Koncesionari nuk përmbushi detyrimet, vjellë-vrerësit të mos e fshehin surratin

Gjykova se është e nevojshme e nevojshme që të sqaroj publikun përmes jush në lidhje me gjithë problematikën që përmban e ashtuquajtura çështje e koncesionit mineral të Bulqizës, që do ta quaja odise e çështjeve dhe akuzave që janë bërë ndaj meje si ish-ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe punës së këtij institucioni.
E vërteta më e madhe e shtrembëruar është pikërisht çështja e këtij koncesioni.
Për të kujtuar do të thosha që koncesioni në fushën minerale i lidhur me kompaninë Darfo daton në vitin 2000, për sa i përket koncesionit të Uzinës së Ferrokromit në Elbasan dhe të minierës së Projkës, dhe në vitin 2001 për sa i përket koncesionit të minierës së Bulqizës, Uzinës së Ferrokromit Burrel dhe fabrikës së pasurimit në Bulqizë. Të dyja këto koncesione i janë dhënë pa garë kompanisë italiane Darfo, në një program që për koncesionin e minierës së Bulqizës dhe Uzinës së Ferrokromit, parashikonte që për një periudhë koncesionare nga viti 2001-2009 të kishte investime në masën 21 milionë dollarë dhe për koncesionin tjetër të Elbasanit për një periudhë 6 vjeçare të kryhej një vëllim investimesh prej 14 milionë dollarë.
Situata e konstatuar dhe e gjetur nga ne në fundin e vitit 2005, kur unë mora pozicionin e ministrit të METE ishte që sidomos për koncesionin e minierës së Bulqizës, situata qe shumë shqetësuese. Faktikisht nga investimet e parashikuara prej 21 milionë dollarësh, ishin kryer vetëm 3.5 milionë dollarë, nga të cilat në minierë vetë vetëm 1.5 milionë dollarë. Kjo kishte sjellë një situatë tepër të rënduar në minierën e Bulqizës, përkeqësim të kushteve të sigurisë të punës në të, rënie të ndjeshme të prodhimit, kushte tepër të vështira pune për minatorët, detyrime të akumuluara të mospagesës së energjisë elektrike ndaj KESH-it, një humbje e deklaruar nga kompania në bilancet e saj prej 15 milionë dollarë. Njëkohësisht ishte akumuluar dhe një detyrim që shteti i kishte kompanisë për rimbursimin në bazë të marrëveshjes koncesionare të TVSH-së për makineritë e importit, për përjashtimin nga taksat doganore dhe për rimbursimin e TVSH-së të eksportit të kromit, që deri në fund të vitit 2005 ishte rreth 3 milionë dollarë.
Kjo gjendje tregonte një mosseriozitet dhe papërgjegjshmëri në ndjekjen dhe mbikëqyrjen e këtij koncensioni nga autoriteti shtetëror që ishte ministria e mëparshme e ekonomisë gjatë periudhës 2001-2005. Kishte konstatime të abuzimeve të keqmenaxhimit të bërë nga kompania dhe nga drejtuesit e saj, ku ndoshta personi më problematik në drejtimin e këtij koncesioni e të kësaj kompanie ka qenë zoti Eduard Belegu, më vonë këshilltar i politikës minerale të z. Dritan Prifti, i cili, pikërisht është nën akuzë nga prokuroria për një shpërdorim të përmasave të mëdha që ka kryer gjatë kohës që drejtonte këtë koncesion.
Ndaj kësaj situate ministria ka reaguar shumë qartësisht, me vendosmëri dhe i ka kërkuar kompanisë të kryejë brenda afateve që parashikon marrëveshja koncesionare, investimet e munguara, të përmirësonte sidomos situatën sa i përket sigurisë në punë dhe kushteve në këto miniera.
Kompania Darfo u gjet në pamundësi për t’i realizuar këto detyrime dhe nuk mori asnjë tolerim të pamerituar nga ana jonë.
Për këto arsye, në maj të 2007, ajo ia shet kuotat e saj kompanisë austriake ACR me përvojë në fushën minerale në disa kontinente.
