E Shtunë, 31 Tetor 2026

Historia e tre brezave të përkushtuar ndaj muzikës Ridvani dhe Henri

02/06/2009  Ata janë dy djem shkolle, thuajse dy çunakë, sepse njëri është në klasën e shtatë e tjetri në të tretën. Studiojnë në një shkollë muzike në Tiranë, por janë dy artistë të vërtetë. Quhen Ridvan dhe Henri. Janë vëllezër dhe që të vegjël fare e kanë bërë zgjedhjen e tyre. I pari ka zgjedhur pianon, i dyti violinën. Që herët jeta e tyre ka fituar një përmasë artistike. Por në këtë zgjedhje dëshirën ua ka zbuluar kryesisht gjyshi i tyre i dashur Xhevdet Shaqja, ish instrumentist dhe dirigjent i Orkestrës Simfonike Frymore të Ushtrisë.

Ata rriten përditë me muzikën. Muzika i dhuron njeriut një ndjeshmëri të madhe. E pasuron dhe e fisnikëron atë si qenie me ndërgjegje. Në të vërtetë muzika është zhvilluar dhe e ka shoqëruar gjithmonë njeriun ndër shekuj. Estetika muzikore vjen që nga lashtësia. Tregojnë se Sokrati, një prej mendjeve më të ndritura të njerëzimit, duke pritur në burg të zbatohej dënimi me vdekje, që një rastësi e vonoi, filloi të mësonte një vegël muzikore. Dhe kur e pyetën se përse e bënte këtë kur do ta linte së shpejti këtë jetë, u përgjigj : « Që të vdes me shpirt të bukur ». Harmonia, falë së cilës Ridvani dhe Henri kanë hyrë në botën e muzave, bëhet çdo ditë rregullatori më i përsosur i jetës së tyre. Ajo u jep ritëm dhe gjallëri. U jep shpresë dhe optimizëm zemrave të tyre të reja. Ajo i ushqen me ëndrra të mëdha.

Të përkundur me muzikë, ngaqë edhe i ati, Rolandi është instrumentist, kujtesa e tyre është shndërruar në një imazh muzikor. Xhevdeti, tregon se ata i kanë marrë veglat në duar që të vegjël. Sepse rriteshin në një atmosferë muzikore. Shtëpia ishte përherë një studio e vogël ku më shumë se çdo gjë tjetër, dëgjoheshin tingujt e muzikës. Tani në shtëpi një dhomë është e tyre. Aty ata kanë pianon dhe violinën, partiturat dhe librat e tjerë që i ushqejnë me dituri. Kur luajnë muzikë ata humben në botërat plot pentagrame e nota muzikore, në vende të largëta e të trishtuara. Muzika është bërë motori i tyre i jetës. Muzika u drejtohet të gjithëve dhe këtu qëndron bukuria e saj. « Muzika ndërton një rregull mes njeriut dhe kohës », thotë Stravinski. Kuptohet, kur janë duke u rënë veglave muzikore këta dy vogëlushë, shpesh herë zërat e fëmijëve që luajnë jashtë, bëhen tundim, por një vendim i heshtur i mban ata brenda me një orar të caktuar. Pa sakrifikim nuk ka fitore. Liria vjen kur e ke kryer detyrën ndaj vetes. Një detyrë e mbushur me dëshira dhe të ardhme.Ushtrimi i përditshëm që kërkon arti në përgjithësi dhe vegla muzikore në veçanti, është si ushqimi për organizmin. Sepse nuk mjafton vetëm talenti dhe dashuria për muzikën : duhet dhe vullnet për të punuar. Prandaj këta dy vogëlushë e kanë bërë pjesë të qenësishme të jetës së tyre punën me veglën muzikore. Kjo gjë, veç të tjerash është si një kthim i vërtetë te burimi kur gjyshi i tyre i vetëm, donte ta sfidonte botën.

