E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komiteti i FSHF, te henen gati ndryshimet e fundit

Komiteti ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit pritet që ditën e hënë të zhvillojë mbledhjen e radhës për të miratuar ndryshimet e fundit në rregulloret e aktivitetit. Lajmi është pohuar dje nga zëdhënësi i shtypit i FSHF së. Sipas Nurishmit, mbledhja e komitetit ekzekutiv është menduar të zhvillohet ditën e hënë ose të martë. Në rendin e ditës komiteti ka për të diskutuar shumë probleme. Në radhë të parë, komiteti do të kalojë ndryshimet e fundit në rregulloret e aktivitetit. Janë shumë ndryshime teknike që do të kapërcehen nga komiteti. Sektori i garave ka paraqitur propozimet për ndryshime në rregullore, ndërkohë që komiteti do t'i miratojë ato. Një tjetër pikë që do të diskutohet gjatë janë edhe stadiumet e kategorisë superiore. Komisioni i terreneve pritet që shumë shpejt të paraqesë një rezyme të qartë të gjendjes së stadiumeve. Ndërkohë, komiteti do të vendosë nëse nëse stadiumet e kategorisë superiore do të kalojnë klasën apo do të ketë skuadra që do t'i luajnë në transfertë ndeshjet e para të kampionatit. Një pikë tjetër e komitetit pritet të jetë edhe garancia bankare. Akoma nuk është saktësuar përfundimisht se cili është versioni i saktë i garancisë bankare. Pra që presidentët e klubeve do të bllokojnë para në bankë apo jo, apo klubet do t'i sigurojnë ekipet në një shoqëri sigurimesh, e cila në rast falimentimi do të përgjigjet për rrogat e lojtarëve. Komiteti gjithashtu duhet urgjentisht të ndryshojë vendimin për pezullimin e lojtarëve me dy kartonë të verdhë. Të gjithë trajnerët e kategorisë superiore, me në krye Shulzen e Vllaznisë, janë kundër pezullimit të lojtarëve me dy të verdha. Kjo do të thotë shkatërrim për ekipet, të cilat në asnjë javë nuk do të jenë të plota. Pra, komiteti duhet ta shohë me kujdes cështjen e kartonëve të verdhë. Më mirë lojtarët të ndëshkohen nga ana financiare sesa të pezullohen me dy kartonë të verdhë. Nëse kjo ndodh, atëherë është e sigurt që në ndeshjet e kampionatit numri i të pezulluarëve do të jetë i pafund.
Olsi Avdiaj

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›