Banda e Lushnjës, dëshmitar personi i marrë peng
Gjyqi
Procesi gjyqësor ndaj të ashtuquajturës Banda e Lushnjës ka dështuar dje si pasojë e mungesës së njërit prej avokatëve. Si rrjedhojë, tre dëshmitarët e thirrur dje me forcë duhet të paraqiten në seancën e radhës pas dy javëve. Sajmir Taullai, personi i marrë peng nga banda, ka qenë dje i pranishëm në seancë, por pa mundur të japë shpjegime, pasi mungonte avokati i të pandehurit Afrim Hoxha, i cili kishte probleme familjare. Një seancë më parë dëshmoi vëllai i Sajmirit, Fatmiri, duke deklaruar se vëllezërit e tij ishin kërcënuar për vite me radhë nga Banda e Lushnjës. “Të pandehurit i njoh. Me ta kemi pasur vetëm presione dhe konflikte derisa shkuan te vrasja e vëllait. Vëllait tim, Albert Taullai, në 1998-n i kanë vënë tritol pranë derës së banesës së tij në katin e dytë të një pallati. Pas tritolit ka ardhur Arjan Aliço dhe ka thirrur vëllain tim Bakiun. Bakiu na tha se kishte shkuar dhe kishte takuar Ben (Arben) Boriçin dhe Enver Dondollakun. Këta i kishin thënë sikur vëllai im tjetër, Sajmiri, që ishte në Itali, ishte konfliktuar me ta”, do të deklaronte Fatmiri, duke pohuar edhe pengmarrjen ndaj Sajmirit. “Në një rast tjetër, Ilir Stërgu gënjeu vëllain tim Sajmirin dhe i tha ‘të kërkojnë te varrezat’ për ta vrarë. Atje, Leonard Prifti i ka thënë: Na sill vëllain tjetër. Më vonë ata u zunë me vëllain, Bakiun, për një truall toke dhe i kërkuan 500 mijë euro. Gjobën e kërkonte Enver Dondollaku nga Italia. Kunati i Dondollakut i vinte telefonin në vesh Bakiut, teksa ecte në Lushnjë, ku fliste Dondollaku që i kërkonte lekët”, do të shtonte Fatmiri. Kryetari i Kolegjit Penal, Gerti Hoxha, i bëri me dije Sajmit Taullajt se dëshmia e tij është e rëndësishme për procesin dhe ai duhet të paraqitet në gjykatë për të dhënë versionin e ngjarjes.
#