E Diel, 1 Nëntor 2026

Hiqeshin si tregtarë, trafikonin armë

Krimet e Rënda zbulojnë një grup prej 5 vetash. Kokainën dhe armët i shisnin në Greqi
Rikthehet trafiku i armëve me Greqinë. Krimet e Rënda kanë mundur të zbulojnë një grup që merrej jo vetëm me trafikun e armëve, por edhe me trafik droge. Nga operacioni i realizuar për goditjen e tyre janë arrestuar katër persona. Hetimi për ta ka nisur shumë kohë më parë, por vetëm para disa ditësh është zbuluar një tjetër person, i cili është kapur duke trafikuar një pistoletë drejt Greqisë, ndërsa në banesë i kanë zbuluar një sasi kokaine. Grupi hiqej sikur tregtonte telefona dhe në vend të tyre dërgonte armë të kalibrave të ndryshëm për kontingjent kriminal në vendin fqinj.
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit deklaroi dje zyrtarisht se Drejtoria Kundër Krimit të Organizuar në Departamentin e Hetimit të Krimit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Qarkut Durrës dhe Prokurorinë për Krime të Rënda, ka finalizuar operacionin policor “Tregtarët e telefonave”, në kuadër të të cilit u bë i mundur arrestimi në flagrancë i katër personave. “Gjatë këtij operacioni u arrestuan Kanan Xhakollari, 23 vjeç, Lulzim Qamo, 28 vjeç, Astrit Zylyftari, 23 vjeç, i dënuar një herë me parë për veprën penale të “trafikut të lëndëve narkotike” në Greqi dhe Asllan Plaku, 18 vjeç, të gjithë banues në Durrës”, deklaroi zëdhënësja e Policisë së Shtetit. Sipas të dhënave, personat e lartpërmendur kanë bashkëpunuar në blerjen e armëve dhe municioneve në Shqipëri e Mal të Zi, me qëllim trafikimin e tyre drejt Greqisë.
Më tej, u shpjegua se realizimi i këtij operacioni u krye pas hetimeve të kryera në bashkëpunim me Prokurorinë për Krime të Rënda në një periudhë relativisht të gjatë kohore. Gjatë veprimeve hetimore, këtyre personave u janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale katër armë zjarri automatike, nga të cilat tre tip “Kallashnikov” dhe një tip “PMSH”, si dhe dy pistoleta tip “TT”. “Këta persona janë pjesë të një grupi kriminal dhe në veprimtarinë e tyre kriminale kanë bashkëpunuar dhe me shtetasin Sotir Zako, 29 vjeç, lindur në Skrapar dhe banues në Durrës, i arrestuar pak ditë më parë në Gjirokastër”, deklaroi policia. Gjatë kontrollit të banesës së Zakos janë gjetur e sekuestruar dhe lëndë narkotike e përzierës lëndësh narkotike. Madje, policia mundi t’i kapte atij 100 gramë kokainë dhe 30 kilogramë paracetamol dhe lidokainë, të cilat shërbejnë si lëndë përzierëse të lëndëve narkotike kokainë dhe heroinë. Pas kryerjes së gjithë veprimeve të nevojshme hetimore, materialet procedurale në ngarkim të këtyre personave iu kaluan Prokurorisë për Krime të Rënda për veprat penale të “Trafikimit të armëve dhe municioneve luftarake” dhe “Mbajtjes së lëndëve narkotike”.
Në lidhje me arrestimin e Zakos, policia shpjegoi se është kryer mëngjesin e 4 shkurtit. Sipas policisë, rreth orës 02.15 të asaj dite, Zako, u kap pasi u mor informacion se në autobusin  me targë TR 4989 F, të linjës Tiranë-Athinë i shoqërisë “Joy Travel”, ai po trafikonte për në shtetin grek armë zjarri dhe municion. Nga kontrolli i ushtruar në këtë autobus ka rezultuar se Zako kishte një pistoletë model “54” prodhim kinez, si dhe 7 fishekë dhe i kishte fshehur në një çantë shpine, të cilën e kishte vendosur në bagazhin e autobusit. Ai kishte tentuar të kalonte armën, duke shfrytëzuar grevën e doganierëve. Ndërsa më vonë u ushtrua kontroll në banesën e tij, ku është gjetur edhe sasia e lëndës narkotike.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›