Edi Ramës, kurse gjatë fushatës zgjedhore thoshin: “Do të fitojmë se kemi Edi Ramën”.
Media, sidomos ajo që është shpallur tashmë më afër qeverisë, e bëri këtë temën kryesore të ditës, si për të harruar defektet e shumta të zgjedhjeve.
Jam pozicionuar kundër një nxitimi apo fushate të tillë në një bisedë televizive më 20 korrik. Një javë më pas, u mblodh Asambleja Kombëtare e PS-së për të shprehur qëndrimin ndaj zgjedhjeve të 28 qershorit 2009 dhe institucioneve që do të dalin prej tyre. U paraqitën për diskutim dy projektrezoluta, njëra nga Edi Rama dhe tjetra nga një grup “mocionistësh”. Në radhët e këtyre të fundit, vetëm me dy-tri përjashtime, që janë deputetë të rizgjedhur, të tjerët ishin nga ata që kishin mbetur jashtë listave të kryetarit dhe që tani kërkojnë “çlirimin” sa më shpejt prej Ramës. Mendonin të bënin një spektakël të tipit “KPD-2002” dhe hapjen e siparit për një dramë të re, për një luftë të re të brendshme në PS. (Sa do t’i shërbente Berishës një spektakël i tillë për një përgjigje asimetrike ndaj vërejtjeve të shumta të PS-së dhe të vëzhguesve ndërkombëtarë për zgjedhjet e 28 qershorit 2009!)
Për këtë, “mocionistët” ishin përgatitur gati të gjithë me fjalime të shkruara e të “redaktuara”, por që reflektonin njëanshmëri në vlerësimin e momentit dhe në kuptimin e përgjegjësive historike para të cilave gjendet Shqipëria dhe jo vetëm PS-ja, apo vetëm Edi Rama. Asnjë fjalë për nivelin mjeran të zgjedhjeve apo për rrezikun autoritarist të qeverisjes së Berishës. Të gjitha bateritë mbi Edi Ramën dhe rezolutën e tij.
A mund të shpresohet që nga individë të tillë dhe nga praktika të tilla të dalë lideri që i duhet PS-së? Kjo më nxiti që të rifreskoj, të konkretizoj e të bëj të njohura disa momente nga filozofia e liderizmit në politikë, që nuk pranon stanjacionim liderësh, reminishenca të kulteve dhe liderëve të përjetshëm, por as lojëra arrivistësh të pandreqshëm, në situata si kjo para, që gjendet sot PS-ja.
Në përputhje me një filozofi të tillë dhe duke iu referuar praktikës demokratike botërore, Partia Socialiste, e njohur për demokracinë e brendshme dhe mendimin ndryshe, ka sanksionuar në statutin e vet rregulla për të mos lejuar një udhëheqje të pakufizuar dhe të pakushtëzuar me asgjë. Një nga këto rregulla është sot në qendër të debateve brenda dhe jashtë PS-së: ndërprerja e mandatit të kryetarit, në rast humbjeje të zgjedhjeve politike. Askush nuk e vë në diskutim zbatimin e kësaj klauzole statutore. E megjithatë, janë dy-tri momente që kanë nevojë për diskutime dhe sqarime më të hollësishme.
Analiza e zgjedhjeve të 28 qershorit është krejt e veçantë, po ta shohim nga këndvështrimi ligjor. Por ajo bëhet tepër serioze, nëse vlerësojmë shkallën e deformimit dhe produktin që doli prej tyre si për nga numri i votave dhe mandateve të subjekteve elektorale, ashtu edhe për nga marifetet politike që u përdorën në të dy krahët për t’ia hedhur njëri-tjetrit. Nga ky këndvështrim, në këto zgjedhje nuk mund të flitet për të fituar, sepse sovrani, sipas rezultatit zyrtar tashmë të shpallur nga KQZ-ja, votoi barabar si qeverinë dhe opozitën, si të djathtën dhe të majtën: 70 me 70. Berisha nuk fitoi ashtu siç deklaronte: se do të merrte më shumë deputetë se në vitin 1992. Madje nuk mori as numrin e mandateve të domosdoshme për të qeverisur. Ndërkohë, nga etja për të qeverisur me çdo kusht e çmim, ai nëpërkëmbi vullnetin e popullit duke “prenotuar” një gjymtyrë të së majtës, LSI-në.