Xhevdeti

Ndoshta për shkak të shpresës që ngjall, ndoshta sepse ajo është një përkushtim shpirtëror, ndoshta nga dëshira e zjarrtë për t’i dhënë një perspektivë të gëzuar, shpirtërore dhe harmonike jetës, ose ndoshta për të gjitha këto së bashku, ndodhi që Xhevdeti, pa patur asnjë shtysë të jashtme kërkoi që i vogël pianon. Ai tani e ka shndërruar shtëpinë e tij në një sallë leksionesh për muzikën, që shpesh bëhet sallë koncertesh për dy nipat, Henrin dhe Ridvanin. Por fillimisht ai ka qenë mësues për djemtë e tij : Rolandin dhe Erin.

Le ta fillojmë historinë që në krye të herës :

Rrjedh nga një familje e varfër, por e përmendur për mirësi dhe patriotizëm. Gjyshja ka qenë ndër vullnetaret e para, dhuruese gjaku. I ati i tij ka qenë partizan i hershëm, që në vitin ’42, me çetën e Dajtit. Mbeti invalid në Luftën II Botërore. Xhevdeti, në të vërtetë kaloi një fëmijëri të hidhur. Prindërit e tij u ndanë. Histori e trazuar. Ishte një çift që kishte thyer tabu : ishin martuar dy njerëz që kishin përzier racat. Një lidhje dashurie që nuk i rezistoi kohës, sepse shoqëria atëherë nuk ka qenë miqësore ndaj martesave te tilla. I ati e çoi Xhevdetin në shtëpinë e fëmijës, që gjashtë vjeç. Dhe kur hyri në lice pas një viti në klasën e parë, ai zgjodhi pianon. Kjo gjë është fantastike. Mbase ishte një pushtet lartësimi natyror i vetvetishëm që e dritësonte shpirtin e tij ! Duhet të përfytyrosh peizazhin muzikor të kohës e të vendosësh në mes shpirtin e një djali të vogël të magjepsur nga muzika. « Ishte diçka që ishte e lindur tek unë, se në familje nuk kemi patur ndonjë që merrej me muzikë. Kjo ide me jepte forcë dhe guxim », thotë.

