E Diel, 1 Nëntor 2026

Prishtina dhe Beogradi reagojnë pas letrës së Ban Ki Mun

Prishtina ka akuzuar Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun, se refuzon të njohë pavarësinë e Kosovës, ndërsa Beogradi e ka akuzuar atë se po përpiqet të nxisë pavarësinë nëpërmjet ‘një dere të pasme’. 

Deklaratat u bënë një ditë pasi lideri i OKB-së dorëzoi për të dy vendet planin e rikonfigurimit të UNMIK-ut, i cili mesa duket nuk ka përmbushur dëshirat e asnjërës palë. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, tha se procesi i rikonfigurimit të UNMIK-ut po e sfidon  Kosovën, pasi plani i Ban Ki Munit favorizon në masë të madhe serbët dhe ushqen apetitet e serbëve se mund të funksionojnë në Kosovë, pa i përfillur fare institucionet e Kosovës. Krasniqi shqoi se ky plan është një sfidë e hapur edhe për Bashkimin Evropian. Krasniqi theksoi se letra e Ban Ki Munit reflekton koncesionet e bëra me vendet që nuk e pranojnë pavarësinë e Kosovës, si nga vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit, ashtu edhe vendeve tjera dhe nuk i ka sqaruar shumë gjërat. Presidenti Fatmir Sejdiu është takuar me kryeministrin, kryeparlamentarin,  shefin e UNMIK-ut dhe përfaqësuesit e vendeve të ‘quintit’, por nuk është deklaruar për media. Kryeministri aktual i Serbisë, Vojisllav Koshtunica, e ka refuzuar planin e paraqitur nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, për ristrukturimin e misionit në Kosovë. “Plani i tillë është në kundërshtim me Rezolutën 1244 dhe rrjedhimisht nuk mund të jetë i pranueshëm për Serbinë”, tha Koshtunica. Ndërkohë kryesia e BE-së e përshëndeti letrën e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe konsideron se ato dokumente do të mundësojnë zhvendosje graduale të EULEX në mbarë Kosovën. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara tha se plani i tij për ristrukturimin e UNMIK-ut nuk i ka kënaqur të gjithë, por “ky ishte opsioni më pak i dënueshëm”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›