E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për një muaj verifikohet shiriti i përgjimit në Hotel Rogner

11/11/2004  Deputetë e opozitës kanë firmosur relacionin për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për përfshirjen ndaj Fatos Nanos, që është akuzuar prej Nikollë Lesit për një sërë veprimesh të paligjshme. Kërkesa e dorëzuar në Kuvend, përfshin akuzën për trafikim të armëve, një aksident rrugor në Shkallnuer, të Durrësit, si dhe për fyerjen e popullit shqiptar në ditën e zisë kombëtare në vdekjen e 15 nxënësve kosovarë.

Në relacion thuhet se akuzat publike, të hedhura ditët e fundit, kanë ngjallur një reagim si të politikës ashtu dhe të shoqërisë civile, medias dhe në përgjithësi të të gjithë opinionit publik.

Deklarata

"Të qëndrosh indiferent ndaj tyre, në këto momente, mund dhe duhet të quhet tradhti kombëtare, do të thotë shpërdorim në ekstrem i besimit publik të të qeverisurve për të siguruar një qeverisje të mirë. Pikërisht Kuvendi, si agregat i vlerave dhe përmbledhës i interesave të shoqërisë, nuk mund të qëndrojë indiferent para fakteve të tilla", thuhet në relacionin e paraqitur prej Nikollë Lesit. Një vend i rëndësishëm i është dhënë hetimit dhe nxjerrjes së përgjegjësive në aksidentin rrugor të datës 2.2.2001, në Shkallnuer, me pasojë vdekjen e shtetasit Petrit Ismaili. Nikollë Lesi, në seancën parlamentare të disa ditëve më parë është shprehur se gjatë kësaj kohe është bërë fshehja e këtij aksidenti, pasi shkaktar ishte Kryeministri Nano.

Kërkesa

Komisioni hetimor është kërkuar të përbëhet nga 13 deputetë, 7 përfaqësues të mazhorances dhe 6 përfaqësues të opozitës parlamentare. Sipas rregullores së Kuvendit, kryetari i komisionit do të zgjidhet nga përfaqësuesit e opozitës parlamentare. Të gjithë hetimet pretendohet që të pëfundojnë brenda 30 ditësh. Megjithatë, do të jetë mbledhja e Byrosë së Kuvendit, të ditës së martë, që do të vendosë nëse objekti i hetimit trajtohet apo jo nga Kuvendi. Rregullorja përcakton se komisionet parlamentare hetojnë vetëm çështje, të cilat prekin shumicën e popullsisë shqiptare. Me këtë pretendim, disa muaj më parë, është hedhur poshtë kërkesa për komisionin hetimor për ngjarjen e Shkallnuerit. Për socialistët, kjo është një çështje që i përket prokurorisë, pasi nuk është objekt për komisionet hetimore.

Nano nuk ka përgënjeshtruar dokumentin

Sali Berisha kërkoi dje mbështetjen e ndërkombëtarëve për komisionin hetimor parlamentar, ndaj Kryeministrit Fatos Nano për trafik armësh. "Janë shprehur edhe mendime për monitorim ndërkombëtar të këtij hetimi, do të ishte në interesin dhe mençurinë e palëve që të pranojnë edhe monitorim ndërkombëtar, pasi kemi të bëjmë me një çështje jashtëzakonisht serioze”, tha Berisha. Sipas tij, fakt është se Kryeministri nuk e ka mohuar ekzistencën e dokumentit gjatë dy deklaratave të bëra publike. "Në të dy reagimet, Nano kërcënon për nxjerrjen e dokumentit si dhe pohon se ka qenë në Londër. Unë nuk jam ekspert i kësaj fushe, por jam konsultuar me ekspertët më të mirë, të cilët më kanë qartësuar, se përgjimi, regjistrimi i përgjimit dhe transkriptimi i përgjimit janë tri procese, të cilat nuk kanë lidhje kohore me njëri-tjetrin. Argumenti i Nanos se ishte në Londër është i pavlerë", nënvizoi Berisha. Ai sugjeroi marrjen e dy ligjeve, duke bërë edhe krahasimin. Ai theksoi se nuk është e vërtetë se Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar ligjin e miratuar prej qeverisë së PD-së. "Rrëzimi i ligjit është një veprimtari e qëllimshme, pa asnjë diskutim. Prandaj, ne jemi të hapur për çdo formë hetimi", u shpreh dje kryetari Berisha.

Aleatët e PS kundër komisionit hetimor

Nuk është e nevojshme ngritja e një komisioni hetimor nga ana e parlamentit shqiptar lidhur me çështjet që deputeti Nikollë Lesi paraqiti në seancën e së hënës. Kështu është shprehur kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Lufter Xhuveli, pas kërkesës së 35 deputetëve të opozitës të kryesuar nga deputeti Lesi për ngritje të një komisioni hetimi për Kryeminsitrin Nano. Aleati i Partisë Socialiste, Xhuveli ka kundërshtuar ngritjen e një komisioni të tillë, pasi, sipas tij, me këtë çështje tashmë po merren organet e specializuara të hetimit. Kështu, për miratimin e këtij komisioni, aleati i PS-së do të votojë kundër. Ky ka qenë dhe reagimi i parë, për hedhjen poshtë të kërkesës së 35 deputetëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›