Në lice ai shkëlqeu. Kurdoherë dilte i pari. U bë një djalosh ëndërrues dhe kurajoz. Sa herë që jepeshin koncerte me raste festash apo kur vinin delegacione nga demokracitë popullore, ai do të luante në piano. Robert Radoja, shok klase me të edhe sot kur e takon, i ringjallen kujtimet e asaj kohe kur e dëgjonin të gjithë me admirim. I binte pianos me virtuozitet. Ishte talent , të cilit i shtohej edhe entuziazëmi i moshës rinore. Dhe papritur në vitin e tretë ndodhi diçka që e futi në dëshpërim djalin e ri. Në një koncert para Nina Kuplinës, një artiste e madhe, këngëtare nga Azerbajxhani, ai u ra dy pjesëve : Marshi turk, nga Mozart dhe Napolitane nga Çajkovski. Këta tituj dhe këta emra ai nuk i harron kurrë. Luajti me aq ndjenjë dhe natyrshmëri, sa ajo u shpreh : « Bëjeni gati, do ta marr për ta bërë pianist të madh ». Por asgjë e tillë nuk ndodhi. Në vend të tij shkoi një tjetër. Djaloshi nuk mund t’i kishte rrugët të hapura. Ai ishte mulat. Rinia e tij po hijezohej. I mbushur me ankth, liceisti i ri që ishte betuar se asgje nuk do ta ndante nga muzika, e la shkollën. Pas një viti e morën ushtar. Edhe ushtar shkëlqeu, sepse ushtrinë e bëri në Bandën e Ushtrisë. Nuk ishte vetëm një djalë që vinte nga bangat e liceut, por ishte talent. Ta ndaloje të merrej me muzikë ishte njëlloj si t’i lidhje duart që luanin aq bukur në disa vegla. Dhe ai u përsos në saks. Kjo ishte edhe vegla kryesore e orkestrës frymore të Ushtrisë. Edhe aty pas disa kohësh u bë një konkurs, sepse erdhën tre bursa ushtarake për të studiuar jashtë, në konsevatoret më me përvojë të Europës. Ai konkuroi dhe fitoi, doli i pari. Por përsëri, për fat të keq nuk shkoi ai. Në vend të tij shkuan të tjerë, nga ata që kishin mbështetje e « hatër ». Kjo ishte një goditje e dytë që i la djalit një shije akoma më të hidhur. Tani ishte një dëshpërim edhe më i madh, se ishte në një moshë më të rritur, atëherë kur bota merr para syve kuptim dhe bëhet lëndë e në të cilën po u godite, vetja të ngjason i flakur tutje pa mëshirë. Pastaj i premtuan se do ta çonin në Konservator me bursë ushtarake. E mbajtën fjalën. Xhevdeti shkoi dhe e filloi jo me shumë zemër. Thyerjet e deritashme kishin lënë gjurmë të thella në shpirtin e tij. Dhe ishte vështirë ti kapërcente menjëherë. Ja, pra, ku ndodhi edhe i pafat. Në vitin e tretë u bë operacion shumë rëndë nga stomaku. Shkëputja e gjatë nuk e ktheu më në bangat e Konsevatorit. Dhe është e vetëkuptueshme se po të kishte patur përkrahjen e duhur si talent dhe interesim nga ata që drejtonin, do të ishte kthyer përsëri në shkollë. Sot në bisedë ai shpreh edhe një mendim tjetër, që i është krijuar në vite, që e ka përjetuar fort dikur: i dukej vetja një njeri pa perspektivë. Dy herë i rrëzuar keq, dy herë që padrejtësia kishte vepruar mbi të pa mëshirë kishin shkatërruar diçka në shpirtin e tij të brishtë. I ishte ngulitur në mendje se nuk ishte i mirëpritur në shoqëri. Kuptohet, njerëzit meskinë dhe ambiciozë në çdo kohë u bëhen pengesë talenteve. Në këto çaste dëshpërimi, Sanija, gruaja e tij e jetës iu bë shoqe, mike, motër, vëlla dhe i transmetoi tërë ngrohtësinë e humbur dhe të munguar. Në të njëjtën kohë që ai linte rininë si ëndërrimtar, kaloi tërësisht në mrekullinë intime. Familjes së tyre të re që u kishte ardhur në jetë një fëmijë, djalë, Rolandi, po i buzëqeshte jeta me bukurinë hyjnore të foshnjës. Vogëlushi me praninë e vet dhe me kureshtjen per veglat muzikore, do t’ia shëronte dalngadalë dëshpërimin. Ky është një kujtim i ndritur për Xhevdetin.