Nga ana tjetër, nuk fitoi as Rama, i cili gjithashtu e personalizoi fushatën, duke deklaruar se do të merrte mandatet e nevojshme që i jepnin mundësi për të qeverisur i vetëm, pa pasur nevojë për aleatë. Pra, në këtë kuptim, edhe ai është humbës. Pa folur pastaj për standardet që janë të humbura për të dyja palët, sidomos për atë qeverisëse, që kishte përgjegjësinë ligjore për plotësimin e tyre. Për pasojë, për të dy krahët e politikës duket që ka një situatë paszgjedhore të veçantë dhe të brishtë, duket sikur jemi në një proces të pakryer, në një balancim politik të sajuar, që realisht nuk mund të jetë jetëgjatë, përderisa mbështetet mbi votën e deformuar dhe në Kuvendin pa opozitë. Prandaj më duket nonsens politik kur ndonjë anëtar kryesie i PS-së apo sekretar për çështjet zgjedhore, në vend që të kërkojë me këmbëngulje analizën e një situate të tillë paszgjedhore dhe të përthyerjes së saj në PS, e quan atë (analizën) “një teknologji e taktikë për të justifikuar rikandidimin e kryetarit” (Panorama, 2. 8. 2009).
Kjo ka krijuar jo vetëm pasivitet të pafalshëm në PS për të dokumentuar parregullsitë e zgjedhjeve, por edhe rreshtime të panevojshme e tensionuese të llojit: “Me kë jam unë, me kë je ti?”; “kush është për analizë e kush jo”; “kush sheh hapësira rikandidimi në statut e kush jo?” Dilema të tilla shtrohen pikërisht sot, ndërkohë që duhej të kishte të tjera preokupime dhe veprime politike për t’u siguruar njëherësh edhe nga goditjet prapa krahëve, që në këto zgjedhje kanë qenë të shumta. Për më tepër që e majta u zu në befasi prej tyre, ngaqë ende nuk dihej se nga vinin, nga e merrnin dhe nga vazhdojnë ta marrin frymëzimin, financimin dhe forcën. Në këtë rast nuk është fjala për “shpërndarje” faji, por për të marrë përgjegjësi sipas hierarkisë në PS. Më e pakta që mund të thuhet në një rast të tillë do të ishte se në PS po ndihen pak lidhjet shpirtërore dhe solidariteti si parim i së majtës, që dikur përbënte një karakteristikë dalluese të saj. Se ka pak frymë bashkëpunimi e mbështetjeje, por dhe kritike reciproke në kryesinë e PS-së. Të gjithë ata që dalin tani me rezoluta alternative, ku kanë qenë? Pse kanë pritur humbjen e kryetarit, sikur humbja e tij të mos ishte njëherësh edhe humbje e PS-së? Apo për këtë aq u bënte, mjaftonte të zinin vendet e para në listën që do të hartonte kryetari? Fjalët më të çuditshme i thotë në apologjinë e tij sekretari për çështjet zgjedhore: “Kemi heshtur kur duhej të flisnim dhe kemi folur kur duhej të heshtnim”. As më shumë dhe as më pak, ai thotë një absurditet që e implikon keq gjithë “shtresën” drejtuese të PS-së. Sipas tij, është heshtur “për të mbështetur pa asnjë lloj rezerve e pengese Edi Ramën drejt fitores”. Dhe ky na paska qenë vendim i shumicës dhe “një eksperiencë e re”. Bëhet e qartë se ata që e rrethonin, i kanë rrahur krahët, i kanë thënë vetëm “puna mbarë” dhe e kanë lënë të gabonte, duke e pritur katër vjet në shteg, si gjahun, për ta goditur. Jo, kështu asnjëherë nuk mund të funksionojë normalisht dhe të jetë e suksesshme një parti. Mbase për këtë sajohet nga sekretari edhe sentenca tjetër justifikuese: “Po flas sot jo për atë që ka ndodhur dje, por për atë që do të ndodhë nesër...” Mjafton që ky të jetë i kërkuar edhe nga ai që do të vijë në krye. Dhe kuptohet, ky duhet të jetë tjetër.
