E Shtunë, 31 Tetor 2026

Histori zgjedhjesh alla shqiptarçe

Mehdi Frashëri, 1921

Zgjedhjet e deputetëve filluan qysh në muajin shkurt, në mënyrë që dhoma e deputetëve të mblidhej javën e tretë ose të katërt të prillit.

Në çështjen e deputetëve na u paraqitën dy vështirësi: A) Përpjesëtimi i deputetëve nga pikëpamja e besimit; B) Abstenimi i popullsisë ortodokse në Korçë e Gjirokastër, duke nxjerrë si pretekst se nuk qenë caktuar kufijtë dhe se, në rast se do të vinte Greqia, do t‘i dënonte që morën pjesë në votim.

Korça pretendonte që deputetët e qarkut të saj duhet të jenë gjysmë për gjysmë muhamedanë e të krishterë. Katolikët e Shkodrës pretendonin dy katolikë e një mysliman. Që të dyja këto pretendime nuk i përgjigjeshin së vërtetës, sepse në Qarkun e Korçës pjesa myslimane është gati dy me një të krishterë. Gjithashtu, edhe në Shkodër popullsia katolike është më e shumtë se myslimanët, por prapëseprapë nuk ishte dy me një, si pretendonin katolikët.

Në Korçë, nacionalistët ortodoksë u morën vesh me muhamedanët, duke lejuar këta që nga ortodoksët të dilnin më shumë deputetë ortodoksë nga çka lypte përpjesëtimi i shifrave.

Sa për Shkodrën, katolikët insistonin dhe për këtë shkak, si ministër i Brendshëm u ngrita vetë e vajta në Shkodër, ku mblodha në një anë katolikët e u tregova shifrat e statistikës që kishin bërë austriakët në kohën e okupacionit. Perandoria Austriake, tepër katolike, nuk mund t‘i tregonte myslimanët më tepër nga ç‘ishin në realitet. Në një mbledhje që pata me katolikët, këta insistonin pa arsye. Më në fund u thashë se kjo është e pamundur, sepse, po të votonin, më tepër do të refuzoheshin.

Sa për abstenimin e ortodoksëve jonacionalistë të Korçës, e pashë të arsyeshme ta kalojmë në heshtje, duke i lënë të lirë, kush të donte të votonte…

Anëtari i Këshillit të Naltë, Aqif pashë Elbasani, me rastin e zgjedhjeve të deputetëve kishte shkuar në Elbasan për të nxjerrë një grup deputetësh ekskluzivisht prej anëtarëve të tij, kurse Shevqet Vërlaci kishte paraqitur si kandidat një grup tjetër, ku figuroja edhe unë midis kandidatëve. Sipas mentalitetit të pashait, meqenëse ai ishte anëtar i Këshillit të Naltë, deputetët e Elbasanit medoemos duhej të ishin anëtarët e tij. Prandaj në Elbasan u zhvillua një luftë e rreptë elektorale ndërmjet dy partive, por më në fund fitoi partia jonë, që kryesohej prej Shefqet Vërlacit.

Më 21 prill 1921 u mblodh Parlamenti i parë i shtetit shqiptar me një gëzim të madh të popullit.

(Mehdi Frashëri, Kujtime (1913-1933), OMSCA-1, Tiranë 2005)

Sejfi Vllamasi, 1921

Me gjithë dëshirat e disa të rinjve në Përmet, Korçë e Vlorë për zgjedhjen e një asambleje kushtetuese, rrethanat e asaj kohe impononin për zgjedhje parlamentare. Grupet dhe tendencat e ndryshme po përgatiteshin për luftën elektorale, e cila për herë të parë po bëhej në Shqipëri. Zgjedhjet do të bëheshin indirekte në bazë të një ligji të posaçëm, domethënë me zgjedhës të dytë, mbasi në ato kushte zgjedhjet direkte qenë të pamundura.

Politika elektorale e organizatës "Krahu Kombëtar" ishte: zgjedhja e deputetëve nacionalistë me parime politike të Kongresit të Lushnjës dhe luftë kundër elementit të kompromentuar në politikën proitaliane, me qëllim që në Parlamentin e parë shqiptar, para se të stabilizohej e forcohej shteti i ri, të mos komprometohej politika e Lushnjës, që deri në atë kohë pati gjithë ato suksese. Mbi koalicionin e fortë, që u formua kundër nacionalizmit liberal e demokrat, suksesi i kësaj politike vihej në dyshim në disa prefektura. Korça ish në ballë të prefekturave që votoi për këtë politikë.