Sanija

Bijë e familjes së famshme muzikore Lela me origjinë nga Përmeti, ajo e kuptoi Xhevdetin dhe iu bë mbështetje që në fillim. Nuk ishte thjesht dashuria, por ajo kishte ndjenja artisti. Ajo edhe vetë është artiste. Ishte fare e re kur mori pjesë në konkurs për piktore në Fabrikën e Qelqit në Tiranë dhe fitoi. Puna e saj dallohej për vijën e qartë dhe të pastër. Ajo punoi atje si piktore derisa doli në pension. Madje atje u bë edhe invalide. Puna me qelqin ka qenë dhe është e vështirë. Edhe Xhevdeti e njeh mirë atë vend, sepse bënte përgatitjet për koncertet e majit. Sanija ka qenë soliste e grupit artistik të ndërmarrjes. Këngën ajo e kishte trashëgimi familjare. Edhe këngëtarja e shquar Eda Zari është vajza e vëllait të saj. Po ashtu edhe këngëtarë të tjerë. I ati i Sanos ka qenë muziktar i lirë. Ai luante muzikë të kulluar qytetare. I binte llautës dhe këndonte. Këndonte këngë burimore. Sa u hap Radiotirana, ai krijoi sazet e mrekullueshme shqiptare. Thuajse të gjithëve na kujtohen sazet popullore që dëgjonim kur prindërit tanë e hapnin radion me zë të ulët mëngjeseve, në vitet ’60, ndërsa bëheshin gati për të shkuar në punë. Dhe ne përkundeshim në ato melodi që kishin brenda trishtim, gëzim, nostalgji. Vëllezërit e saj qenë talente të lindur për muzikë që të vegjël. Dhe i ati u kujdes që ata të mësonin nga një vegël muzikore. Të mësonin në mënyrë të atillë që ta shndërronin atë në mjeshtëri jete. Dhe shumë shpejt ata krijuan një orkestër : klarinetë, violinë, llautë, fizarmonikë dhe def. Te filmi « Koncert në vitin ‘36 », njëri nga vëllezërit Lela, - kështu kanë hyrë ata në historinë e muzikës popullore,- i bie klarinetës në mënyrë aq të përsosur, sa shumë vetë në atë kohë e rishihnin filmin të dëgjonin edhe njëherë atë lojë virtuoze. Kurse melodia me llautë është inçizim i babait të Sanijes. Pra ajo u rrit mes tingujve të muzikës. Edhe Sanija është mulate. I ati dhe e ëma e saj i kanë përzier racat. Ajo është një grua vërtet e bukur, bukuri natyrore metise. Por ajo ka një bukuri të rrallë shpirtërore që është bukuria e vërtetë e njeriut. Eshtë e çiltër, e hapur dhe shumë miqësore. « Unë nuk e kam ditur gjer vonë se isha e tillë», thotë. Babai është treguar i kujdesshëm. Por në Përmet ku jetoi ai në rininë e vet, historikisht nuk ka patur ngjarje lënduese raciste. Ata kanë qenë plotësisht të integruar me jetën qytetare brez pas brezi. Ajo mban mend vetëm këngën dhe natyrën e gëzuar të tij. Sa herë e ka shoqëruar të atin në këngë ! Nga ajo e trashëgoi zërin djali i tyre i dytë Eri dhe qe ajo që nguli këmbë ta çonin në lice për kanto.

Rolandi dhe Eri

Djali i madh, Rolandi, fëmija i parë i Xhevdetit dhe Sanijes, i ati i Ridvanit dhe Henrit, sot është instrumentist në Orkestrën Simfonike Frymore të Ushtrisë. Kur konkuroi për atë vend pune, ishte përgatitur për një kohë të gjatë. Xhevdeti kishte punuar me të si mjeshtri që i jep mësim nxënësit, me idenë fisnike që ta bëjë atë më të mirë se veten. Ai e kishte kuptuar se djali kishte vesh muzike dhe i vuri detyrë vetes që ta shoqëronte në rrugën e vështirë, por të bukur të artit. Fillimisht e futi në një shkollë muzike ku bëri disa vjet violinë dhe pastaj në lice. Kanë qenë vite të një pune të madhe. Kur u vendos për të konkuruar për bandë, duke qenë edhe vetë në Orkestrën e Ushtrisë, Xhevdeti kërkoi për të birin një komision të jashtëm. Kishte dëshirë që ta kuptonin të gjithë se e meritonte dhe nuk ishte prania e tij që i jepte dafinat e fitores. I përgatitur në lice për teoritikë dhe zotërues i disa veglave muzikore, e sidomos i saksit, me stazh ushtari në bandën e ushtrisë, Rolandi doli i shkëlqyer. Ai u pranua në orkestër për hir të talentit. Tani Landi i bën të gjitha : luan muzikë, përpunon, orkestron, drejton, shkruan. Por nuk flet shumë për veten. Eshtë edhe pjesëtar i një fanfare të vogël që ushtron veprimtari muzikore brenda dhe jashtë vendit. Me siguri ai ndihet i kënaqur që dy djemtë e tij, i janë futur rrugës së muzikës, duke vazhduar kështu një traditë muzikore që po kthehet në sagë familjare. Dhe kuptohet këtu roli i Xhevdetit është i madh.

