E Diel, 1 Nëntor 2026

Holifild, kampioni që nuk preku ëndrrën

Nëse Heminguej do të kishte qenë gjallë, do ta kishte quajtur duelin "plaku dhe përbindëshi". Amerikani Evander Holifild, ai që më 1997-ën, më shumë se një dekadë më parë, vuajti pasojat e kafshimit të veshit nga Tajson, në këtë rast është plaku, ndërsa përbindëshi rus Nikoli Valuev, kampion i WBA, një nga peshat e rënda më "monstruoze" të historisë. Valuev, i gjatë 2.13 metra, 144 kile, padyshim gjatë gjithë jetës ka pasur probleme për të gjetur një krevat të përshtatshëm për të fjetur. Në Zyrih Holifild donte të bëhej kampioni më i vjetër i boksit në botë, duke kaluar kështu edhe Xhorxh Foremanin, që në vitet 1994 në moshën 45-vjeçare mundi Mikael Murer dhe vendosi këtë rekord. Edhe pse diferenca mes të dyve ishte e dukshme, 27 centimetra, 53 kilogramë dhe 12 vjet, Holifild nuk pranoi të tërhiqej, madje luajti një ndeshje që e dominoi deri në fund, ku rivali i tij arriti të fitonte me pikë. Holifild tani është 47 vjeç dhe ka 11 fëmijë nga pesë gra të ndryshme. "Vitet nuk përbëjnë asnjë problem, njeriu ka atë moshë që ndien dhe unë ndihem në formë".

Në të vërtetë ringu nuk është aq i "mirë", arrin të tregojë gjithçka që boksierët kërkojnë të fshehin, përfshi këtu edhe vitet. Holifild, në të vërtetë, është një boksier në gjendje "dekompozimi". Në tetë takime ka humbur katër prej tyre dhe në 2005-ën u pezullua nga aktivitetet në shtetin e Nju Jorkut, se nuk kishte zhvilluar testet mjekësore e për më tepër nuk ngjitej në ring që prej tetorit të 2007-ës, pasi u mund me pikë për titullin WBO nga rusi Sultan Ibragimov.

Holifild ka qenë katër herë kampion bote. Por shumë mendojnë se më tepër se sa një pasion për boksin, ai vendosi të rikthehej sërish në ring, për shkak të borxheve të mëdha, problemet me taksat dhe divorcet e shumta. Megjithatë, nga ky takim boksieri amerikan mendohet se do të arkëtojë 750 mijë dollarë, që duken si lëmosha para shumave që fitonte dikur në 23 vite karrierë. Holifild ka fituar më shumë se 200 milionë dollarë, ndaj për këtë arsye e quanin "The real deal". Ai nuk të magjepste me mrekullitë e tij, por me soliditetin, as me zgjuarsinë, por me vullnetin. Ishte i mërzitshëm, por praktik dhe gjithmonë çonte në shtëpi rezultate pozitive. Dikur jetonte në një shtëpi përrallore shumë pak kilometra jashtë Atlantës, një kështjellë me 101 dhoma, 11 banja, një teatër dhe një sallë kinemaje me 20 vende. Evander ishte luftëtari i zotit. Fitonte, lutej, falte. Megjithatë, të gjithë i kujtojnë veprimet që të tjerët bënin kundër tij. Fqinjët e shtëpisë i vranë qenin në vitin 1997; Xhorxh Foreman në vitin 1992 e përcaktoi: "Një njeri si ai është shumë i rrezikshëm për boksin"; Don Turnerin ish-trajneri i tij, që në palestër përveç portofolit i vidhte gjithçka që mundte. Pastaj vështirësitë e rritjes si i barabartë me të tjerët. I ati që solli në jetë 20 fëmijë e la të ëmën vetëm, e detyruar të punonte si kameriere ditë e natë për të ushqyer fëmijët e vegjël. E kush Zot mund të jetë në gjendje ta gjykojë një si ai? Holifild arriti të falte edhe njeriun që ia kafshoi veshin si çamçakëz në vitin 1997, Majk Tajsonin. "Ju betohem se në kafshimin e dytë doja të bëja të njëjtën gjë". Arriti të falte edhe Bill Klintonin, gjithmonë shumë i tërhequr nga gratë, por mbante një foto të tij në komodinë. "Duhet të përçmojmë atë që bën diçka që të tjerëve u duket normale". U thoshte shpesh atyre që bënin gabime: "Zoti ju faltë dhe nëse ai ju jep forcë, mund të arrini të bëni gjithçka". Shumë pak ndoshta i dinë historitë e këtij njeriu, që në pamje të parë duket i ashpër dhe i pashpirt. Evander ka qenë i aftë të "rindërtojë" për dy herë një jetë të re. Fillimisht në moshën 17- vjeçare, kur ishte një djalosh i dobët që kishte frikë nga të gjithë dhe nga gjithçka. Në vitin 1994, kur mjekët i thanë se kishte një vrimë në zemër, një defekt i lindur, ai iu drejtua Beni Hillit, një predikuesi: "Shkova ta takoja, ai e vuri dorën mbi gjoksin tim dhe më tha të kthehesha në shtëpi. Por, në fakt në vend që të kthehesha në shtëpi, u ktheva në klinikë për një tjetër kontroll. Pas ekzaminimit vrima e zezë nuk ishte më dhe zemra ime ishte në gjendje perfekte". Kështu, pas shërimit u ngjit shumë shpejt në majë të botës duke "ecur" mbi trupat e shumë kundërshtarëve, të atyre që e konsideronin "një kampion të urryer". "Ndeshja e Holifildit ishte një farsë dhe një shkatërrim për boksierin". Ky është gjykimi i ashpër i klanit të vëllezërve Kliçko, kampionë bote. Por Evander Holifild e provoi. "Koha na mësoi se në SHBA të gjithë mund të arrijnë të bëjnë realitet ëndrrat. Shihni Obamën për shembull. Ai e tregoi që mund ta bënte ëndrrën realitet. Unë jam rritur në anën e gabuar të botës, por gjithmonë kam reaguar". E në fakt, edhe pse fati nuk i buzëqeshi për t‘i dhuruar titullin e pestë kampion, Holifild zhvilloi një ndeshje të madhe, ashtu si i ka hije një kampioni. Ndoshta kësaj here Zoti nuk i dëgjoi lutjet e tij.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›