E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet shqiptarja në Athinë, trafikoi dy fëmijë për në Itali

ATHINË - Një shtetase shqiptare 40 vjeçe është arrestuar dje në aeroportin e Athinës e akuzuar për trafikimin e dy fëmijëve të vegjël në Itali, përkundrejt shumës 3000 euro për secilin prej të miturve. 

 Sipas policisë greke, e arrestuara dyshohet se është anëtare e një rrjeti ndërkombëtar trafikimi fëmijësh, i cili besohet të ketë anëtarë aktivë edhe në Shqipëri. Policia greke tha se 40-vjeçarja shqiptare, Meri Kepuri, është arrestuar në aeroportin e Athinës gjatë përpjekjes për të trafikuar në Itali dy fëmijë shqiptarë. Ngjarja ka ndodhur dje rreth mesditës në kohën kur 40-vjeçarja së bashku me dy fëmijët që ishin marrë nga Shqipëria po përgatiteshin të hipnin në avionin që do të nisej drejt Italisë. Në momentin e kontrollit të pasaportave policia greke ka diktuar se fotografitë e dokumenteve nuk përputheshin me ato të fëmijëve që shoqëronte 40-vjeçarja. Pas kësaj policia ka bërë ndalimin e menjëhershëm të 40-vjeçares shqiptare. Sipas burimeve policore, mësohet se e arrestuara Meri Kepuri ka qenë person në kërkim për akuzën e trafikimit të fëmijëve, vepër penale të cilën dyshohet se e ka kryer edhe më parë. Autoritetet greke përmes Interpolit sinjalizuan policinë shqiptare dhe të dy palët kanë filluar hetimet rreth një rrjeti të mundshëm ndërkombëtar të trafikut të fëmijëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›