E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji i SHKB miratohet pa votat e opozitës

 

Kuvendi miratoi pa votat e opozitës ligjin "Për kontrollin e Shërbimit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme". Projektligji u votua në tërësi me 60 vota pro, 38 kundër dhe gjashtë abstenime. Edhe pse kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Leskaj, kërkoi marrjen në konsideratë të amendamenteve të opozitës, kjo nuk u realizua nga maxhoranca. Deputeti i PS-së, Stefan Çipa, duke shpjeguar votën kundër ka deklaruar se, "ky ligj i miratuar është i rrezikshëm dhe se do të ndëshkojë dhe një pjesë të deputetëve". Më pas Kuvendi ka nisur procesin e votimit të projektligjit "Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar". Ai u votua me 70 vota pro, 32 kundër dhe gjashtë abstenime. Në shqyrtimin nen për nen janë paraqitur disa amendamente. Deputetja e PS-së, Ermelinda Meksi, në amendamentin e saj propozoi heqjen e TVSH-së për shkollat publike dhe jo publike, për çështjen e librave. Por një gjë e tillë nuk u pranua nga ana e ministrit të Financave, çka solli më pas dhe rrëzimin me anë të votave të amendamentit të Meksit. Ndërsa të njëjtin fat ka pasur edhe amendamenti i propozuar nga ana e ish-ministrit të Financave, Arben Malaj. Bode i ka cilësuar amendamentet e opozitës si pjesë e asaj që lodhen me interesat e grupeve të caktuara. Por Malaj si reagim u shpreh se, "me këtë ligj të miratuar dhe ministri kryen rolin e doganierit, i cili duhet të përcaktojë çmimet në treg për mallrat që sjellin shoqatat jofitimprurëse në Shqipëri".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›