Për zgjedhjen parlamentare, nga fundi i vitit 1920 u nisëm nga Tirana për Korçë bashkë me Eshref Frashërin, për të marrë pjesë në luftën elektorale në emër të "Krahut Kombëtar". Sotir Peci dhe Koço Kota ishin në Korçë, po ashtu edhe Fazlli Frashëri. Ky i fundit, për një fjalim që e kish mbajtur në një miting për zgjedhjen e një asambleje kushtetuese, ishte ngatërruar keq me Xhaferr Ypin, ministër i Drejtësisë në qeverinë e Iljas Vrionit. Në dukje u nisëm si dy shokë të një organizate me Eshrefin, por në realitet puna paska qenë ndryshe. Komploti ish organizuar që në Tiranë për zëvendësimin tim me Xhaferr Ypin si kandidat për në Kolonjë. Eshrefi ka pasur si qëllim të formonte një grup deputetësh, anëtarët e të cilit të kishin një solidarësi mendimesh, mentalitetesh dhe interesash, për të përfaqësuar Korçën në emër të bejlerëve, të turqve e të kaurëve, sado që këta të fundit kanë qenë një sasi shumë e vogël, si edhe ta përdorte këtë grup për qëllimet e tij të mëtejshme. Këto komplote dhe intriga dëshmojnë ambiciet dhe, ajo që është më e keqja, tregojnë pabesinë që ka ekzistuar midis disa anëtarëve të "Krahut Kombëtar" qysh në atë kohë, të cilat pas tri vjetëve çuan në shkatërrimin e tij. Në këtë komplot ka qenë edhe Pandeli Cale me disa të krishterë e myslimanë të mykur dhe, si përkrahës, kanë pasur edhe prefekt Zoin me komandantin e xhandarmërisë Ferit Frashërin, për ta përdorur në rast nevoje edhe influencën qeveritare në favor të planit të tyre. Ky grup, Eshrefi me shokë, Fazlli Frashërin dhe mua na konsideronin si të rinj, me mendime dhe mentalitete jo të pajtueshme me ato të tyret, po ashtu edhe të pabindur ndaj vullnetit të Eshrefit, që hiqej si kryetar i grupit. Dhe përveç këtyre, ne kemi qenë gjoja edhe si persona pa ndonjë konsideratë me rëndësi nga ana e popullit të Prefekturës së Korçës. Gjatë luftës së zgjedhjeve, Eshrefi me shokë, bashkë edhe me prefektin dhe komandantin e xhandarmërisë, s‘kishin lënë gjë pa bërë, si propagandë ashtu edhe shpifje të dobëta për eliminimin tim dhe për zgjedhjen e Xhaferr Ypit, por populli i prefekturës së Korçës, i çliruar nga ndikimet e paragjykimet e kohës së mesme dhe i zhvilluar politikisht sa të kuptojë interesat e tij reale, votoi ashtu si i pëlqeu dhe Eshrefi mendjemadh ka qenë ay që mori më pak vota nga gjithë të tjerët. Unë, mbas zgjedhjeve, nga Ferit Frashëri vetë e mora vesh komplotin kundra meje, i cili ma shpjegoi si vijon: "S‘kam lënë gjë pa folur kundra teje, dhe në favor të Xhaferr Ypit, por fshatarët, pa përjashtim, nuk donin të dëgjonin asnjë fjalë kundra teje". Populli i Kolonjës me unanimitet votoi për mua. Midis prefekturave, Korça dhe Vlora me unanimitet votuan për politikën e Kongresit të Lushnjës.

