Hiqet tatimi i dyfishtë me Kosovën
11/11/2004 Qeveria shqiptare ka miratuar dje marrëveshjen me Kosovën, për shmangien e tatimeve të dyfishta, lidhur me tatimet mbi të ardhurat dhe mbi kapitalet, për parandalimin e evazionit fiskal. Marrëveshja është nënshkruar në Kosovë nga ministri i Financave më 28 shtator 2004 dhe është një zhvillim i rëndësishëm cilësor në kuadrin e rritjes së bashkëpunimit ekonomiko-tregtar midis Shqipërisë dhe Kosovës. Kjo do të ndikojë në rritjen e investimeve të ndërsjella midis dy vendeve, rritjen e shkëmbimeve tregtare, të sipërmarrjeve të biznesit dhe të një numri të madh aktivitetesh: të avokatëve, mjekëve, artistëve. Bazën ligjore do të ndikojë për një trajtim të barabartë tatimor të kompanive dhe individëve të secilit vend që do të ushtrojë aktivitet biznesi në vendin tjetër, artistëve apo sportistëve për aktivitetet që ushtrojnë në vendin tjetër, si dhe çdo individi rezident në territorin e njërës palë, të punësuar në territorin e palës tjetër. Marrëveshja heq "barrierat fiskale", bashkon trajtimin tatimor të individëve apo kompanive të secilit vend dhe në të gjitha rastet siguron shmangien e taksimit të dyfishtë, duke i dhënë të drejtën tatimore ekskluzivisht njërës palë kontraktore, apo duke e ndarë këtë të drejtë midis palëve, pa rënduar subjektin me tatim të dyfishtë.