“Hoqëm vizat, tani na pret anëtarësimi në BE”

Ministri Edmond Haxhinasto, pritje me rastin e festave të fundvitit
Ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto apeloi për bashkëpunim në pritjen e organizuar prej tij me rastin e festave të fundvitit. Pas liberalizimit të vizave, sfidë kryesore për vendin mbeten përmbushja e kritereve për anëtarësimin në Bashkimin Europian dhe për këtë, ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto apeloi për bashkëpunim.
Në pritjen me rastin e festave të fundvitit, kryediplomati shqiptar deklaroi se shqiptarët sot janë më të vlerësuar se asnjëherë dhe me një imazh të ndjeshëm të përmirësuar në sytë e ndërkombëtareve, kjo për një motiv kryesor, tashmë ata lëvizin pa viza.
Por për imazhin e vendit, diplomacia shqiptare shprehet me mirënjohje për emigrantët, të cilët gjithnjë e më shumë po dinë të përcjellin vlerat e kombit tonë aty ku ata kanë nisur jetën pas largimit nga Shqipëria.
Ndërkaq, në hollin kryesor të ministrisë së Jashtme ishte hapur dhe një ekspozitë me punimet më të mira të Odise Paskalit.
Ndodhej aty plejada e njerëzve më të shquar të kombit, por për herë të parë dhe boceti origjinal i heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, e vendosur në sheshin që mban emrin e tij, në qendër të kryeqytetit, në Tiranë.
Shqipëria sot ka një rol të ri ndërkombëtar. Ajo është anëtare e NATO-s dhe është një partnere serioze dhe e denjë e Bashkimit Evropian, e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e organizatave të përbotshme dhe atyre rajonale.
Shqiptarët kanë një status të ri ndërkombëtar, ata udhëtojnë të lirë në hapësirën Shengen.
Rreth gjysma e shqiptarëve që jetojnë në Republikën e Shqipërisë, pra gati 1 milion e gjysmë, po integrohen çdo ditë e më shumë në shoqëritë e vendeve ku ata jetojnë, në Greqi, në Itali, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shumë vende të tjera”, e përshkoi situatën aktuale në vend, kreu i diplomacisë shqiptare.
Duke shtuar se “imazhi i tyre po ndryshon çdo ditë, dhe imazhi i tyre po ndryshon edhe imazhin për Shqipërinë. Integrimi i mëtejshëm dhe real i Shqipërisë në BE shtron përball nesh një sfidë të madhe, konkurrimin dhe prezantimin e vlerave më të spikatura që përfaqësojmë si komb. Kjo është sfida e madhe e Shqipërisë. Kjo është sfida e të gjithë shqiptarëve të Republikës së Shqipërisë dhe të atyre që jetojnë jashtë saj. Unë kam besim të plotë se, në përpjekjet e saj, diplomacia shqiptare do te krijojë të gjithë energjitë e duhura me të gjithë ju, me komunitetin e medias, me komunitetin e think-tankeve, e instituteve të studimeve, me përfaqësuesit e biznesit, ekonomisë dhe, të gjithë së bashku, mund të ngremë një imazh të ri të Shqipërisë, imazhin e saj të vërtetë dhe real”, përfundoi fjalën e rastit, ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto.