E Diel, 1 Nëntor 2026

Hit Muzika

11/02/2005  Çako&Gjebrea, gara e CD

Përballë njëri-tjetrit asnjëherë nuk janë vënë në garë, konkurrencë. Ndoshta, mund të jetë dhe ndjesi e brendshme. Por “fati” i parashikuar në tregun muzikor i çon dy këngëtarët e muzikës së lehtë, Ardit Gjebrean dhe Piro Çakon në top listën e më të shiturve të muzikës shqiptare. Në tregun muzikor, megjithëse Gjebrea me albumin “Ja ku jam” ka më se një vit që tundon blerësit me ritmet e përziera greko-shqiptare, sërish kërkohet si në muajin e parë të suksesit.

Por karshi tij, me befasi krejt të ndryshme, me një farë ndrojtje, nëse do t’ia dalë të bëjë për vete, publikun shqiptar, për herë të parë Piro Çako kthehet te vetvetja, në kërkim të muzikës me albumin “Herët a vonë”, të përgatitur nga shtëpia diskografike “Eurostar”.

Por ka goditur në shenjë. Në tregun e muzikës, Çako shënon shifra rekord të shitjeve të CD-së. Në “bazë rekord” shitësit të thonë se ka qenë po aq i kërkuar sa edhe Gjebrea, pa mëdyshje nuk mund të veçojnë asnjë prej tyre.

Por “binjakëzimi” i garës së CD-ve ka ndodhur dhe te grupmoshat që i preferojnë këta dy këngëtarë.

Për herë të parë arrihet të evidentohet nga shitësit e CD-ve, duke u shprehur me habi, se mosha që ka treguar më tepër vëmendje kanë qenë 30-vjeçarët.

Pas këtyre dy këngëtarëve, Aleksandër Gjoka zhduk “frikën” e harresës prej publikut, kur para dy muajve nxori albumin “I verbër nën diell”, produksion i “Top Albanias”. Por suksesi i ka takuar vetëm ditëve të para të daljes në treg të albumit. Të njëjtat nivele ruan dhe kantautori Redon Makashi, që akoma nuk ka mbushur vitin nga dalja e albumit. Megjithëse ka namin e djalit të brishtë, me shpresën se do të tërhiqet mjaft në treg për natyrën e këngëve të tij, shitësit e dyqaneve të prodhimeve diskografike, thonë se CD-të kanë mbetur në shifra jo fort të dëshirueshme për nga preferencat. Ndërsa janë bërë stoqe CD dhe mjaft këngëtarë të tjerë, që realisht në skenën e festivaleve janë pëlqyer mjaft. Mariza Ikonomi me “Mysafiri i mallkuar”, Anita Take me “Më do apo s’më do”, Aurela Gaçe me “Tundu bejkë e bardhë tundu”, kanë mbetur të pashitur, duke u sfiduar nga muzika e huaj dhe sidomos nga prodhimet “Renx” të “Top Festit”, muzika e të rinjve që promovohet në një program të veçantë në “Top Albania”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›