Vetëm me rastin e zgjedhjeve të Korçës ngjau një çështje për të ardhur keq, e shkaktuar nga ambicia e 2-3 personave. Koço Kota ka qenë anëtar i vjetër i "Krahut Kombëtar" dhe shoku i pandarë i Sotir Pecit dhe i emi, por ish kundra Eshrefit dhe Pandeli Cales me shokë, dhe ky kundërshtim, më tepër se nga mospajtim idesh e mentalitetesh, rridhte sepse Koço Kota figuronte në listën e kandidatëve që përbëhej prej 4 të krishterëve dhe 4 myslimanëve. Por ay nguli këmbë të hynte në listë vetë i tretë, bashkë me dy shokët e tij, Kol Rrodhen dhe Llambi Bimblin, që të tre patriotë të vjetër. Atëherë Pandeli Calja, edhe ay veteran patriot, mbetej automatikisht përjashta listës. Ky pretendim jo i arsyeshëm u refuzua prej shumicës që peshonin mbi fatin e zgjedhjeve dhe Koço Kota me shokë, të shtytur nga një ambicie e shfrenuar, deklaruan gjendjen e jashtëzakonshme të elementit të krishterë dhe me një memorandum që i drejtuan qeverisë kërkonin krijimin e një situate të privilegjuar në favor të elementit të krishterë në Jug. Por qeveria më 26 shkurt 1921 u përgjigjet duke thënë se është jashtë kompetencës së saj për të biseduar mbi pikat e shënuara në memorandum, të cilat mund të shqyrtohen vetëm nga Parlamenti.

Kjo marrëzi u bë me iniciativën e Koço Kotës nga një pakicë e verbuar prej ambicies dhe u përkrah nga një pjesë e grekomanëve, por u përbuz me indinjatë prej të gjithë patriotëve dhe prej popullit të krishterë e mysliman të Korçës. Megjithatë, kur Greqia deshi të shfrytëzonte këtë çështje në favor të saj, K.Kota me shokë, me një telegram që i bënë Lidhjes së Kombeve, deklaruan se të huajt nuk kanë të drejtë të flasin për çështje krejt të brendshme.

Në zgjedhjet parlamentare të Gjirokastrës, lufta midis dy politikave (asaj të Lushnjës dhe asaj të Durrësit), u bë më e fortë, mbasi Myfit Libohova, përveç midis myslimanëve të qytetit të Gjirokastrës, kishte partizanë edhe në një pjesë të Kurveleshit, gjithashtu përkrahej edhe nga një pjesë e grekomanëve dhe prej të gjithë grekofonëve. Megjithatë, shumica e Gjirokastrës votoi për grupin nacionalist dhe Myfit Libohova me Fejzi Alizotin nuk fituan.

Në Berat fitoi politika e Lushnjës, por megjithatë fitoi edhe Qemal Vrioni.

Në Elbasan fitoi grupi i Shefqet Vërlacit edhe bashkë me të, me përkrahjen e Vërlacit, fitoi edhe Mehdi Frashëri, ish-anëtar i qeverisë së Durrësit.

Në zgjedhjet e Durrësit dhe Tiranës shumicën e fituan partizanët e Lushnjës.

Në Mat fitoi Zogu dhe si shokë nxori edhe Bajram Fevzinë dhe dr. Syrja Pojanin, që të dy anëtarë të "Krahut Kombëtar".

Zgjedhjet e prefekturës së Drinit nuk u bënë të rregullta, mbasi pjesa më e madhe e prefekturës ka qenë nën okupimin jugosllav dhe popullsia në pjesën më të madhe kishte emigruar në Mat dhe në Tiranë. Në këtë anomali gjetën rast të fitojnë si deputetë disa persona ambiciozë e aventurierë të rrezikshëm si: Hasan Prishtina, Hoxha Kadri, Irfan Ohri, Ramiz Daci, Avni Gjilani, Kristo Floqi etj., të cilët më vonë kanë luajtur një rol nefast në dëm të shtetit. Bashkë me këta u zgjodh edhe Iljaz Vrioni.

Në Prefekturën e Kosovës, Bajram Curri, duke dashur të kënaqë të dy palët, zgjodhi Rexhep Mitrovicën dhe Mustafa Krujën. Bashkë me këtë të fundit dhe me Mehdi Frashërin u bënë dy anëtarë të qeverisë së Durrësit që do të bënin pjesë në Parlamentin e parë shqiptar.

Sa për zgjedhjet e Prefekturës së Shkodrës, këto mbetën vonë, për shkak të konfliktit që ngjau mbi përpjesëtimin e kandidatëve katolikë e myslimanë, ashtu edhe për shkak të konfliktit midis elementit katolik për shkak të kandidatëve të listës katolike.

