E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hitcfeld: Bajerni duhet të luajnë sikur të ishte në Premier Ligë

Albania-Sport - Ndryshimi në drejtimin e Bajernit të Mynihut, ku Feliks Magathin e larguar, e zëvendësoi trajneri me përvojë, Otmar Hitcfeld, në një moment të vështirë të skuadrës bavareze, u kushtëzua nga rezultatet negative, ku jo vetëm titulli "kampion" u vu në diskutim, por, më e rëndësishmja, rrezikohet dhe pjesëmarrja në Ligen e Kampioneve për sezonin e ardhshëm. Kjo duket dhe detyra e vështirë me të cilën përballet Hitcfeld, i cili mendon se "stili i lojës në Premier Ligën angleze është shembulli më i mirë për Bajernin e Mynihut", nëse mendon që të rikthehet në sfidën per titullin "kampion" në Bundesligë.
Hitzfeld erdhi në drejtimin e pankinës së Bajernit të Mynihut vetëm pak ditë më parë, si njeriu që drejtoi me shumë sukses skuadrën bavareze gjatë gjashtë vjetëve, 1998-2004, ku kulmi ishte triumfi në Ligën e Kampioneve, në vitin 2001. "Ne kemi dhe duhet të arrijmë te synimi ynë i madh, - pohoi Hitcfeld në nje intervistë dhënë për "Sport Bild". - Premier Liga angleze duhet të jetë një shembull për ne. Një temp i lartë loje, me shumë lëvizje dhe saktësi në pasime. Kjo është ajo për të cilën ka nevoje Bajerni i Mynihut."
Në punën e këtyre ditëve, Hitcfeldi ka zbuluar dëshirën e tij, që skuadra bavareze të luajë me një mbrojtje të lartë në linje, si kushti për ta bërë Bajernin e Mynihut më funksional, më unik. "Ne kemi nevojë që të jemi kompakt, - shpjegoi Hitcfeldi. Rruga e lojës sonë, mbështetur në pasimin në lëvizje duhet të perfeksionohet". Ndihmësi i "përjetshëm" i Hitcfeldit, Henke ka kaluar një pjese të mire të kohës në Londër, ku ka vëzhguar punën e Arsen Vengerit te Arsenali. Për Henken, skuadra e Arsenalit është shembulli për të ndërtuar një lojë krijuese përmes pasimit të shpejtë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›