E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meidani, "krushku" i pajtimit PS-LSI

Fillimi i negociatave sjell "armëpushimin". Tentativat për bisedime mes të majtës fillojnë të shndërrohen në aksione konkrete. Burimet partiake rrëfyen dje për "Shqip" se ish-presidenti Rexhep Meidani ka marrë përsipër të kontaktojë direkt kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama. Kjo në vijimësi të bisedimeve që janë kryer në "këshillin e të urtëve" të së majtës ku bëjnë pjesë shkrimtari Dritëro Agolli, profesorët Sabit Brokaj, Servet Pëllumbi dhe Rexhep Meidani. Këto personalitete edhe dje kanë zhvilluar një takim të përbashkët ku është diskutuar për rrugët që mund të çojnë në afrimin e dy partive kryesore të opozitës. Faza e parë e angazhimit ka të bëjë me uljen e toneve dhe vendosjen e një "armëpushimi" shumë të nevojshëm për kohë të tilla negociatash. Një frymë e tillë është vënë re dukshëm dje në dy selitë respektive të partive. Burimet partiake nga selia rozë thanë se kanë filluar shenjat e para të afrimit edhe pse deri më tani nuk ka pasur takime të niveleve vendimmarrëse. Diçka e tillë pritet të ndodhë në ditët në vijim teksa po afrojnë edhe festat e fundvitit. Burimet sqarojnë se pas diskutimeve të djeshme "këshilli i të urtëve" të majtë ka zgjedhur si të mandatuar për të kontaktuar Ramën, ish-presidentin Meidani. Detyrë që, siç mësohet, ai e ka pranuar me qëllimin e mirë për të krijuar një frymë sa më bashkëpunuese në gjirin opozitar. Pak detaje bëhen të ditur për objektin e propozimeve që Meidani do t‘i bëjë Ramës dhe që do të çojnë më tutje në nisjen zyrtare të negociatave të nivelit të lartë politik. Nga ana e Lëvizjes Socialiste për Integrim është parë një interes për të mos "minuar" aksionin e negociatave, duke mos preferuar të bien pre e replikave të ditës. Sakaq, socialistët duket se ia kanë lënë ekskluzivitetin e qëndrimeve kreut të partisë, Edi Rama. Ky i fundit në deklarimin e vetëm publik për këtë çështje dëshmoi gatishmërinë për të pritur kreun e LSI-së, Ilir Meta. "Qëndrimi ynë ka qenë dhe mbetet i qartë", konfirmoi Rama. Sipas tij, Kodi Zgjedhor është një çështje e mbyllur, ndërsa dera e Partisë Socialiste është gjithnjë e hapur. "Po të dojë vërtet të bashkohet dhe të luftojë me ne, Ilir Meta ta thotë dhe mirë se të vijë", theksoi Rama. Por, vijoi ai, fatkeqësisht, u bënë kohë, që ai çfarë thotë një ditë, nuk e thotë një ditë tjetër. Kodi Zgjedhor që cilësohet si çështje e mbyllur nga Rama, nuk kufizon shpresat për zgjidhje. Kjo pasi sipas burimeve ekzistojnë mundësitë që të gjendet një formë që i garanton përfaqësim në administrimin zgjedhor Lëvizjes Socialiste për Integrim pa ndërhyrë në Kodin Zgjedhor. Disa ditë më parë, Ilir Meta, në respekt të shqetësimeve dhe preokupimeve të sinqerta të Meidanit, Agollit e Pëllumbit për bashkëpunim të së majtës ofroi si negociator nga LSI profesorin Sabit Brokaj. LSI shprehu konsideratat e saj, për shqetësimet dhe preokupimet e tyre, duke besuar se janë vërtet të sinqerta. Meta shprehu vendosmërinë, për të qenë i hapur për dialog, për të qenë i hapur për t‘u takuar me zotin Rama, sa më shpejt që të jetë e mundur. "U kërkoj, si zotit Mejdani, si zotit Agolli, si zotit Pëllumbi, meqenëse ata janë pjesë e Partisë Socialiste, që të japin kontributin dhe ndikimin e tyre, për t‘u realizuar ky bashkëpunim", tha Meta. Në ditët në vijim mbetet për t‘u parë ecuria e dialogut të nisur mes dy partive kryesore të së majtës shqiptare. Teksa ndodhemi gjashtë muaj para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, ende nuk është e qartë se si do të hyjë në zgjedhje e majta. Arritja e një "pakti", fryt i këtyre negociatave do të çonte në afrimin dhe mbase daljen në zgjedhje në një koalicion të përbashkët. Prelud i një marrëveshjeje të mëvonshme për të bashkëqeverisur vendin në vitin 2009. Nëse këto negociata nuk do të arrijnë të konkretizohen me sukses, dy partitë ka gjasa të kthehen më ethshëm në llogoret e tyre. Veprim logjik ky teksa do të duhet të karikohen strukturat në bazë për të përballuar fushatën zgjedhore dhe administrimin e votave.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›