Udhëzues i shkurtër por i dobishëm i mosbindjes

Për ta bërë një revolucion duhen dy gjëra: dikush a diçka kundër të cilit duhet revoltuar dhe dikush që të paraqitet dhe ta bëjë revolucionin. Zakonisht vishet në mënyrë shumë joformale dhe palët në kauzë janë tepër fleksibile në përcaktimin e vendit dhe orës, por, po qe se asnjëra nga palët nuk bëhet e gjallë, ndërmarrja përfundon keq. Në revolucionin kinez të vitit 1650 asnjëra nga të dy palët nuk u bë e gjallë dhe kështu e humbën parapagimin për sallën.
Quhen “shtypës” personat ose partitë kundër të cilave revoltohet dhe njihen fare lehtë, ngase janë të vetmit që argëtohen në mënyrë të hapur. “Shtypësit” përgjithësisht bartin komplete tym të Londrës, posedojnë terrene dhe e mbajnë radion me zërin deri në skaj natën, pa guxuar të tjerët të protestojnë. Detyra e tyre është të mbajnë status quo-në, një gjendje ku e tëra mbetet e njëjtë, edhe pse në të vërtetë janë të gatshëm ta japin një dorë të bardhë një herë në dy vite.
Kur “shtypësit” bëhen tepër të rreptë, kemi atë që quhet shtet policor, ku është i ndaluar çdo mospajtim, si zgërdhimja, bartja e një kravate flutur apo t’i thuhet kryetarit të komunës “Barkmadh”. Liritë civile janë shumë të reduktuara në një shtet policor dhe nuk ekziston liria e fjalës, edhe pse është e lejuar të dublohet një këngë në play-back.
Grupet që revoltohen quhen të “shtypur” dhe përgjithësisht grumbullohen duke gjëmuar dhe duke u ankuar për migrenë (duhet të bëjmë të ditur se nuk bën vaki kurrë që të shtypurit të revoltohen apo të kërkojnë të bëhen shtypës, ngase kjo do të çonte në ndërrimin e të brendshmeve).
Ca shembuj të revolucioneve të famshme:
Revolucioni francez, në të cilin fshatarët morën pushtetin me forcë dhe menjëherë i ndërruan bravat e pallatit për t’i penguar fisnikët të hyjnë përsëri. Pastaj bënë një festë të madhe dhe u dendën se ngrëni. Kur më në fund fisnikët e rimorën pallatin, u desh të bënin një pastrim gjeneral dhe gjetën shumë njolla e djegie cigaresh.
Revolucioni rus, që klloçiste prej vitesh dhe pa pritur e pa kujtuar shpërtheu kur gleba më në fund e kuptoi se Czar-i dhe Tzar-i ishin personi i njëjtë.
Duhet të vihet re se me t’u bërë një herë revolucioni, të “shtypurit” shpesh marrin frerët në duar dhe fillojnë të sillen si “shtypësit”. Natyrisht, nga ai moment nuk mund t’i marrësh më në telefon e sa iu përket parave të imta që ua keni huazuar gjatë revolucionit, është më mirë të mos kërkoni t’jua kthejnë.
Format e mosbindjes civile:
Greva e urisë. Të shtypurit qëndrojnë pa ngrënë derisa nuk plotësohen kërkesat e tyre. Politikanët tinëzar do të lënë pranë dorës së tyre biskota ose ndoshta djathë parmixhan, ama duhet të rezistohet. Nëse partia në pushtet ia del mbanë ta bëjë të hajë grevistin, zakonisht ia del ta ngufasë kryengritjen pa shumë vështirësi. Nëse ia del jo vetëm ta bëjë të hajë po edhe t’ia paguajë llogarinë, ka fituar.
Në Pakistan një grevë urie dështoi kur qeveria ofroi pjekje të shkëlqyeshme të viçit Gordon Blue, që masës i duken tepër të mira që të mund të refuzohen, por këto pjata prej qejflie të kuzhinës janë të rralla.
Problemi i grevës së urisë është se pas disa ditësh vjen në uri tepër e madhe, posaçërisht nëse përreth qarkullojnë makina me altoparlantë që transmetojnë: “Uhm... sa pulë e shijshme! Uhm, edhe pak bizele bre... Uhm...”.
Një formë e modifikuar e grevës së urisë, për ata që nuk kanë bindje politike tepër radikale, do të mund të ishte heqja dorë nga turshitë. Ky gjest i vockël, po qe se përdoret në momentin e duhur, mund të ketë një ndikim enorm mbi qeverinë.
Greva e bardhë. Drejtohuni për në vendin e treguar dhe pastaj uluni, por me prapanicën për toke. Përndryshe jeni sall të kruspullosur, një pozicion që nuk nënkupton kurrfarë animi politik, përveç nëse as qeveria nuk është e kruspullosur (gjë që bën vaki rrallë, edhe pse qeveria nganjëherë struket kur bën ftohtë). Hileja qëndron në atë që të qëndrohet ulur derisa nuk është fituar ajo që është kërkuar, por, si në grevën e urisë, qeveria do të përpiqet të zbatojë metoda hileqare për ta ngritur në këmbë grevistin. Për shembull, do të mund të thoshte: “Okay; që të gjithë në këmbë, po e mbyllim”. Apo: “A do të mund të çoheshe një moment se duam të shohim sa je i gjatë?”.
Manifestimet dhe sfilatat. Kusht i domosdoshëm i një manifestimi është se duhet të shihet. Për këtë edhe quhet “manifestim”. Po qe se një person manifeston në mënyrë private, në shtëpi, jo sall që nuk mund të flitet teknikisht për një manifestim, por bëhet fjalë për një “qëndrim oportunist” ose një “të sillesh si idiot”.
Një shembull i mirë i manifestimit qe Boston Tea Party gjatë të cilës amerikanët e fyer u maskuan si lëkurëkuq dhe e hodhën çajin anglez në det. Më vonë, lëkurëkuqtë e maskuar si amerikanë të fyer i hodhën në det anglezët e vërtetë. Pra, anglezët, të maskuar si çaj, u hodhën në det. Më në fund, mercenarët gjermanë, veshur sall me kostume të Troiane, u hodhën në det pa kurrfarë arsyeje.
Kur manifestohet është mirë të bartet një pankartë që deklarohet pozicioni personal. Disa sugjerime rreth pozicioneve: reduktim i taksave, shtim i taksave, etj.
Shënim:
Teksti është botuar për herë të parë në The New York Times; 15 qershor 1972. Marrë nga botimi italisht: Woody Allen, Citarsi addosso, Bompiani, 1976.
Përktheu: A. Idrizi