E Hënë, 2 Nëntor 2026

Interi, “Gjykatësi” i titulit

19/04/2005  Skuadra zikaltër do të ndeshet nesër me Juventusin dhe mund të vendosë shumë në luftën për titull

Pa u mbylluar akoma diskutimet mbi “rënien” e Milanit në Siena dhe shkëputjen e lehtë të Juventusit, vëmendja është spostuar menjëherë te java e 32-të e kampionatit, që do të zhvillohet nesër në mbrëmje. Takimi që tërheq më shumë vëmendjen, zhvillohet në Torino, ku Juventusi kryesues do të presë Interin, që në këtë kampionat është mundur vetëm nga Milani. Pas eliminimit nga Liga e Kampioneve, kampionati dhe Kupa e Italisë mbeten “varka e shpëtimit” për këtë Inter, që duhet të realizojë një mbyllje të bukur të sezonit, për të hedhur bazat e sezonit të ardhshëm, por edhe për të evitur “revolucionin” e radhës nga ana e presidentit Morati. Reagimi i shfaqur kundër Kaljarit është një sinjal i rëndësishëm, sepse rreziku i një kapitullimi përfundimtar pas dështimit dhe polemikave të derbit ishte mëse i pranishëm. Megjithatë, skuadra zikaltër luajti mjaft mirë dhe tregoi se ka dëshirë për të treguar se ka akoma për t’i dhënë këtij sezoni. Tani e ka radhën Juventusi, një nga provat më të vështira të sezonit, ku duhet parë nëse Interi do të arrijë të ruajë pathyeshmërinë e saj larg Milanos këtë sezon. Deri tani, gjatë gjithë sezonit, skuadra e Mançinit është mposhtur vetëm nga Milani, megjithëse kjo gjë ka ndodhur plot katër herë, mes kampionatit e Ligës së Kampioneve. Në ndeshjen e fazës së parë, Juventusi shpërdoroi dy gola avantazh në 10 minutat e fundit të takimit, ku u dorëzua përballë furisë dhe dëshirës për përmbysje të zikaltërve. Megjithatë, në krahasim me atë ndeshje, Interi do të ketë shumë ndryshime, sidomos në sulm, sepse Rekoba e Adriano janë të dëmtuar, ndërsa Vieri është në pikëpyetje, duke parë se edhe kundër Kaljarit, sulmuesi luajti vetëm për 20 minuta. Gjithsesi, është një nga ato ndeshje që Interi e ka vlerësuar gjithmonë më shumë se të tjerat dhe Juventusi pritet ta ketë shumë të vështirë. “Kundër Juves duhet të përsërisim ndeshjen me Kaljarin, duhet të kemi të njëjtën dëshirë për fitore. Nëse arrijmë në vendin e tretë dhe fitojmë Kupën e Italisë, atëherë do të jetë një sezon pozitiv”, thotë argjentinasi Veron, ndërkohë që Milani shpreson që “kushërinjtë” t’i ndihmojnë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›