Do të doja të më mirëkuptonte lexuesi, nëse nuk do të tingëllonte dhe aq modeste po të thosha se unë i njoh mirë sofizmat dhe sofistët, por u përkas atyre që nuk heshtin kur duhet folur. Kështu jam duke vepruar edhe tani, sepse nuk më ka pëlqyer asnjëherë që të radhitem qorrazi me heshtakët, që presin nën pemë për të thënë një fjalë. Me këtë rast, të dyja palëve u them me dashamirësi që të jenë realistë dhe të bashkuar, të punojnë të paktën për tri çështje. Së pari, për të pranuar që zgjedhjet nuk i plotësuan standardet. Së dyti, që manipulimi i zgjedhjeve ishte një proces i filluar prej kohësh, që nga hartimi i kodit zgjedhor, zvarritja e pajisjes së qytetarëve me karta identiteti dhe deri te loja me kamera e me sofistikimin e numërimit të votave. Dhe, së treti, së bashku të ndihmojmë të gjithë për një analizë të munguar prej kohësh, si kusht për të përballuar situatën e krijuar, që nënkupton vështirësi të reja, forma të studiuara të procesit politik dhe të veprimit politik opozitar, parlamentar e jashtëparlamentar.
Nga ky këndvështrim do të ishte gabim nëse do të vazhdonte praktika e disa kongreseve të mëparshme, që janë marrë kryesisht me çështje të veçanta organizative dhe ndryshimesh statutore. Kjo ka bërë që të jenë mënjanuar analizat kritike të punës, të arritjeve dhe dështimeve, që alternativa e majtë të mos përpunohej në mënyrë të studiuar, duke e lënë si një çështje ekskluzive të “njëshit” të partisë. Për rrjedhojë, si pa e kuptuar, ndryshoi tipi i partisë: nga një parti masive, demokratike, me një program të majtë dhe e hapur për bashkëpunim me alternativa të tjera, në një “parti presidenciale”, që u drejtohet të gjithë shqiptarëve pa dallim dhe lë në hije forumet dhe mbi të gjitha anëtarin e partisë. Thënë ndryshe, nga këto zgjedhje del se ka një çështje pozicionimi më të mirë të PS-së, në përputhje me realitetin tonë, pa harruar idetë dhe alternativat e së ardhmes, drejt së cilës po shkon pluralizmi partiak dhe demokracia zhvilluese. Në këtë rrafsh do ta mirëkuptoja iniciativën e “mocionistëve” tanë, nëse qëllimi i tyre është korrigjimi, përmirësimi programor, zëvendësimi i disa tezave - që tani ata i quajnë të gabuara - me të tjera të reja. Por jo “prerja e kokave”, sepse kështu nuk do të guxonte kush që në parti dhe në politikën shqiptare të shtronte ide, iniciativa e zgjidhje të reja. Për rrjedhojë do të vazhdonim të kishim kryetarë, por nuk do të kishim liderë. Në këtë rrafsh do ta quaja të tepërt gjykimin, sipas kriterit formalist: liderëve nuk u lejohet të gabojnë.
Ndërkohë, nisur nga një shqetësim i përbashkët dhe nga dëshira e mirë për të ripërtërirë e forcuar të majtën dhe PS-në, si forca më e madhe politike në vend, le të inkurajojmë fushatën e kandidimeve për kryetar të PS-së, me qëllim që, pas një shoshitjeje demokratike, të zgjedhim atë që i duhet më tepër PS-së në kushtet e një regjimi autoritarist, që manipulon votat dhe shpresat e qytetarëve. Në një rrafsh më të përgjithshëm dhe sipas politologëve të kësaj fushe, duhet synuar që lideri të jetë ndër ata që di, së pari, të harmonizojë më mirë, përmes veprimit politik, interesat, vlerat dhe idealet mbi bazën e të cilave njerëz të shtresave dhe grupeve të qytetarëve bashkohen në një forcë politike. Së dyti, që ka një vizion të qartë për të ardhmen dhe është i aftë të drejtojë përpunimin e kursit politik apo të strategjisë së partisë, që pasqyron prirjet themelore të zhvillimit dhe kërkesat e grupeve sociale. Së treti, që zotëron më mirë teknologjinë e realizimit të detyrave të shtruara, duke zgjedhur njerëzit dhe ekipet e duhura, si dhe duke ndërmarrë iniciativa për reforma dhe ndryshime progresive. Së katërti, që di të frymëzojë besim dhe të sigurojë forma të qëndrueshme të vetorganizimit politik përmes kontakteve direkte e të vazhdueshme me publikun e gjerë, si dhe të krijojë aleanca të qëndrueshme nga pozita partneriteti. Së pesti, që njihet për përkushtim, për vullnet të dallueshëm për punë, integritet moral, aftësi bashkëpunimi me të ndryshmit dhe si garant jo vetëm për mbrojtjen e anëtarëve të partisë së vet, por edhe të qytetarëve nga arbitraritetet antidemokratike, nga shkelja e të drejtave dhe lirive të njeriut, etj.
