E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hodgson beson në sukses

Roy Hodgson e mori në dorë Kombëtaren e Anglisë të martën dhe do ta udhëheqë në katër vjetët e ardhshëm. Trajneri anglez ndihet i privilegjuar që iu besua ky post, derisa premton se do ta ndërtojë një ekip kompakt dhe konkurrues. Menaxheri i WBA-së synon që me ‘Tre Luanët’ ta fitojë Evropianin sivjet.

Pasi u emërua selektor i ri i përfaqësueses së Anglisë, me të cilën nënshkroi kontratë katërvjeçare, Roy Hodgson e ka ftuar kombin e tij të qëndrojë prapa Kombëtares.

Trajneri aktual i West Bromwich Albion është përfshirë në fushatën e Anglisë në Euro 2012, pas largimit të papritur të Fabio Capellos, i cili i udhëhoqi me sukses ‘Tre Luanët’ në kualifikime.

“Ndihem krenar dhe është një ditë e veçantë për mua. Jam njeri i lumtur dhe ndihem i privilegjuar që m’u dha mundësia ta drejtoj vendim tim. Do të mundohem ta bëj më të mirën. Puna e selektorit është një sukses për secilin menaxher dhe unë duhet të jem i vëmendshëm, sepse jam i përgatitur për kritika”, u shpreh fillimisht Hodgson në konferencë për shtyp.

64 vjeçari është i vetëdijshëm për vështirësitë që e presin, por beson në aftësitë e ekipit të tij. “Secili e di se nuk do të jetë lehtë, por unë po shpresoj që çdokush, tifozët dhe mbështetësit do të jenë prapa ekipit. Ekipi çon peshë dhe do të mundohet të fitojë për tifozët. Ajo që do ta bëj unë është t’ua bëj të qartë se ekipi është mirë i përgatitur për sfidat që ka përpara. Për këtë po mendoj”, nënvizoi ai.

Hodgson do të debutojë me Anglinë më 26 maj në ndeshjen miqësore ndaj Norvegjisë. Ai e ka parasysh faktin se nuk ka shumë kohë të mendojë para fillimit të evenimentit, që do të mbahet në Ukrainë dhe Poloni. Ai e pranon se i njeh shumicën e futbollistëve, kështu që do të mundohet ta komponojë një ekip kompakt, i cili do t’u bëjë ballë sfidave.

Edhe pse Wayne Rooney do të jetë i suspenduar në dy ndeshjet e para, trajneri anglez e pret me padurim sulmuesin e Manchester Unitedit, nga i cili pret shumë në këtë kompeticion.

Ai beson se Anglia mund të triumfojë në një eveniment të rëndësishëm, pas një kohe të gjatë. “Anglia gjithmonë shkon në turne për t’i fituar, sepse ne jemi një Kombëtare e fortë. Unë natyrisht mendoj se lojtarët do të ishin të zhgënjyer, nëse kërkojmë diçka më pak se triumfi në këtë eveniment”, vijoi ai.

Në fund, Hodgson konfirmoi se do ta presë fundin e sezonit në Premierligë, respektivisht më 13 maj, para se ta emërojë ekipin përfundimtar të Anglisë, që do të marrë pjesë në Euro 2012.

Edhe presidenti i Federatës së Futbollit të Anglisë (FA), David Bernstein, e ka shprehur kënaqësinë e tij që u arrit marrëveshja që menaxheri i QPR-së ta marrë drejtimin e Kombëtares.

“Ne jemi këtu për ta prezantuar selektorin e ri Roy Hodgson. E kishim vetëm një zgjedhje dhe në fund u arrit marrëveshja. Njohuritë e tij për futbollin ndërkombëtar janë të padiskutueshme”, theksoi Bernstein. Para Anglisë, Hodgson i kishte udhëhequr edhe përfaqësuesen e Zvicrës, të Finlandës dhe të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›