E Hënë, 2 Nëntor 2026

Mbyllet “Darfo”, 120 punëtorë në rrugë

11/02/2005  Dështon importi privat i energjisë, operatori i transmetimit nuk përcjell energjinë

Uzina e Ferrokromit në Burrel ka ndërprerë sërish aktivitetin, duke nxjerrë pa punë rreth 120 punonjës. Kjo ndodh pikërisht në momentin kur “Darfo” sapo ka marrë një licensë për import energjie nga ERE-ja, por duket se kjo nuk i ka hyrë fare në punë. Operatori i transmetimit nuk i ka mundësuar importin e energjisë nga jashtë, duke e lënë “Darfon” sërish klient të KESH-it dhe të tarifave që KESH-i ka për biznesin privat. Sindikalistët e “Darfo”-s i kanë adresuar akuzat drejt qeverisë, e cila vetëm zyrtarisht ka filluar liberalizimin e tregut të energjisë, por de fakto nuk ka krijuar asnjë mundësi. “Anarshia ligjore për liberalizimin e tregut të energjisë duket se po i jep frytet negative”, ka bërë të ditur kreu i Sindikatës, Kol Nikollaj. Akuzat e “Darfo”-s për mosfunksionimin e sistemit të transmetimit, i janë adresuar jo vetëm operatorit të transmetimit, që, aktualisht është i ndarë nga KESH-i, por dhe vetë kompanisë elektroenergjetike. Sipas punonjësve, fajtor për këtë gjendje është mospërgatitja e infrastrukturës dhe e kapaciteteve thithëse e transmetuese të energjisë, që e bën të pavlefshme licensën e lëshuar nga ERE-ja. Ndërkaq, duket se qeveria jo vetëm nuk i ka krijuar lehtësirat e nevojshme ndërmarrjeve të dhëna me koncension për të vazhduar aktivitetin, por dhe nuk u kthen paratë që u ka borxh. “Qeveria nuk i lëvron kompanisë 4 milionë euro nga TVSH-ja dhe, kjo bën që të mos kërkojë llogari për investimet që duhet të bënte ajo në ndërmarrjen e marrë me koncension”, kanë bërë të njohur punonjësit e “Darfo”-s. Kështu, pas tri ditësh pezullim të aktivitetit, Sindikata ka bërë të njohur problemin në të gjithë institucionet qeveritare, nga Kryeministri deri te ministri i Energjetikës dhe i Financës, duke pritur një përgjigje prej tyre. “Në të kundërt, reaksioni i protestës do të jetë zinxhir në Burrel, Bulqizë Elbasan dhe në të gjithë Shqipërinë”, ka deklaruar sindikata e punonjësve të kompanisë “Darfo”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›