E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hiqen vizat për të udhëtuar në Kuvajt



Qytetarët shqiptarë do të mund të udhëtojnë lirshëm në Kuvajt pa pasur nevojë për vizë, por ato do të kthehen në viza kufitare, që merren në aeroport. Gjatë vizitës në Kuvajt, Kryeministri Sali Berisha mori premtimin që qytetarët shqiptarë do të udhëtojnë lirshëm në këtë vend të pasur të lindjes së mesme. Sipas njoftimit të Kryeministrisë, Kryeministri i Kuvajtit, Sheikh Nasser Mohammed Al-Ahmed Al-Sabah, shprehu kënaqësinë për vendosjen së shpejti të ambasadave respektive në të dy vendet, duke e cilësuar këtë, si një tjetër kontribut të thellimit të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kuvajtit. "Duke theksuar nevojën e lehtësimit të lëvizjes për qytetarët e të dyja vendeve, Kryeministri kuvajtian u shpreh se qytetarët duhet të pajisen me viza në kufi, në mënyrë që të ketë një lehtësim të shkëmbimeve tregtare apo turistike mes dy vendeve, gjë të cilën Qeveria e Kuvajtit do ta aplikojë në ditët në vijim. Në këtë mënyrë, vizat për qytetarët shqiptarë do të kthehen në viza kufitare, pra do të merren në aeroportin e vendit", thuhet në njoftimin e Kryeministrisë. Kryeministrat nënshkruan edhe 3 marrëveshje bashkëpunimi, në fushën e aviacionit, turizmit dhe mostaksimit të dyfishtë. Në verë do të fillojnë flurimet direkte mes dy vendeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›