Gjykata, 107 seanca për dëshminë e të penduarit
Procesi
Avokatët e pyesin Adriatik Colin edhe për rrobat që kishte veshur gjatë vrasjeve...
Shtyhet me “sukses të plotë” seanca e 107 e procesit gjyqësor ndaj organizatave kriminale të Durrësit, pasi avokatët, pasi i kanë bërë disa pyetje të penduarit Adriatik Coli kanë “harruar” episodet për të cilat ai duhet të jepte shpjegim dhe si rrjedhojë i kanë kërkuar gjykatë procesverbalet e seancave të kaluara. Dje, sërish Coli iu nënshtrua pyetjeve të avokatëve mbrojtës. Më parë kishte “duruar” pyetjet e 15 avokatëve, të cilët e pyesnin për një episod me dhjetëra herë, me të vetmin qëllim që ta bënin të ngatërrohej. Por memoria e fortë e të penduarit ka bërë që, krahas çështjeve të deklaruara në prokurori, ai të përgjigjej edhe për disa episode të tjera, çka ka habitur palët në proces. Sipas burimeve brenda gjykatës, Coli është pyetur me detaje për të gjitha episodet që ka marrë pjesë në eliminimin e disa kundërshtarëve, madje edhe për pantallonat dhe bluzat që mbante veshur ditën e ngjarjes. është pyetur nga avokatët edhe për të gjitha detajet e tjera që kanë të bëjnë me ngjyrat e automjeteve e deri te ngjyra e armëve që janë përdorur. Përpos këtyre detajeve, Coli ka “mbijetuar” plot 107 seanca gjyqësore që merr pjesë si dëshmitar dhe njëkohësisht si i pandehur në këtë çështje. Megjithatë, edhe durimi ka një kufi dhe i penduari i organizatave kriminale të qytetit të Durrësit i duhet të durojë edhe dy avokatë, të cilët me pyetjet e tyre po mundohen që të shtyjnë pafundësisht procesin gjyqësor. Krahas dëshmisë së Colit, gjykata duhet të thërrasë edhe dy bashkëpunëtorë të drejtësisë, si edhe qindra dëshmitarë për të faktuar krimet e organizatave kriminale në Durrës, të kryesuara nga Lulzim Berisha dhe Indrit Dokle.
#