E Shtunë, 31 Tetor 2026

KORNIZA AFATMESME E VARFERISE

Duke analizuar dokumentin qeveritar, "Korniza afatmesme e shpenzimeve 2010-2012", del në pah mungesa e një vizioni zhvillimor për Kosovën nga qeveria aktuale. Ky dokument tregon qartë sfidat me të cilat ballafaqohet shoqëria kosovare, por dhe mungesën e vizionit të lidershipit tonë për të gjetur modelin më të mirë për t‘u përballur me këto sfida. Papunësia dhe varfëria në Kosovë çdo ditë e më tepër po rritet, ndërkaq politika aktuale nuk ka ndonjë alternativë për zgjidhjen e problemeve të mëdha, me të cilat po ballafaqohet shoqëria kosovare.

Rritja ekonomike, sipas institucioneve ndërkombëtare, është diku mes 3 dhe 4%, ndërsa papunësia është rreth 35 deri 40%. Po ashtu, çdo vit, tregut të punës i shtohen rreth 29 mijë njerëz që kërkojnë punë, prandaj me këtë trend të zhvillimit, vendi ynë do të mbetet edhe për një kohë të gjatë i varfër dhe me qytetarin më të varfër në Europë. Pikërisht, këto të dhëna dëshmojnë për një mospërputhje të madhe mes numrit të të papunëve dhe trendit të zhvillimit ekonomik të vendit tonë.

Ndërkaq, kur këtyre kategorive u shtohet edhe rreth 40% e popullatës sonë që jeton në nivelin e varfërisë dhe prej tyre 15% i takojnë varfërisë ekstreme, atëherë situata bëhet alarmuese dhe tregon se sa duhet të punojmë për t‘u përballur me këto sfida. Situata vjen e përkeqësohet edhe më shumë, sepse investimet e huaja në Kosovë, në vitin 2008, kanë pësuar rënie të madhe, rreth 10%, në mungesë të politikave të mira për tërheqjen e investimeve të huaja në Kosovë, por edhe si pasojë e krizës globale që aktualisht ka kapluar pjesën dërrmuese të vendeve në gjithën botën.

Republika e Kosovës po ballafaqohet me një rënie mjaft të madhe të remitancave, afro 10%, të cilat do të kenë ndikim në shumë sektorë të ekonomisë sonë. Këto dy kategori do të ndikojnë në zvogëlimin e të hyrave të përgjithshme në vendin tonë brenda vitit për dhjetëra miliona euro. Një problem shumë i madh për zhvillimin ekonomik të Kosovës vazhdon të jetë mungesa e energjisë elektrike. Po ta kthejmë mungesën e energjisë elektrike me koston që e pëson ekonomia kosovare, rezulton se Kosova humbet, në mënyrë indirekte, rreth 500 milionë euro në vit, ndërsa nga buxheti i Kosovës, vetëm për këto tre vjet, qeveria është detyruar të ndajë mbi 250 milionë euro.

Po ashtu, një problem me të cilin ende po ballafaqohemi është sistemi arsimor. Më shumë se 50% e popullsisë së Kosovës është nën moshën 25-vjeçare, ndërsa 70% e popullsisë së saj është më e re se 35 vjeç. Ky potencial i resurseve humane paraqitet si faktor joproduktiv me këtë sistem arsimor dhe me këto politika arsimore, sepse ato nuk janë në harmoni me ekonominë moderne të tregut. Fakt për një sistem arsimor që lëngon është edhe testi i fundit kombëtar i maturës, të cilin e kanë kaluar vetëm 45% nga rreth 25 mijë maturantë. Këto janë shifra alarmante, sidomos për një vend si Kosova. Duke parë se Kosova është shndërruar në një treg për vendet fqinje, atëherë është e vështirë të mendohet për fuqizimin e buxhetit të shtetit të Kosovës. Në dy sektorët më të rëndësishëm për zhvillimin e vendit, ai i energjisë dhe i minierave, pothuajse më shumë ka regres sesa progres.

Sektori energjetik është shndërruar tani tërësisht në varësi të buxhetit të Kosovës. Sikur të ishin ruajtur trendet e mëparshme, në vitin 2008, buxheti ynë do të ishte lehtësuar për qindra miliona euro nga ky sektor, sepse duhet të kishte filluar investimet e jashtme në rehabilitimin e njësive të vjetra të "Kosova A", në hapjen e minierës së Sibovcit, si dhe rehabilitimin të eskalatorëve. Për këto gabime, qeveria u detyrua të ndajë mbi 160 milionë euro dhe është duke humbur shumë zërin e vendit tonë në institucione ndërkombëtare. Ngadalësimi i projektit "Kosova C", ka vënë në pikëpyetje thithjen e 3.5 miliardë eurove dhe kjo është politikë e varfër dhe politikë e cila e mban Kosovën në listën e vendeve më të pazhvilluara në Europë.

Duke mos pasur guxim vendimmarrës për këto projekte të mëdha, buxheti i krijuar me vite të tëra po shpenzohet në mënyrë të gabuar, apo me shumë pak efekte gjeneruese. Politika që doganat të jenë bartëse kryesore të të hyrave buxhetore tregon më së miri se ku është vizioni ynë zhvillimor.

Për sa u përket minierave metalike, posaçërisht Trepçës, ne mund të themi se ministria, konkretisht qeveria, ka bërë gabime të mëdha në këtë sektor. Kjo qeveri ka mbetur ende në konceptin e hartimin e planeve dhe studimeve për Trepçen. Dikur kjo strukturë minerare krijonte të hyra rreth 220 milionë dollarë në vit, ndërsa tani është e varur tërësisht nga donacionet e shtetit. Qeveria duhet të ndërrojë (apo të marrë përvojat e mira të shumë vendeve) tërësisht konceptin e menaxhimit të resurseve natyrore, urgjentisht duhet të afrojë rreth vetes njerëz profesionistë të cilët mund të ndihmojnë që këto dy shtylla ekonomike për vendin tonë të kthehen në profit për qytetarët e Kosovës. Qeveria duhet të merret drejtpërdrejt me Trepçën e të fillojë procesin e rimëkëmbjes së saj, duke krijuar partneritet me investitorë të jashtëm, në mënyrë që sektori i minierave, në bazë të llogarive të studiuara, të bëhet një nga buxhetorët më të fuqishëm për Republikën e Kosovës. Me një vizion të qartë dhe plane strategjike, qeveria do të mund të krijonte kushte për punësimin e mbi 10 mijë punëtorëve të rinj në kompleksin e minierave metalike, brenda pak viteve. Riaktivizimi i minierave metalike do të ndërronte edhe bilancin tregtar shumë të varfër të vendit tonë. Prestigji i Kosovës mund të rritet vetëm me politika të mençura në shfrytëzimin e këtyre resurseve. Qeveria duhet të bëjë hapa të mençur rreth projektit "Kosova C", të shndërruar tashmë në "Kosova e Re".

Dokumenti "Korniza afatmesme e shpenzimeve 2010-2012" tregon edhe njëherë se sa është e varfër kjo qeverisje, sa i përket vizionit për shfrytëzimin e burimeve natyrore, si faktor kyç për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Qeveria duhet të hapë dyert e komunikimit me njerëz dhe institucione, të cilët janë të gatshëm të ndihmojnë që varfëria dhe papunësia në Kosovë të zvogëlohen. Zhvillimi ekonomik i vendit nuk është përgjegjësi vetëm e një kaste udhëheqëse politike, por është obligim i gjithë shoqërisë që jeton në të.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›