Pastaj djali i dytë, Eri që tani është emigrant në Hollandë, jep mësim muzike në një shkollë të Roterdamit. Ai është integruar plotësisht në jetën hollandeze dhe mbrëmjeve merret edhe me veprimtari të mirëfilltë muzikore në diskotekë. Eri ka patur zë muzikor që i vogël, kështu që kënga është pjesë e identitetit të tij. Por veprimtarinë e mirëfilltë muzikore si këngëtar atij i takoi që ta zhvillonte më shumë në Hollandë dhe në botë, sepse iu desh të emigronte herët. Eri ka mbaruar në Shqipëri liceun për kanto dhe Institutin e Lartë pedagogjik, dy mjeshtëri që lidhen në mënyrë të harmonishme : talenti për muzikë si dhe aftësia për mësimdhënie.

Në vitin 2000 ai u ngjit në skenën kryesore muzikore të Roterdamit, i përzgjedhur mes 35 artistëve të tjerë. Fama e tij shkoi gjer te organizuesi i Festivalit të Amsterdamit dhe djaloshi shqiptar mori pjesë më 2002 dhe fitoi Çmimin e Dytë. Një karrierë artistike që e ngriti kaq lart në mënyrë të natyrshme, ishte për të si një ëndërr. Admiruesit e Festivalit « Kënga magjike » e kanë ndjekur me interes interpretimin e tij 1992 apo më 2003 në Tiranë. Kënga është shumë e rëndësishme për të dhe këtë e tregon çdo hap i ri që hedh ai në muzikë.

Tashmë Eri ka fituar qytetarinë hollandeze dhe këndon këngë të vendit, këngë angleze, por edhe ndonjë këngë shqiptare kur duhet të shprehë identitetin e vet. Ai ka edhe një grup muzikor këngëtarësh dhe valltarësh që e shoqërojnë. Fakti se ai ka fituar Çmim të Dytë në një Festival Kombëtar hollandez dhe këndon i lirë, dëshmon sesa e emancipuar është shoqëria e një vendi që i jep njeriut vlerat e tij, duke e quajtur qytetar të saj, pa as më të voglin paragjykim se vjen nga Shqipëria. Dhe Shqipëria është një vend i pazhvilluar për botën perëndimore, sado që na dhemb shpirti kur e themi. Vlerësimi i Erit në Hollandë shpreh qartë edhe idenë se popujt janë një familje e madhe që i bashkon gjaku. Përditë e më shumë po luftohet për qëllime të larta ku njeriu më së fundi do ta quajë veten qytetar të botës.

Intermexo

astet kur Ridvani dhe Henri marrin në duar veglat muzikore janë çaste emocionesh të fuqishme. Dhoma e pianos shndërrohet në skenë. Çfarë gjendet përa syve të tyre ëndërrues, paksa melankolikë nga tingujt që bartin në vetvete dhimbje dhe gëzim ? Çfarë fshihet pas kujtimeve të vogla që do të madhohen me kalimin e viteve ? Deri në ç’pikë ekzistenca e tyre do të marrë formë dhe emër në këtë botë, që bëhet e tejdukshme dhe e ngrohtë nën tingujt e muzikës ? Duart e tyre luajnë. Shpirtrat e tyre vibrojnë. Kur bëhen bashkë, Ridvani dhe Henri u bien pjesëve për piano dhe violinë, sidomos sonatave. Ata janë të vegjël dhe shpërndajnë aq dritë të kulluar me shpirtrat e tyre. Qëllimi i nisjes së këtij udhëtimi të gjatë muzikor është në të vërtetë një ëndërr e bukur. Madhështore si e vërteta. Nuk ka pozë dhe përpjekje për t’u dukur, por njëlloj ndriçimi, një thirrje të brendshme, të kthyer në realitet me durim e dhembshuri. Ata kur luajnë e kanë vështrimin të përqendruar. Nuk mund ta thonë se ku. Por është një shtjellë e bardhë që duhet kapërcyer.