Mbas zgjedhjeve të Korçës unë shkova në Shkodër. Në mars 1921 aty erdhi edhe Zogu me Bajram Fevzinë si deputetë të Matit. Zogu pas luftës së Koplikut, ku kishte bërë shërbime të mëdha, njihej mirë dhe kishte fituar simpatinë e popullit të Shkodrës. Qëllimi i ne të treve ka qenë të bënim një takim me Luigj Gurakuqin për një bisedim miqësor e patriotik, i cili mund të kishte pasoja të mira ose të këqija mbi interesat e larta të shtetit. Takimi u bë në hotel "Evropa". Gurakuqit iu tha: "Bisedimi ynë do të ketë një karakter krejt miqësor dhe patriotik, pra çdo fjalë nuk duhet të interpretohet keq, por duhet gjykuar paanësisht edhe e zhveshur nga çdo pasion. Jemi të sinqertë dhe këtë dispozicion shpirtëror jemi të bindur se do ta gjejmë edhe te ti. Ky bisedim më tepër do të jetë një qarje halli mbi fatin e vendit. E dini se qeveria e Durrësit dështoi në politikën e saj dhe triumfoi politika e Kongresit të Lushnjës. Pra, interesi i vendit do ta kërkonte që kjo politikë e fundit të vazhdonte në një qetësi të plotë dhe jo të fillojmë prapë nga luftërat e kota dhe të dëmshme që nuk dihet se si mund të përfundojnë. Sado që Mehdi Frashëri, me anë të Shefqet Vërlacit dhe Mustafa Kruja, me anë të Bajram Currit u zgjodhën deputetë, ato zgjedhje me aq s‘mund të kenë rëndësi, në qoftë se anëtarët e kësaj politike, me zgjedhjet e Shkodrës, nuk bëjnë një fitim të konsiderueshëm e t‘organizuar. Prandaj ju duke mos vënë kandidaturën, do të mënjanoni një rrezik të tillë dhe, nga ana tjetër, ju jeni të lirë, të paktën përkohësisht, t‘i kushtoheni shërbimit diplomatik në Londër, Paris ose Romë, kudo që dëshironi, mbasi ne, i fitojmë zgjedhjet ose jo, do të jemi në gjendje t‘ju dërgojmë jashtë si ministër kudo që të dëshironi".

Në mbarim të fjalës, Gurakuqi tha se mbasi të mendohem do t‘ju jap përgjigje…

Gurakuqi, duke e ditur se populli katolik në shumicën dërrmuese e ka pasur kundërshtar në politikën e tij proteksioniste, në fillim s‘ka dashur ta verë kandidaturën, por më vonë ndërroi mendim për dy arsye: 1. Insistimi i klerit katolik; 2. Insistimi i Riza Danit dhe rrethit të tij. Kleri s‘mund të gjente person më të përshtatshëm se Gurakuqi për interesat e tij dhe Riza Dani s‘mund të fitonte në zgjedhjet pa qenë në listën e Gurakuqit.

Nga fundi i 1920 patër Anton Harapi, patër Gjergj Fishta dhe klerikë të tjerë bëjnë një mbledhje në famullinë e Trushit, ku diskutohet nga çdo pikëpamje kandidatura e Luigj Gurakuqit dhe e patër Gjergj Fishtës në lidhje me interesat e klerit katolik dhe këtu vendoset kandidatura e tyre. Për të caktuar numrin e deputetëve, katolikë e myslimanë, pasi mungonte regjistrimi i popullsisë, këshilli administrativ i prefekturës llogariti gjithë shtëpitë e qytetit dhe të krahinave të ndryshme dhe gjeti afërsisht statistikën e popullsisë në një përpjesëtim 2 e 1 (dy katolikë, një mysliman). Në këtë kohë vjen në Shkodër Mehdi Frashëri, ministër i Brendshëm, i cili paraqiti statistika të vjetra dhe duke e bashkuar edhe Bunjën (të Kosovës) me Shkodër, shkaktoi një ndryshim në statistikën e parë në favor të myslimanëve. Përpjesëtimi i ri, 5 e 7, në favor të myslimanëve nuk u aprovua nga katolikët…

