KLD, Parlamentit: Të rrëzohet projektligji për gjyqësorin
Fatos Mahmutaj
Këshilli i Lartë i Drejtësisë i propozon Kuvendit mosmiratimin e projektligjit për administratën gjyqësore, kthimin e tij për ripunim dhe përgatitjen e tij në formën e një drafti për shtesa në ligjin për gjyqësorin, i miratuar në shkurt të këtij viti. Këshilli e dërgoi mesditën e djeshme zyrtarisht në Komisionin Parlamentar të Ligjeve sugjerimin e anëtarëve, duke shprehur nevojën e parashikimit të aspekteve kryesore të organizimit dhe funksionimit të administratës, të bëra në rregulloren që prezantoi pak ditë më parë Ministria e Drejtësisë. Këtë rregullore e mbrojti vetë ministri në KLD, para anëtarëve të këtij institucioni dhe krerëve të gjykatave në vend. Duke analizuar në tërësi këtë draft, KLD-ja pohon se parashikohet një rregullim total varësie të administratës gjyqësore nga Ministria e Drejtësisë dhe për pasojë nga pushteti ekzekutiv, pra nga maxhoranca e qeverisjes në një moment të caktuar. Këshilli ka vlerësuar se një qëndrim i tillë është në kundërshtim me parimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe prezanton rrezikshmëri praktike. Kjo argumentohet me faktin se administrata gjyqësore, në kuadrin e shërbimeve të saj ndaj publikut, ofron dhënie informacioni apo aktesh. Pjesa bazike e veprimtarisë së saj zhvillohet brenda procesit gjyqësor apo e lidhur me të, dhe për faturën e suksesit apo të dështimit, e mban gjyqësori. Më tej, KLD ka argumentuar se projektligji që ndodhet në Komisionin e Ligjeve cenon parimin e pavarësisë financiare të gjykatave, ndërsa Kushtetuta pohon se gjykatat kanë buxhet të veçantë, të cilin e propozojnë sipas ligjit dhe e administrojnë vetë, kurse sipas draftit këtë e cakton ministria. Pra, e thënë ndryshe, paratë e nevojshme për menaxhimin e gjyqësorit i vendos ekzekutivi, që nëpërmjet autoritetit të kancelarit, i cili ndodhet në varësi direkte të ministrit, vendos sa fonde i nevojiten gjykatës. Drafti i jep mundësi kancelarit që të kërkojë këto fonde dhe t'i harxhojë ato, duke sjellë në këtë mënyrë një ndërhyrje në nivel parimor. Më tej KLD-ja pohon se drafti jep jo vetëm idenë, por edhe mundësinë për ndërhyrje në veprimtarinë e organeve gjyqësore. Këtu Këshilli shpreh shqetësimin mbi mungesën e lidhjes mes dy strukturave funksionale brenda të njëjtit institucion dhe konkretisht mes gjyqtarëve dhe administratës gjyqësore, e cila duhet t'u shërbejë atyre. Projektligji vë një vijë të fortë ndarëse dhe humbet logjika e funksionimit të administratës në shërbim të gjyqësorit, ku sipas kësaj duket se administrata vepron e pavarur. E parë në praktikën e përditshme sipas draftit, nëse mungon një ditë kancelari, me përgjegjësitë totale që i janë dhënë, puna e gjyqësorit bllokohet; nëse mungon kryetari nuk ka asnjë problem, pasi ky nuk ka fuqi për të ndihmuar në organizimin e punës. KLD-ja pohon gjithashtu se drafti është kontradiktor në përmbajtjen e tij. Nga njëra anë ia beson emërimin, të drejtat dhe detyrat e administratës gjyqësore një ligji tjetër të posaçëm, i miratuar nga Parlamenti, ndërsa nga ana tjetër i jep kompetenca ministrit, që me akte nënligjore të plotësojë pjesën tjetër të statusit të administratës mbi çështje si; karriera, masat disiplinore apo lirimi nga detyra. Në fund KLD-ja shpreh mendimin se drafti, i cili është pjesë e ligjit për gjyqësorin, ta reflektojë një pozicionim të tillë në sistemin ligjor, nga vetë pikëpamja e teknikës legjislative dhe, sipas së cilës ai duhet të propozohet si shtesë në këtë ligj.
Problemet e draftit për administratën
• Parashikon varësinë e administratës gjyqësore nga maxhoranca e qeverisjes në një moment të caktuar.
• Cenon parimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe prezanton rrezikshmëri praktike.
• Cenon parimin e pavarësisë financiare të gjyqësorit, sanksionuar nga Kushtetuta. Sipas draftit, buxhetin e përcakton Ministria e Drejtësisë. Kjo konsiderohet ndërhyrje në nivel parimor.
• Mungon lidhja mes dy strukturave funksionale, mes gjyqtarëve dhe administratës.
• Nga njëra anë ia beson emërimin, të drejtat dhe detyrat e administratës ligjit për gjyqësorin dhe, nga ana tjetër i jep kompetenca ministrit, që me akte nënligjore të plotësojë pjesën tjetër të statusit të administratës.
• Ky projektligj duhet të konspirohet pjesë e ligjit për gjyqësorin dhe duhet të propozohet si i tillë në Kuvend.