E Shtunë, 31 Tetor 2026

Holandezi mbetet i preferuari i Dukës

TIRANE-Largimi i Josip Kuzhe nga drejtimi i Shqipërisë i hap rrugën zgjedhjes së trajnerit të ri. Megjithëse negociatat janë ende në fazën fillestare, emrat që janë propozuar në tavolinën e Dukës mësohet se janë të shumtë. Një pjesë e madhe e tyre nuk do të takohen fare, ndërsa pjesa tjetër, me një CV disi më të pasur dhe të përshtatshme për kushtet e Shqipërisë, do të seleksionohet me kujdes. Në këtë mori kërkesash, mësohet se dëshira e madhe e Dukës është të marrë Ervin Kuman, një trajner tepër serioz dhe që në të shkuarën ka drejtuar ekipe si Fejnordi apo Hungaria. Pikërisht drejtimi i kësaj të fundit ka bërë që holandezi të marrë vlerësimet maksimale. Në dy ndeshjet e zhvilluara në kombëtaren hungareze, kreu i FSHF mësohet se ka mbetur i mahnitur nga puna e bërë prej Kuman, i cili arriti të merrte maksimumin me atë skuadër që kishte në dispozicon. Tre ditë më parë, ai dha dorëheqjen nga drejtimi i skuadrës së Utrehtit në Holandë, për shkak të mosmarrëveshjeve me drejtuesit e klubit. Kjo e bën atë të lirë për të hyrë në negociata me Federatën Shqiptare.
Ndërkohë, një tjetër emër mësohet se është ai i kroatit Zllatko Kranjcar. Ky i fundit u shkarkua një muaj më parë nga drejtimi i Malit të Zi, pas një humbjeje me Uellsin. Ai ka qenë në listën e Dukës edhe pas largimit të Ari Han, por gjithçka në atë kohë mbeti një mister. Kranjcar gjithsesi ka një eksperiencë të madhe ndërkombëtare, teksa ka drejtuar edhe përfaqësuesen kroate në Botërorin e vitit 2006 në Gjermani.

Sa i përket Sreçko Katanec, një dëshire të vjetër të Dukës dhe të zyrtarëve të tjerë të Federatës Shqiptare të Futbollit, ajo duket një kandidaturë jo shumë bindëse. Arsyeja kryesore për këtë është fakti se slloveni ka kërkesa të larta ekonomike, ndërkohë që edhe karriera e tij duket në rënie. Më 6 shtator ai u shkarkua nga drejtimi i kombëtares së Emirateve të Bashkuara Arabe si rezultat i dy humbjeve radhazi në eliminatoret për Botërorin e vitit 2014.
Ndërkohë, një tjetër pistë janë kandidaturat shqiptare. Besnik Hasi qëndron në krye të preferencave për shkak të eksperiencës së tij si ndihmës traner tek Anderlehti, por edhe për raportet e mira që ka me Dukën. Për hir të së vërtetës, kosovari ka qenë një lider në kombëtaren shqiptare dhe si rrjedhim gëzon karizmën e nevojshme për të qenë në pankinë, por burime nga FSHF bëjnë të ditur se preferenca mbetet ende një trajner i huaj. Parë në këtë prizëm, kandidatura e Hasit është më e dobët se ajo e Kuman.

MIQESORET
Trajneri Josip Kuzhe ishte një trajner shumë i suksesshëm në ndeshjet miqësore, duke fituar 6 prej tyre, barazuar 3 dhe humbur vetëm 2. Në fakt, ai nuk i përdori asnjëherë këto ndeshje për të gjetur lojtarë, por kërkonte medoemos fitoren.

TRAJNERET
Shqipëria deri tani është drejtuar nga 5 trajnerë të huaj: Bepe Dosena, Hans Peter Brigel, Oto Bariç, Ari Han dhe Josip Kuzhe. Më i suksesshmi konsiderohet Brigel, që arriti 14 pikë në edicionin e Botërorit 2006, por në një grup me 7 ekipe.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›