E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontrabanda, sekuestro kamionit me 500 mijë USD mall

Policia e kryeqytetit arreston dy tregtarë këpucësh e atletesh dhe shpall në kërkim dy të tjerë

Dy tregtarë kanë përfunduar në prangat e policisë për kontrabandë këpucësh, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim. Policia ka proceduar penalisht në gjendje të lirë edhe një të pestë, ndërkohë që janë sekuestruar 20 mijë palë këpucë e atlete, që arrijnë vlerën 500 mijë dollarë. Operacioni i koduar “Morina” është realizuar nga policia e kryeqytetit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Tatimeve dhe Doganën. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë këtij operacioni u arrestuan Durim Myslia, 23 vjeç, dhe Zymbil Trota, 39 vjeç, të dy banues në Tiranë. Ndërkaq, u procedua penalisht në gjendje të lirë Bujar Shehu, 40 vjeç dhe u shpallën në kërkim dy persona të tjerë. Në sajë të këtij hetimi, që ka zgjatur rreth dy muaj, u bë i mundur sekuestrimi i rreth 20 mijë palëve këpucë e atlete kontrabandë, të cilat arrijnë vlerën prej rreth 500 mijë dollarë. Ky mall kontrabandë dyshohet se vinte nga Bullgaria për në drejtim të Shqipërisë përmes Pikës së Kalimit Kufitar Qafë-Morinë, me destinacion përfundimtar rruga “5 Maji”, pikërisht te “tregu i Medresesë” në Tiranë. Sekuestrimi u realizua pasi u bënë verifikimet e dokumentacionit dhe rezultoi se malli nuk kishte asnjë dokument të origjinës dhe asnjë dokument të zhdoganimit të tij. Dyshohet se kontrabanda realizohej me dy automjete furgon dhe më pas malli shkarkohej në kamionin tip “Benz”, me targë KU 2536 A, që është në pronësi të Zymbil Trotës, i cili u sekuestrua bashkë me mallin. Aktualisht vazhdon puna intensive për dokumentimin e veprimtarisë kriminale të personave të tjerë të përfshirë në këtë kontrabandë, për kapjen e dy personave të shpallur në kërkim, si dhe po kryhen verifikimet e përbashkëta me organet tatimore Tiranë. Materialet procedurale do t’i kalojnë për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Tiranë për tregtim dhe transportim të mallrave kontrabandë, si dhe ruajtje apo depozitim të tyre.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›