E Shtunë, 31 Tetor 2026

RRUGET E ÇUDITSHME TE LIBRIT

1.

Kishte qenë përputhje e dyfishtë. Përputhja e parë qe kur Charlie Sennott, atëherë korrespondent i "Boston Globe", do të takohej me Mat McAllester në Bari. Që të dy do të dërgohen si korrespondentë lufte për fushatën ajrore të NATO-s kundër Serbisë. Që të dy me njohuri për Lindjen e Mesme, por jo edhe për Ballkanin, do të hipnin në vaporin e fundit që nisej për në Tivar, natën e 24 marsit të vitit 1999. Ndërsa darkonin me dy ministra të qeverisë malaziase dhe gratë e tyre (duket sikur zbulonin se ekziston diçka e quajtur Republika e Malit të Zi), merrnin porosi nga nikoqirët për efektet e fushatës ajrore. Në të arritur, në mëngjes, më 25 mars, do të hyjnë në një rrëfim: në Tivar do të fshihej ushtria "jugosllave", policët malazezë të uniformuar do ta ruajnë vendin e tyre nga "ushtria jugosllave", dy gazetarët amerikanë do të kërkojnë mjete për të shkuar në Kosovë (duke supozuar se mund të hyhet në të).

Përputhja e dytë qe kur dhjetë vjet më vonë, Charlie do të më rrëfejë për hyrjen e tij në aventurën ballkanike. Në zyrën e tij, në Portin e vjetër të Bostonit, prej nga ishin nisur anijet e famshme "clipper" për të blerë çaj në Lindjen e largët, do të shtojë se për këtë aventurë, kolegu i tij më i ri, McAllester, kishte shkruar një libër, "Përtej Bjeshkëve të mallkuara, apo kështu diçka".

Në të kthyer në Prishtinë, para fundit të dimrit, do ta filloja kërkimin e librit. Nuk e kishin në libraritë e Bostonit e as të New Yorkut, ku do të shkoja disa ditë më pas ("Mos kërkoni në libraritë tona, libri është tërhequr nga shitja prej kohësh"). Në të kthyer në Evropë, do të filloja kërkimin nëpërmjet portalit global "Amazon". Libri i McAllesterit do të dalë i gjetshëm në një shitore të specializuar për libra të tërhequr nga qarkullimi nga bibliotekat publike. I palexuar, me shifrën që ia kishin vënë në bibliotekën e kontesë Cuyahoga në Parma, Ohio (ku në dreq është ky vend?) do të arrijë ky rrëfim i bukur për një ngjarje të shëmtuar, luftën, dhe në të, viktimizimin e familjes së kasapit pejan, Isa Bala.

Autori do të hyjë dy herë në Kosovë, gjatë fushatës së bombardimeve, duke i kaluar Bjeshkët e Nemuna më këmbë. Dikush ia kishte përkthyer në anglisht, e dikush tjetër në formën tjetër emrin e Bjeshkëve; kur ky gazetar i kishte kaluar, vendosi se emri më i mirë është "e të Nëmurve", sepse duhet të jesh i nëmur që të të ndajnë, apo që t‘i kalosh.

"Përtej Bjeshkëve të të Nëmurve" (New York University Press, 2002), do të kalojë një Bjeshkë më të madhe, atë të harresës, e nëmur edhe ajo, për të mbërritur me rrëfimin mjeshtëror, një pjesë e të cilit vërtitet rreth një pyetjeje: Si është e mundur që të vriten fëmijët?

Dhe, me përgjigjen, prej njërit prej paramilitarëve serbë:

"Vetëm duhet të marrësh shënjestër pak më poshtë".

2.

Dhe duhet të ketë qenë një shenjë e mëngjesit të hershëm të Gjirokastrës që më nxori të përjetoja atë moment të saktë, kur puqet qytetari me qytetin e tij, në atë moment të saktë kur do të dëgjosh hapjen e çepengave, një kovë uji të derdhur ende pa mbërritur në Qafën e Pazarit, krakëllima e këmbëve të dy karrigeve të saponxjerra e të vendosura mbi pllakat e gurit, përshëndetja ende e buzëqeshur e ndërsjellë e dyqanxhinjve, dhe një shtytje për të kaluar nëpër të parën rrugë të ngushtë që do të paraqitet, pa ndonjë qëllim të veçantë, por qëllim që do ta zbulojë veten në formën e një peme të mirë, të vjetër dhe përplot hije, pozicion strategjik për kafenë e mëngjesit a të pasdites së vonshme, të pijes eventuale të paradrekes. Nën këtë pemë, në të hapur faqet e mesme të gazetës do të shoh kandidimin e Mirela Kumbaros për përkthimin më të mirë të vitit, me librin e Amin Zaoui, "Gosti gënjeshtrash" ("Dituria", Tiranë, 2009). Përkthim, nuk do mend i mirë i një mjeshtre të gjuhës, por, padyshim edhe përzgjedhje e mirë për botim të një shkrimtari algjerian, që dikund nga fundi i librit do të zbulojë përse-në e titullit me konstatimin se "Unë, si ju, nuk jam veçse një histori. Ne ekzistojmë vetëm nëpër histori, nëpërmjet historive dhe për historitë. Gosti gënjeshtrash!".