Kur u formua lista definitive e komisionit, e cila u shpall, ajo linte jashtë Luigj Gurakuqin dhe patër Gjergjin si të kompromentuar me politikë proteksioniste, ndërsa këta të dy për klerin ishin kandidatë të domosdoshëm. Kleri atëherë bëri një mbledhje në arqipeshkvi, duke ftuar edhe një pjesë të anëtarëve të komisionit dhe hartoi një listë të re, duke futur brenda Gurakuqin dhe patër Gjergj Fishtën. Pra, në zgjedhje u paraqitën dy lista me dy palë kandidatë. Lufta midis dy palëve u bë e rreptë qoftë me shtyp, qoftë me mjete të tjera propagandistike… Deputetë u zgjodhën 8 katolikë e 4 myslimanë. Parlamenti u hap para se të merrnin fund zgjedhjet e Shkodrës…

(Sejfi Vllamasi, Ballafaqime politike në Shqipëri, 1897-1942, përgatiti për botim Marenglen Verli, Neraida, Tiranë, 2000)

Eqrem bej Vlora, 1923

Më 29 nëntor të vitit 1923, kur u shpallën zgjedhjet për Asamblenë Kombëtare legjislative, im atë dhe miqtë e mi ngulën këmbë që të vija edhe unë kandidaturën…. Për të pasur sukses, nuk m‘u desh të harxhoja asnjë fjalë, nuk pata nevojë të kurdisnja asnjë komedi propagandistike. Më zgjodhën mua dhe grupin tim thjesht, sepse nuk mund të mendohej që të zgjidhej tjetër njeri përveç beut dhe, sepse prej meje pritej një zot e di se çfarë. Por domethënës ishte fakti se ai grusht zgjedhësish të shkallës së dytë (në rrethin e Vlorës ata ishin 75), të zgjedhur drejtpërdrejt nga populli nuk ma dhanë votën e tyre. Ata ishin rekrutuar nga radhët e shtresës së mesme dhe ishin njerëz që kishin parë sa e sa të mira nga shtëpia jonë.

Ndërmjet tyre ishte edhe një fshatari imi, ortodoks nga fshati Poro. Kureshtar, e thirra një ditë në shtëpi dhe e pyeta përse nuk donte të ma jepte votën. "Ti je bej denbabaden, i përkëdhelur prej Zotit dhe kësmetit. Ti nuk më ke bërë kurrë të keqe e megjithatë unë nuk do të votoj për ty, se dua që të marrësh vesh edhe ti, njëherë, sa të dhëmb kur nuk bëhet dëshira dhe vullneti yt!". Unë nuk i mbajta mëri fshatarit për këto fjalë të çiltra dhe të hapura, ndonëse edhe krejt arkaike dhe nuk i mora në mënyrë tragjike. Por, pa dashur, m‘u kujtua përgjigjja e atij fshatarit grek, që në një gjyq të kurdisur kundër Alkibinës, u shpreh për dëbimin e tribunit të popullit, pa e njohur fare atë. Kur e pyetën pastaj, përse votoi kundër këtij bashkëqytetari të nderuar, fshatari i ndershëm u përgjigj: "E di që ai meriton vetëm lëvdata dhe mirënjohje! Por po bëhen ama kaq e kaq vjet që po dëgjojmë vetëm ditirambin e tij! Mjaft më! Të mësojë edhe ai njëherë si shijon kur të shajnë!".

Më vonë unë mësova se rebelimi vetjak i fshatarit tim kishte një motiv prozaik: një saraf nga Narta, një përfaqësues i klasës së re në ngjitje, i kishte premtuar një zgjatje afati për larjen e borxhit, me kusht që të votonte kundër meje. Dhe për ta bindur xhelatin e tij se po i qëndronte besnik ujdisë, fshatari i mirë kishte dashur ta bënte publik opozicionin e tij. Fundja nuk rrezikonte shumë. Të gjithë e dinin se "beu i zvetënuar" nuk merrej me këso hakmarrjesh të vogla.

(Eqrem bej Vlora, Kujtime. Vëllimi i dytë (1912-1925). Përktheu Afrim Koçi, Shtëpia e Librit & Komunikimit, Tiranë 2001)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›