Praktikisht kompania e porsaardhur për të zëvendësuar koncesionarin ishte përballë një situate tepër të vështirë të krijuar nga koncesionari i mëparshëm, sidomos për sa i përket kushteve në minierën e Bulqizës. Kompanisë nuk iu tolerua asnjë përjashtim apo lehtësim nga detyrimet që përmbante marrëveshja koncesionare për sa i përket volumit të punimeve dhe sidomos ndërhyrjeve emergjente, që duheshin bërë në minierën e Bulqizës.
Ishte pozitive që kjo kompani që në vitin e parë të punës së saj investoi rreth 10 milionë euro në të dyja koncesionet për të përmirësuar kushtet e punës që nga ventilatorët, puset e minierës, ashensorët, rriti 50 për qind pagat e punonjësve në atë minierë, përmirësoi kushtet e ushqimit etj.
Megjithatë kompanisë iu kërkua të vazhdojë me rigorozitet programin e investimeve që parashikohet në marrëveshjen koncesionare. Sigurisht, investime që ishin parashikuar për një periudhë 8 vjeçare 2001-2009, në periudhën e mbetur prej një viti e gjysmë kompania e kishte të vështirë e të pamundur t’i realizonte, duke menduar që ishin punime në thellësi të minierës.
Në marrëveshjen e re me ministrinë, kompanisë i imponohet një program ambicioz investimesh. Në qoftë se programi i parë qe që në vitin 2001-2009 do të kryente 21 milionë dollarë, në programin e ri 2009-2013, pra vetëm në 4 vjet, gjysma e periudhës së mëparshme, do të bënte investime më të mëdha, rreth 30 milionë dollarë.
Është abuzuar këto ditë duke thënë se sapo kompania bëri kërkesat, ministria ia miratoi asaj riprogramimin e investimeve. Kjo nuk qëndron, për arsye se ky program i ri ishte rezultat i studimeve e projekteve të bëra nga kompania për gjatë një viti e gjysmë, të cilat kanë kaluar në disa komisione vlerësimi, qoftë në AKBN, qoftë në ministri, duke u ndryshuar e përmirësuar disa herë nga ana e koncesiondhënësit që ishte ministria.
Pra ministria dhe unë personalisht kemi vepruar në respektim të plotë të marrëveshjes koncesionare lidhur që në vitin 2001 dhe të mbrojtjes së interesave të shtetit në këtë marrëveshje.
Kompanisë nuk i është toleruar asnjë nga penalitetet që parashikonte marrëveshja, të cilat u vunë vonë, vetëm në vitin 2006, kur erdhëm ne, dhe duke mbuluar periudhën e mëparshme, të cilat u kërkuan të paguheshin deri në një.
Nga ana tjetër nuk u tolerua aspak të zvogëlohej masa e investimit të parashikuar në marrëveshje koncesionare, madje kjo masë investimi u rrit dhe më tej.
Çdo diskutim tjetër në planin juridik që ka qenë në atë kohë, flasim për prillin 2009, midis studiove juridike, zyrave të ndryshme juridike të shtetit tone, Ministria është konsultuar në atë kohë me Ministrinë e Drejtësisë, me Avokatin e Shtetit, nëse plani për shtrirjen e investimeve dhe pas vitit 2009, duhej apo jo të kishte miratim edhe të instancave më të larta, si qeveri apo parlament. Kjo ishte diçka që do studiohej dhe natyrisht vendimmarrja i përkiste kohës në të cilën ajo mund të realizohej, në kuptimin që në muajin maj kemi ndërprerjen e parlamentit, për fillimin e zgjedhjeve.
Megjithëse nuk jam i informuar, besoj se METE e ka konkluduar tashmë këtë qëndrim dhe sigurisht do të ndiqen procedurat përkatëse.
Për sa i përket spekulimit tjetër që janë falur gjobat, të gjitha dokumentet flasin të kundërtën. Kompanisë me aktin e hartuar në vitin 2008, i janë vendosur 1.6 milionë dollarë gjoba për gjithë vonesat që ka pasur për periudhën 2001-2007. Dhe në të njëjtën kohë ishte ngritur një ekip kontrolli, që kontrollonte periudhën e më pasme 2007-2009, për të cilën do vendoseshin penalitete të tjera nëse kapeshin shkelje.