Ka edhe kërkesa të tjera, që rrjedhin nga standardet që përdor politika e sotme botërore dhe që përbëjnë një lloj kodi që i ndihmon zgjedhësit për të bërë krahasimet e nevojshme midis kandidaturave e për të vendosur se kujt do t’ia japin votën për lider partie. Pra, çështja e shtruar sot para PS-së është e hapur. Le të diskutohet, pa tensione dhe përplasje, për të gjetur zgjidhjen më të mirë. Kështu do të mund të jepnim një model tjetër emancipimi dhe pjekurie.
“Statuja” që flasin dhe
politikanë që heshtin
Pozicioni dashamirës apo përpjekja për të qëndruar mbi palët në një debat apo në një situatë konfrontimesh si kjo që po kalon tani PS-ja, pas humbjes në zgjedhjet e 28 qershorit dhe kur shtrohet çështja e lidershipit për vitet e ardhshme në opozitë, nuk është aspak për t’u lakmuar. Nga të dyja palët mund të shpallesh i padëshirueshëm. Herë me heshtje ndaj kritikave dhe herë me kritika ngaqë nuk hesht. Një situatë e tillë paradoksale m’u krijua pas botimit të artikullit tim, PS-së i duhet një lider, jo thjesht një kryetar (gazeta Shqip, 9 gusht 2009). Pati interes për përmbajtjen dhe frymën e artikullit në radhët e socialistëve e të lexuesve të thjeshtë, të strukturave të bazës së partisë apo të disa politikanëve që pëlqejnë frymën e mirëkuptimit përballë asaj të konfrontimit të palëve të futura në “barrikada”. Kurse palët konfrontuese puqen në raste të tilla në pakënaqësinë e tyre, sepse duan rreshtime sipas parimit “ose me mua, ose kundër meje”. Kështu, pala e kryetarit në detyrë vazhdon të heshtë, e pakënaqur për kritikat në adresë të Edi Ramës. Ndërsa pala kontestuese, që kërkon largimin e tij pa asnjë lloj analize, më sulmon ngaqë, në artikullin në fjalë, kërkoj që në kongresin e jashtëzakonshëm të 29 gushtit duhet të spikatë fryma demokratike, pa sherre e fyerje, për të dhënë një shembull tjetër pjekurie dhe emancipimi.
Për konkretizimin e kësaj fryme, le të shërbejë edhe kjo replikë e thjeshtë, e përsëri dashamirëse, me Ben Blushin, njërin nga përfaqësuesit kryesorë të palës kontestuese dhe njëherësh njëri nga kandidatët e mundshëm për postin e mbetur vakant të kryetarit të PS-së. Në një intervistë të gjatë, botuar në Gazeta Shqiptare më 16 gusht 2009, me titullin e çuditshëm “Oficeri Rama nxori çetën në betejë, vetë nuk doli nga çadra” - që duket si huazim nga arsenali propagandistik i Berishës - zoti Blushi kritikon artikullin tim nga pozita aspak dashamirëse. Pyetjes së gazetares, nëse ka komunikuar gjatë asaj kohe me figurat e vjetra të PS-së, për t’u konsultuar, p. sh. me ish-kryetarin Fatos Nano, Servet Pëllumbi, Dritëro Agollin etj, ky politikan, njëri nga ata që heshtin kur duhet folur, e gjen të udhës të përgjigjet duke zëvendësuar figurën e dikurshme “xhaketa të vjetra” me një të re, me “statujat”, për të thënë më pas se “me statujat nuk flitet”. Prandaj dhe ai u konsultuaka “me libra dhe jo me statuja”.
