Hiqet taksa doganore 2% për importin e energjisë
Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi dje ndryshimet e propozuara në ligjin "Për miratimin e niveleve të tarifës doganore", të cilat parashikojnë heqjen e taksës doganore prej 2 % për importin e energjisë elektrike. Sipas ekspertëve të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, heqja e kësaj takse erdhi në kuadër të traktatit të krijimit të komunitetit të energjisë, ndërmjet Komunitetit Evropian dhe vendeve ballkanike, përfshirë edhe Shqipërinë, i cili përcakton një sërë masash të karakterit ligjor dhe ekonomiko-financiar, të cilat duhet të zbatohen nga shtetet anëtare. Konkretisht, në këtë traktat përcaktohet se "palët do të eliminojnë taksat doganore dhe kufizimet sasiore mbi importin dhe eksportin e energjisë dhe të gjitha masat që kanë efekt të njëjtë. Ky ndalim do të zbatohet edhe për tarifat doganore me natyrë fiskale". Heqja e kësaj takse, sipas ekspertëve të doganave shqiptare, ka efekte financiare që rrjedhin nga pagesa e kësaj takse në buxhetin deficitar të KESH sh.a.-së. Efekti financiar i pritshëm nga reduktimi i kësaj tarife doganore, i llogaritur në bazë të importit të bërë për vitin 2008, në sasi dhe në çmim, parashikohet të jetë rreth 488 milionë lekë.