E Shtunë, 31 Tetor 2026

Holanda kokulur ne shtepi

Holanda është kthyer në shtëpi pas eliminimit të turpshëm në Euro 2012. Lojtarët dhe stafi teknik i “tulipanëve” zbarkuan në aeroportin e Amsterdamit, ku pavarësisht paraqitjes zhgënjyese u pritën nga disa tifozë dhe nga media të shumta.

Skuadra e drejtuar nga Bert van Marvijk e nisi aktivitetin kontinental si një prej favoriteve për të fituar trofeun, megjithatë ata humbën 2-1 në sfidën e fundit të Grupit B përballë Portugalisë, duke e mbyllur aventurën në vendin e fundit dhe pa asnjë pikë të grumbulluar.

Më parë “tulipanët” ishin mposhtur 1-0 nga Danimarka dhe 2-1 nga Gjermania. Tashmë paraqitja e Holandës do të analizohet me hollësi, ndërsa të gjithë tifozët po mundohen të kuptojnë rënien e papritur të skuadrës që fitoi nëntë sfida gjatë kualifikueseve.

Holanda ka një skuadër të mbushur me yje, me sulmuesit Robin van Persi dhe Klas-Jan Huntelar që kanë përjetuar një sezon të shkëlqyer. Van Persi ishte golashënuesi më i mirë i kampionatit anglez me 37 gola për Arsenalin, ndërsa Huntelar ishte lojtari që shënoi më shumë në kualifikueset e Euro 2012 me 12 rrjeta, si edhe golashënuesi më i mirë i Bundesligës me 29 gola për Shalken.

Tatëpjeta e holandezëve nisi në ndeshjen e parë kundër Danimarkës, ku edhe pse e dominuan sfidën dhe krijuan shumë raste për shënim, ata u mposhtën 1-0. Në sfidat e tjera, me dy rivalët më të vështirë, Gjermaninë dhe Portugalinë, skuadra zhgënjeu në lojë dhe rrjedhimisht doli e humbur nga fusha.

Trajneri Van Marvijk pranoi përgjegjësinë për dështimin e skuadrës, por bëri të ditur se kontrata e tij në krye të përfaqësueses holandeze skadon në vitin 2016 dhe për momentin nuk ka ndërmend të diskutojë për të ardhmen.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›