Mos shpifni!

Për skuadrat kosovare është bërë shumë e vështirë që ta fitojnë titullin e kampionit. Përveç vështirësive për të tubuar pikë drejt trofeut të çmueshëm, në fund ekipit që e fiton atë, i kontestohet suksesi nga ana e klubeve tjera.
Në fakt, prej vitit në vit, shumë klube bashkë me tifozët e tyre e akuzojnë Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), për të cilën pretendojnë se e ndihmoi atë apo këtë ekip për t’u shpallur kampion.
Në edicionin e kaluar, kur Hysi u shpall kampion, suksesi i tij u kontestua nga disa skuadra tjera, të cilat deklaroheshin se bardhezinjtë e fituan titullin e më të mirit fal ndihmës që e morën nga shtëpia e futbollit kosovar.
Ndërsa, para dy vitesh, klubet e akuzonin FFK-në me arsyetimin se e kishte ndihmuar Trepçën ta fitonte titullin më të çmueshëm në futbollin kosovar.
Kurse së fundmi, pikërisht nga Trepça ka filluar hedhja e kritikave ndaj FFK-së. ‘Xehetarët’ të martën nëpërmjet Expressit i akuzuan udhëheqësit e futbollit kosovar, për të cilët thanë se sivjet janë duke e ndihmuar Vëllaznimin e Gjakovës që ta rrëmbejë titullin e kampionit.
Por, të gjitha këto akuza i hedh poshtë FFK-ja, që i konsideron të pabaza. Njeriu i parë i saj, Fadil Vokrri thotë se të gjitha klubet janë të barabarta për FFK-në, e cila asnjëherë nuk e ka favorizuar asnjërën prej të tjerave.
“Akuza nga Trepça është e momentit nga mllefi, shkaku i atij vendimi rreth ndeshjes Trepça – Vëllaznimi. FFK-ja po i respekton rregulloret. Ne nuk u kemi faj klubeve që gabojnë nëpër protokolle e ku ta di unë. Ne punojmë në bazë të rregullave tona”, ka deklaruar Vokrri për Express.
“Unë ju garantoj se për FFK-në të gjitha klubet janë absolutisht të barabarta. Absolutisht kurrë nuk e kemi favorizuar asnjë ekip prej tjetrit. Demokracia që ekziston në FFK jam i bindur se u mungon shumë institucioneve edhe më të larta shtetërore. Bëjmë punë profesioniste, fal kualifikimit shkollor që kanë punonjësit tanë. Në FFK nuk ka intervenca në asnjë komision. Vazhdimisht përpiqemi që maksimalisht të punojmë në bazë të rregulloreve”, u shpreh Vokrri.
Ai u bëri thirrje të gjitha klubeve t’i ndalin akuzat e pabaza ndaj FFK-së, pasi mund të dënohen konform Kodit të Mirësjelljes së saj.
“Ne e kemi Kodin e Mirësjelljes. Mos të akuzojë askush paushall. Kur akuzojnë, le të qesin fakte dhe argumente bindëse e jo vetëm të kritikojnë. Madje, edhe vetë ata që kritikojnë, e dinë se nuk e kanë mirë, por po gabojnë”, përfundoi Vokrri.
Akuza e mitrovicasve ka ardhur menjëherë pasi FFK-ja ndeshjen mes Trepçës e Vëllaznimit e regjistroi me rezultat zyrtar 0:3 për gjakovarët – ndonëse takimi kishte përfunduar baras.
Kjo pasi FFK kishte konstatuar se Trepça e kishte inkuadruar në lojë një lojtar, emri i të cilit nuk kishte qenë në protokollin zyrtar të atij takimi.