Hito Hitaj: Futbolli shqiptar s’ka nivel

Vetëm gjashtë skuadra të Superligës treguan se dinë të luajnë futboll. Është ky mendimi i dy përfaqësuesve të Sektorit të garave Hito Hitaj dhe Sulejman Mema. "Gjashtë skuadra bënë dicka më shumë për futbollin shqiptar në sezonin që sapo mbaroi", - u shpreh Hitaj duke shtuar "Këto ekipe janë ato që u renditën në gjashtëshen e parë, ndërsa skuadrat e tjera thjesht zbatuan kalendarin futbollistik, duke mos i sjellë asgjë pozitive dhe të re kampionatit shqiptar". Në ndeshjet e fundit për eliminatoret e Kampionatit Evropian 2008, pjesë e kombëtares shqiptare të futbollit ishin edhe futbollistët, të cilët aktivizohen me skuadrat elitare të Superligës. Në programin e hartuar nga Sektori i Garave, një nga problemet kryesore për të cilin duhet punuar, është pikërisht rritja e nivelit të futbollit në Shqipëri. Vetëm skema e kampionatit ka funksionuar mirë dhe do të propozohet që të vazhdojë të qëndrojë e tillë edhe për disa sezone të tjera, edhe pse nuk është zgjidhja më e mirë e mundshme. Pra, 12 skuadra pjesëmarrëse dhe kampionati do të vazhdojë të zhvillohet në tri faza. "Sektori i Garave mendon se dhe për disa sezone Liga Superiore duhet të jetë me dymbëdhjetë skuadra dhe të ketë tri faza", - tha Hitaj. " Kjo nuk është zgjidhja më e mirë, por më e mira e mundshme për momentin".
Si një nga masat, që do të propozohen për të ndihmuar në rritjen e nivelit të futbollit në Shqipëri, është edhe pakësimi i lojtarëve të huaj, të cilët do të aktivizohen me skuadrat vendase. Sipas Hitajt, duhet bërë limitizimi i tyre, në mënyrë që t'u jepet hapësirë futbollistëve më të rinj shqiptarë, të cilët do të jenë e ardhmja e vendit. "Duhet të bëhet limitizimi për lojtarët e huaj në skuadrat tona. Duhet të kemi edhe ne si gjithë federatat e tjera të Evropës një numër limit të aktivizimit të tyre", - tha shefi i Sektorit të Garave. Nëse do të ulet numri i lojtarëve të huaj, të cilët do të aktivizohen me skuadrat vendase, të rinjtë e talentuar do të kenë më shumë mundësi të tregojnë veten e tyre. Kjo do të bëjë që ata të rriten profesionalisht dhe në një të ardhme, të kontribuojnë në rritjen e futbollit shqiptar. Vitet e fundit numri i futbollistëve të huaj në Shqipëri është rritur së tepërmi. Megjithatë, përvecse famës, për nivelin e futbollit nga ata vijnë, përvec disa rasteve, nuk kanë treguar ndonjë profesionalizëm të madh. Numri më i madh i lojtarëve vjen nga kontinenti afrikan, megjithatë edhe nga Amerika Latine dhe Ballkani nuk kanë munguar. Vende të tjera të Evropës, të cilat kanë një futboll të zhvilluar, kanë filluar prej kohësh që të aplikojnë këtë mënyrë të vepruari. Një nga propozimet e tjera që do t'i paraqiten Komisionit Ekzekutiv është edhe ndryshimi i numrit të skuadrave që do të bien nga kategoria.