Ridvani që është më i rritur është edhe më i sigurtë. Ai mbështetet në dy gjëra që janë të rëndësishme : shkolla dhe muzika. Dy veprimtari që ndonjëherë e përjashtojnë njëra-tjetrën, por që ai ka arritur t’i pajtojë, duke u kushtuar të dyjave kohën e duhur dhe duke i hyrë në pjesë kohës së lirë. Eshtë edhe çështje ritmi. Tekstet muzikore u bashkohen mësimeve. Ata dëgjojnë melodi edhe kur janë duke bërë detyrat e shtëpisë, apo lexojnë gjuhën apo fizikën. Programi i përgatitjes së tyre ka një strukturë muzikore dhe kështu krijohet një lidhje e brendshme. Këtë e thonë edhe pjesa më e madhe e studimeve psikanalitike për veprimtarinë muzikore.

Vazhdim i historisë

Xhevdeti edhe sot çuditet me vullnetin e tij të dikurshëm. Në zemrën e tij ka fryrë përherë era e optimizmit. Ai kujton se kur u kthye në punë pas operacionit, i vuri detyrë vetes që ato dije muzikore që kishte marrë në lice dhe në ato tre vjet të Konsevatorit t’i shfrytëzonte, si të thuash, t’i vinte në përdorim. Mësoi të orkestronte e të drejtonte vetë. Vepra të shumta nga Mozart, Bethoveen, Rosini, Belini, Vivaldi, Çajkovski, Zadeja, Zoraqi e të tjerë. Ai kujton sesi doli atëherë nga errësia ku e kishte hedhur vetmia e tij krenare. Gëzimi, hidhërimi, dëshpërimi, ndjenjat e ëmbla, triumfi, të gjitha shpërthenin papritmas. Shprehje muzikore, fragmente shprehjesh muzikore dhe fraza të shkëputura, që edhe s’kishin lidhje me njëra-tjetrën, vërtiteshin në mendjen e tij. Në këtë kohë ai shkroi shumë muzikë, kompozoi, orkestroi, drejtoi. Edhe sot i ngjallen emocione nga momentet e frymëzuara që kaloi kur kompozoi një marsh legjendar me titull « Nëntor i lavdisë ». Nëntori ka një kuptim të veçantë për Shqipërinë. Në nëntor 1912 është shpallur Pavarësia, i cila mbahet si një akt historik nga më vendimtarët që e shpëtoi këtë copë truall nga copëtimi i mëtejshëm dhe nga zhdukja. Dhe në nëntor 1944 është çliruar Shqipëria nga pushtuesit nazi-fashistë dhe nga bashkëpunëtorët e tyre vendas, duke e radhitur vendin ton< në krahun e forcave fitimtare të Luftës së Dytë Botërore. Ky ishte vizioni që e frymëzoi Xhevdetin atëherë.

Ata që ishin artistë të vërtetë e përkrahën dhe e vlerësuan shumë. Ai ka mallëngjim për ato vite të mbushura me punë, që dalngadalë ia shuan gjurmët e hidhërimeve. Dhimbja e heshtur nuk e çoi kurrë në zemërim. Ai gjithmonë e ka ditur se me muzikë duhet të ngjallet shpresa te shpirtrat njerëzorë. Mes shumë të tjerëve në bandën e ushtrisë, ai kujton disa emra të nderuar që iu bënë mbështetje si Kristaq Pandu, Selman Shtishi, Sotiraq Nimali e ndonj< tjet

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›