E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbërrijnë në Shqipëri vajzat e Miss Globe

 

Më 14 tetor mbërriti bukuroshja e parë në Shqipëri, e këto ditë, ato janë të gjitha bashkë. Është 51 numri i vajzave që do të marrin pjesë në edicionin e radhës së “Miss Globe International”, i cili sërish zhvillohet në Shqipëri. Konkursi, i cili organizohet nga “Deliart Association”, do të zhvillohet në datën 1 nëntor në Pallatin e Sportit të Durrësit. Nuk ka qenë e lehtë për vajzat të vijnë në Shqipëri. Ndryshimi i rregullave për shkeljen e tokës shqiptare ka ndikuar që për disa vende të Amerikës Latine, apo të Lindjes së Largët pajisja me viza të ishte problematike. U është dashur fillimisht të marrin një vizë për një nga vendet “Schengen”, ku Shqipëria ka përfaqësi diplomatike e më pas për t’u paraqitur në ambasadat shqiptare. Dhe kjo jo gjithmonë ka qenë mision i mundur. Kjo ishte arsyeja pse 5 nga vajzat që kishin konfirmuar pjesëmarrjen nuk mund të jenë të pranishme në garë. Gjithsesi, gara vazhdon. Deri në ditën e madhe, vajzat kanë nisur një tur të gjatë nëpër Shqipëri, i cili ka filluar në Himarë e që do të vazhdojë deri në Kosovë. Pas Himarës bukuroshet kanë ndalur në Vlorë. Pasi të shijojnë bregdetin dhe qytetet e bukura që shtrihen përgjatë tij, turi i “Miss Globe International” do të vazhdojë në Veri, për t’u ndalur fillimisht në qytetin e Shkodrës. Më pas axhenda është e përcaktuar për të vazhduar drejt Kosovës. “Miss Globe International” organizohet nën kujdesin e veçantë të kryetares së Kuvendit, Zj. Jozefina Topalli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›