Ajo, që kompania ka kërkuar, dhe që i është akorduar nga METE, ka qenë që për faktin që ajo kish akumuluar të drejta që të merrte nga buxheti gjithë rimbursimin për TVSH-në, borxh i akumuluar në atë kohë rreth 3 milionë dollarë, dhe këto kishin krijuar vështirësi financiare, iu lejua mundësia që ta shlyente brenda një periudhe të caktuar kohe, sipas një grafiku të përcaktuar këtë masë penalitetesh. Kjo ka qenë marrëveshja e bërë, që për çdo qindarkë që do merrte nga buxheti i shtetit, në formë rimbursimi, dhe që i takonin me të drejtë, ajo nuk do t’i arkëtonte vetë, por do t’i derdhte pranë METE-s, për shlyerjen e gjobave përkatëse.
Nga sa jam i informuar deri më sot, drejtoria e tatimeve i ka rimbursuar kësaj kompanie rreth 6 milionë dollarë TVSH. Duhet të pyesim METE-n a janë arkëtuar gjobat e penalitetet, që janë vënë në kohën kur unë kam qenë ministër, apo ato që mund të jenë vënë më vonë.
Kjo është gjithë e vërteta për sa i përket këtij koncesioni.
Për sa u takon pastaj aktorëve dhe protagonistëve në krijimin e këtij spekulimi, do të thosha së pari për zotin Prifti më duket e papërgjegjshme politikisht, që një politikan, ministër e ish ministër, të mos shprehet e të mos reagojë e veprojë kundrejt normës ligjore e detyrimit që ka gjatë periudhës kur ka qenë në detyrë, por të fillojë të komentojë pasi ka lënë atë detyrë. Asgjë nuk ia ka lidhur duart sikundër shprehet, zotit Prifti për të vepruar në lidhje me atë marrëveshje koncesionare.
Por zoti Prifti preferoi të zgjidhte zotin Beleku si njeriun që do të mbikëqyrte koncesionin në një konflikt të hapur interesi se Beleku në atë kohë kishte 3 licenca minerale vetë dhe përfaqësonte shtetin në marrëdhëniet me një kompani private në lidhje me koncesionin.
Dhe konflikti i dytë, ai kishte qenë drejtues e menaxher i atij koncesioni, për të cilin ai ndiqet penalisht sot për një dëm jo më pak se 3 milionë dollarë që i ka bërë atij koncesioni.
Do doja t’i sugjeroja gjithashtu zotit Prifti të mos vazhdonte me taktikën e ndjekur deri tani, që sa herë ndjehet i akuzuar e i sulmuar nga drejtësia apo nga politika në lidhje me ushtrimin e funksionit të tij, të vijojë të lëshojë shashka ndaj personave të tjerë, duke synuar kështu të shmangë vëmendjen. Njeriu me burrëri duhet të japë llogari vetë për ato që ka kryer vetë në punën e tij politike dhe administrative.
Për sa u përket atyre që gatuan në të vërtetë këtë akuzë, unë do u thosha që është e drejtë që fuqia e medias që ata zotërojnë të përdoret në funksion të asaj që është roli i medias, të zbulimit të vërtetës dhe të investigimit.
Por përdorimi i fuqisë së medias për t’u hakmarrë ose për të shprehur mllefin ndaj personave, të cilët i kanë penguar këta pronarë në realizimin e interesave të tyre pasurore jo të ligjshme, është përkundrazi një abuzim dhe një arbitraritet.
Nga ana tjetër të jeni të bindur se as nuk më intimidojnë dhe as nuk më bëjnë të nguroj në shprehjen time dhe në veprimet e mia.
Për zotin Shalsi nuk kam ç’të them. Ai është buria, ku çdo gojë që do të vjellë vrer ndaj të tjerëve, por do të fshehë surratin, e përdor dhe fryn.
Nga Genc Ruli
Ministër i Bujqësisë, ish-ministër i Ekonomisë dhe Energjetikës