Gjithsesi, nga ajo që po bën e që po thotë, nuk del që të jetë konsultuar me libra për të qenë, ngaqë “statujat”, që nuk dinë të heshtin kur duhet folur, është gati t’i bëjë copë me gjuhën e tij sofistike e disi megalomane. Kështu, as më shumë dhe as më pak, zoti Blushi thotë se mendimi i Servet Pëllumbit nuk mund të ketë referencë në asnjë kategori të mendimit politik, meqë unë u marrkam me njerëzit, kurse ai “me të vërtetën”. Në këtë rast, konsultimi realist me librat sqaron se e vërteta është kategori gnoseologjike, është rezultante e një procesi të gjatë e kontradiktor njohjeje, që nuk e përjashton, por e nënkupton subjektin e njohjes, pra njerëzit dhe imagjinatën e tyre, shoqërinë në një etapë të caktuar të zhvillimit të saj. Madje, subjekti, në një proces të tillë dialektik, e zgjedh dhe e krijon vetë edhe objektin e njohjes. Në këtë kuptim, tregues i vërtetë i inteligjencës, sipas Ainshtainit, nuk është dija (e marrë nga librat), por imagjinata.
E aplikuar kjo në rastin e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, nuk mund të flitet për një të vërtetë “të kulluar” humbjeje apo për një shkak të vetëm e tërësisht të personalizuar të humbjes, duke abstraktuar nga njerëzit, nga interesat, opinionet, nga ndikimi i deformimeve të faktuara të votës, qofshin dhe thjesht një “gabim njerëzor” dhe jo një skenar i qeverisjes. Ndryshe do të kalohej në pozicionin se fitimtari nuk gjykohet, që në rastin e dhënë është i gabuar dhe i paaplikueshëm. Në një rast të tillë, që do ta quaja fatkeq, vërtet nuk do të kishte nevojë as për analiza dhe as për ballafaqim me standardet e zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe të barabarta, por do të pranoheshin ato sido që të ishin, “për hir të së vërtetës” së identifikuar me një akt zyrtar.
E pafalshme i duket zotit Blushi edhe teza e artikullit tim, sipas së cilës edhe liderëve u lejohet të gabojnë. Duke deformuar qëndrimin tim, ai thotë se, sipas meje, “PS ka më shumë nevojë për një lider që gabon, sesa për një ekip që fiton”. Me këtë rast do të doja t’i thosha edhe një herë, së pari, se nuk i njeh rregullat elementare të debatit dhe të respektit për mendimin e atij me të cilin debaton. Së dyti, se në një situatë të dhënë është më mirë një lider që punon, pra që edhe gabon dhe ka kurajën të pranojë dhe të ndreqë gabimin, sesa pasagjerët në “autobusin” e Blushit, që nuk kanë asgjë të përbashkët me një ekip fitues, përderisa dinë të thonë vetëm “mos i fol shoferit”. Dhe, së treti, të mos mendojë se njerëzit janë aq naivë sa të besojnë atë që shkruante një miku i tij i vjetër e dikur shefi i tij, se “Berishën e tmerron zgjedhja e Blushit në krye të PS-së dhe prandaj është për qëndrimin e Ramës”. Pas një sentence të tillë, mirë do të ishte që kandidatit të radhës për kryetar t’i kërkohet që të tregohet veçanërisht bahkëpunues dhe tolerant, si ndaj mendimit ndryshe, si ndaj “statujave” që flasin apo që flasin me heshtjen e tyre, ashtu dhe ndaj atyre që do ta bëjnë këtë gjë kryesisht me votën e tyre në kongres. Ndërsa “konsultimi me librat” mund të shtyhet për më vonë...
vijon nesër

Libri i ri “Filozofia e aktualitetit”
Në librin e tij të ri, i dhjeti që nga viti 2000, “Filozofia e aktualitetit” shënime dhe analiza, profesori i socialistëve, tregon se sa me kujdes i ndjek situatën dhe debatin politik në vend dhe pse nuk është prezent në politikën aktive. çdo situatë mbahet shënim dhe analizohet në kohë, ndërsa qëndrimi parimor në këtë analizë vërtetohet sot, disa muaj pasi ngjarjet kanë dalë nga aktualiteti i ditës. Siç shprehet edhe vetë në hyrje të librit, Pëllumbi thotë se “lexuesi do të gjejë një formë të filozofisë së aktualitetit, që bazohet në vlerat e dialogut, në aftësinë intuitave për të rrokur aktualen, si dhe në shpirtin luftarak të debatit dhe në vlerën instrumentale të analizës së dilemave të ditëve tona”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›