Dhe, me këtë formulim, do të përpiqet të përmbledhë dy rrëfime paralele, njëkohësisht tabu të botës arabe. Në njërin prek, në formë eksplicite, seksualitetin (të shpikur, real, ç‘rëndësi ka, do të thoshte rrëfimtari). Në tjetrin, imazhe të aty-këtushme të një ecejakeje të arabëve, zigzage, problematike, traumatike madje, prej kolonializmit në Islam politik.

Lëvizja e majtë, marksiste, që kishte triumfuar në periudhën antikolonialiste, po humbiste me humbjen e "reisit", prijësit të arabëve, gjeneralit Nasser. ("Raisi Nasser mbante kostum të ri, fjalim të ri dhe buzëqeshje të re: Sinanin e qau, Golanin e qau, gjithë çka mbetej nga Palestina, e rrëmbeu dhe e aneksoi ushtria izraelite"). Pas këtyre humbjeve, erdhi një valë tjetër interpretimi për arabët. "Thuhej se socializmi ishte një filozofi që ngrihej kundër Islamit: Marksi është çifut".

Të përqendruar në histori, rrëfimtari i Zaouit dhe bashkëkohësit a bashkëvendësit e tij do të izolohen edhe më tutje, duke përjetuar edhe shpalljen e një fatvaje kundër informatës se Neil Armstrong kishte shkelur në hënë.

3.

E, mund të ketë qenë një grishje, kur në Panairin e Librit të Prishtinës, pos një libri të falur, mora me të blerë, nga botuesja, një tjetër, atë të Haruki Murakamit, "E dashura ime Sputnik" ("Skanderbeg Books", Tiranë, 2008). Kishte kohë që do të doja të lexoja një të këtij autori, e kjo dëshirë u forcua kur në aeroportin e Bukureshtit, në të përfunduar Samiti i NATO-s, rrija në sallën VIP me një ish-ministër të Jashtëm, e në të marrë vesh se do ta prisnim avionin mbi një orë, nxorëm librat tanë respektivë. Ministri shikoi librin tim të trashë, një histori- e kush-e di-çkahit, ndjeu lehtësinë e librit të tij dhe, duke mos pritur pyetje me ton befasie nga unë, shpjegoi se e kishte lexuar tërë opusin e Murakamit, kishte krijuar një fascinim me të, e nëpërmjet të tij i ishte kthyer leximit të letërsisë, pas disa viteve të gjata leximi librash nga shkencat juridike, depeshet sekrete të konsujve dhe ambasadorëve të tij, fashikujt e shërbimit të zbulimit dhe përmbledhjet ditore të gazetave, që e prisnin në çdo mëngjes në zyrë dhe çdo mbrëmje në të shkuar në shtëpi.

"Kam filluar të zbuloj kënaqësinë e të lexuarit, e nëpërmjet tij, edhe të të jetuarit", më tha, në një zbërthim të thjeshtë, por intensiv, të sinqeritetit jokonvencional.

Në "Sputnikun", një rrëfim që duket si trekëndësh dashurie dhe si metaforë e gjatë e të zbuluarit njëkohësisht, në relacion të drejtpërdrejtë komunikimi me ministrin, është një rrëfimtare e Murakamit, një dashnore lesbike që zhduket në një ishull grek, e cila shkruan se "kur nuk e kuptoja diçka, i mblidhja fjalët e shpërndara në dysheme dhe i renditja në fjali" dhe "po të mos funksiononte as kjo, i shpërndaja prapë, i rivendosja sërish në mënyrë tjetër".

Si për ministrin, që të lexuarit ishte formë e të kuptuarit e jetës, ashtu edhe për këtë personazh, "tema ime e përkohshme këtu: në mënyrë të përditshme, unë e përdor shkrimin për të kuptuar kush jam".

4.

Në të filluar vera, e cila për mua do të thotë edhe ndërprerje e kësaj rubrike deri në shtator, rrugët e librit vazhdojnë të jenë të çuditshme. Një takim në Boston, një pemë në Gjirokastër, një avion i vonuar në Bukuresht - që të gjithë dikur shpënë në libër.

Lista e verës gjithnjë bëhet edhe më e gjatë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›