E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi dekoron krerët fetarë: Fjala e Zotit duhet të transmetohet shqip në kisha e xhami



Erald Kapri

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekoroi 4 krerët e komuniteteve fetare në vend e në të njëjtën kohë, u ka kujtuar atyre amanetet e themeluesve të kombit e klerikëve më të lartë se, besimi duhet të transmetohet në gjuhën shqipe. Krerët e komuniteteve fetare, atij mysliman, ortodoks, katolik e bektashi, u dekoruan me një nga dekoratat më të larta të shtetit shqiptar, Urdhrin "Gjergj Kastrioti Skënderbeu". Duke kujtuar fjalët e At Zef Pllumit, kreu i shtetit tha se besimi duhet të transmetohet në gjuhën amë, për të arritur sa më i plotë në zemrat e besimtarëve. "Një nga simbolet më sipërore të besimit, të qëndresës, të shkrimit dhe të dëshmisë, At Zef Pllumi, na la porosinë që besimi, sa të jetë e mundur, të transmetohet në gjuhën amtare, se kështu fjala e Zotit prek më lehtë mendjet dhe zemrat e njerëzve, i bën fuqishëm për vete, i njeh ata si të tijtë", deklaroi Topi.
Presidenti është zyrtari i parë i lartë shqiptar, i cili kërkon që shërbesat fetare të mbahet në gjuhën shqipe. Kërkesa e Presidentit vjen në një kohë kur Kisha Autoqefale Shqiptare prej shumë vitesh drejtohet nga një kryepeshkop grek, i cili shpeshherë ka shërbyer meshën në gjuhën e tij. E themeluar prej Fan S Nolit, Kisha Autoqefale shqiptare u njoh si i tillë në vitin 1937 me detyrimin që Mitropolia të kishte drejtues një klerik shqiptar.
Kreu i shtetit tha më tej se reflektimi i fesë është i thellë në jetën e një kombi, që siç e kanë nënvizuar shkrimtarët e vjetër shqiptarë, harmonizohen në një shpirt të vetëm. "'Ne kemi trashëguar kisha, xhami, teqe e faltore, të cilat në shumë raste u shkatërruan me dhunë, por reflektimi i fesë është më i thellë në jetën e një kombi, në jetën e tij shpirtërore e kulturore'. Veprat e shkrimtarëve të vjetër shqiptarë, ajo e Jeronim De Radës, Naim Frashërit, Gjergj Fishtës, Faik Konicës apo Fan Nolit janë 'një sintezë e mahnitshme e shpirtit të këtij kombi në të cilin islami, ortodoksia dhe katolicizmi harmonizohen', siç është thënë nga një personalitet i kulturës shqiptare. 'Në tingëllimin e gjuhës së lashtë e të përbashkët dhe në fërgëllimat e gjakut të fortë e të përbashkët'", tha më tej Topi. Kreu i shtetit shtoi në fjalën e tij se, përdorimi i fesë për qëllim politike është e papranueshme dhe kërkoi reagim ndaj këtij fenomeni. "Përdorimi i fesë për qëllime politike është i papranueshëm, futja e argumentit fetar si prapavijë politike është rrezik për harmoninë dhe laicitetin e shtetit. Kur kjo tendencë shfaqet, duhet të reagojmë me forcë e të bashkuar për ta izoluar fenomenin që në nisje", tha Presidenti.
Në ceremoni e djeshme, katër krerët e komuniteteve fetare në vend, Kryetari i Bashkësisë Myslimane të Shqipërisë, Haxhi Selim Muça, Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e tij, Anastas Janullatos, Arqipeshkvi Metropolit i Tiranës e Durrësit dhe Kryetar i Konferencës Ipeshkvnore, Imzot Rrok Mirdita dhe Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Reshat Bardhi, shprehën falënderime për vlerësimin e bërë nga shteti shqiptar, ndërsa nënvizuan se do të vijojnë të konsolidojnë harmoninë fetare në vend. "Feja duhet të shërojë plagët dhe besimet duhet të vijojnë të bashkëjetojnë", tha Kryepeshkopi Anastas. Ndërsa Kryetari i Bashkësisë Myslimane theksoi se ky komunitet do të vijojë në rrugën e bashkëjetesës dhe harmonisë fetare. Imzot Rrok Mirdita vlerësoi që dita e djeshme të shërbejë për një Shqipëri më të mirë, ndërsa Haxhi Dede Reshat Bardhi shtoi se Shqipëria po tregon një rëndësi të veçantë me harmoninë e saj fetare.

"Feja e shqiptarit është shqiptaria"
"Feja e shqiptarit është shqiptaria", "Atdhe e fe" apo "Pa atdhe, nuk ka fe", ishin disa nga përkufizimet që kreu i shtetit përmendi në fjalimin e tij, referuar themeluesve të shtetit dhe kombit shqiptar. "'Feja e Shqiptarit është shqiptaria' pat thirrur Pashko Vasa në një moment të vështirë për kombin dhe kjo siç është pranuar, na rezulton e vërtetë në këndvështrimin e ideologjisë kombëtare, ashtu siç e dimë të gjithë që feja e shqiptarëve është Zoti në botëkuptimin individual, besimtar e doktrinar, - tha Presidenti Topi, i cili shtoi - asaj doktrine përbashkuese që
quhet shqiptarësi, e cila gjithashtu
ndjell bekimin e Zotit".

“Përcaktime ligjore për pronat e komuniteteve”
Presidenti Bamir Topi preku dje edhe çështjen e kthimit të pronave të komuniteteve fetare, duke kërkuar zgjidhjen sa më të shpejtë të kësaj çështjeje. "Përmirësimi dhe plotësimi i legjislacionit është gjithmonë jo vetëm i dobishëm, por edhe i nevojshëm në relacion me proceset integruese ku është përfshirë vendi. çështja e pronave, e hapësirave për t'u ushtruar, e shkollave dhe e instalimit të programeve të kultivimit të dialogut ndërfetar, pra të drejtat e bashkësive, duhet të kenë përcaktime të qarta ligjore", tha Topi. Kreu i shtetit premtoi se personalisht do të ushtrojë autoritetin e tij për këtë çështje. "Unë ju siguroj se do të ushtroj gjithë autoritetin tim, për të ndikuar në përmirësimin e kujdesit në nivel institucional për këto çështje", shtoi Topi. Ai tha se pronat e komuniteteve fetare, që përbëhen kryesisht nga objekte kulti, janë një vlerë kulturore për të cilat shteti shqiptar duhet të tregojë kujdes dhe t'i restaurojë ato. "Fetë e mëdha disponojnë shumë objekte kulti, të cilat nuk janë vetëm trashëgimi shpirtërore, por edhe kulturore. Ato nuk mund të shihen thjesht si prona të bashkësive, por si pasuri kombëtare, të cilën shteti duhet ta mbrojë, duke e restauruar e promovuar në disa këndvështrime, si emblema të identitetit dhe qytetërimit shqiptar", pohoi Topi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›