Opozita refuzon kompromisin, s’pranon hetim në bazë të Kodit dhe Kushtetutës

Dështon ngritja e Komisionit Hetimor parlamentar për zgjedhjet e 28 qershorit 2009
Mazhoranca i ka ofruar konsensus opozitës për ngritjen e komisionit hetimor të zgjedhjeve të 28 qershorit të vitit 2009, por opozita, me gjithë tri pikat për të cilat mori miratim, nuk ka pranuar të shtojë një pikë, që kishte të bënte me respektimin e Kodit Zgjedhor dhe Gjykatës Kushtetuese.
Seanca e Kuvendit e cila zgjati deri në orët e para të mëngjesit të djeshëm, përfundoi pa një gjetje midis mazhorancës dhe opozitës, të pikës së përbashkët në ngritjen e komisionit parlamentar për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Përfaqësuesit e të dy kampeve politike debatuan ashpër me orë të tëra, por nuk kanë arritur të votojnë ngritjen e këtij komisioni duke i hapur rrugë negociatave deri ditën e hënë. Rreth 19 orë debate në parlament mbi kërkesën e opozitës për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit, prodhuan vetëm një akord për të shtyrë diskutimin për seancën e së hënës.
Mazhoranca, e gatshme për kompromis
Në emër të mazhorancës, Kryeministri Sali Berisha u shpreh i gatshëm ti ofrojë opozitës tre pikat kyçe të këtij komisioni siç i ka kërkuar vetë opozita por me kusht që të shtohet edhe një pikë e katërt, ajo e respektimit të Kodit Zgjedhor dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Kjo pikë, ka qenë thelbi i debatit për orë të tëra, pasi sipas kryetarit të grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi, pengon hetimin e plote të zgjedhjeve.
Përkundër propozimit të Kryeministrit Berisha, opozita kërkoi të zëvendësonte këtë pikë me sugjerimin e tyre, ku sipas të cilit KQZ ngarkohej të drejtpërdrejtë të vinte në dispozicion të komisioni hetimor, kutitë e materialeve zgjedhore.
Seanca e djeshme që vazhdoi gjatë deri në mëngjesin e së premtes, pati debate të ashpra mes përfaqësuesve të opozitës dhe kryeministrit, për të arritur një konsensus rreth pikave mbi të cilat të votohej për miratimin e ngritjes së komisionit hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit të vitit të kaluar.
Opozita insistoi përmes deputetit Fatmir Xhafaj në plotësimin e tre propozimeve që përfshijnë hetimin e materialeve zgjedhore, drejtimin e komisionit prej opozitës dhe opozita të ketë shumicën në vendimmarrje.
“Kërkojmë një vendim me tre pika, ku të parashikohet hetimi i materialeve zgjedhore, drejtimi i komisionit nga opozita dhe shumica në vendimmarrje nga opozita. Nëse biem dakord në këto 3 pika e votojmë, në të kundërt çdo përpjekje tjetër është mungesë vullneti për të mos e ngritur këtë komision hetimor”, u shpreh në emër të deputetëve të opozitës, Fatmir Xhafaj.
Ndërsa për të tri pikat mazhoranca ofroi kompromis, opozita kërkonte që në pikën e katërt të saktësohej qartazi se KQZ do t’i vendoste kutitë e materialeve zgjedhore në dispozicion të komisionit hetimor parlamentar. “Fatmir Xhafaj vjen këtu e thotë që pika e katërt do të jetë prapë e zotit Xhafa dhe jo e imja. Ju propozuat tre pika unë kërkova një pikë të katërt ku të saktësohej që hetimi të bëhet në përputhje të plotë me Kodin Zgjedhor dhe Gjykatës”, tha Berisha.
Kryeministri jep garanci për opozitën
Në seancën maratonë, Kryeministri Sali Berisha siguroi midis të tjerave, deputetin socialist, Fatmir Xhafaj se ligjshmërinë e zgjedhjeve e ka pranuar Europa, ndaj dhe miratoi liberalizimin e vizave. Kryeministri siguroi Fatmir Xhafajn se në gjithë karrierën e tij politike, ka qenë gjysma e vitit 2009 dhe viti 2010 më i lehti nga të gjithë.
“Ju a them me sigurinë e më të madhe, jo se kam ndjerë ndonjëherë kënaqësi, jo nuk kam ndjerë dhimbje për absurditet që ju katandisi një njeri, që kur erdhi në postin në krye të partisë suaj dhe jua mori statusin dhe shkroi të zezë mbi të bardhë, se kryetari largohet kur humbet zgjedhjet. Por kur humbi se bëri këtë. Ai ju shumëzon me zero ju”, tha Kryeministri. Berisha tha se ky njeri ka kompleksin e Edipit. “Ky zotëri që është totalisht i sëmurë, e i molepsur me kompleksin Edipit, e ka të vështirë të arrijë tek nesërmja, sepse mbetet tek djeshmja. Ai ka kompleksin e turpit. Ai u moleps nga turpi se humbi zgjedhjet”, tha kryeministri.
Ndërsa ka theksuar se viti 2010, ka qenë viti më i qetë i jetës politike. Berisha tha se zgjedhjet e 29 qershorit, bënë që që 27 ministrat e Bashkimit Europian të votojnë në unanimitet për heqjen e vizave për shqiptarët. Ky proces ishte jetik për shqiptarët.
Kryeministri Sali Berisha tha se nuk do jepeshin kurrë vizat nëse ndonjë nga këto 27 qeveri do kishte kundërshtime për zgjedhjet, ndërsa i ka kujtuar socialistëve e ata bënë të kundërtën, ndërmorën protesta nga më absurdet. “Ju nisët grevë urie. Po ku e kishte etikën kjo grevë urie, ku ju vinin me tufë me lule byrekët. Por mos harroni se ajo grevë ishte nën kujdesi e kryeministrit. Isha i përgatitur t’ju lija dy vjet në grevë urie”, tha Berisha.
Kryeministri i ka siguruar se me politikën opozitare që ata po bëjnë, garantojnë që ai të jetë në pushtet edhe për 25 vjet të tjerë.
Ai ka ftuar më pas opozitën të ngrenë komisionin për hetimin mbi bazën e fakteve. Berisha tha se është i gatshëm të bashkëpunojë me opozitën.
Replikat vijuan mes përfaqësuesve më të lartë të dy partive, me Gramoz Ruçin që bëri thirrje për një zgjidhje, të cilën sipas tij e kërkon edhe vetë KE.
Por Kryeministri Sali Berisha reagoi duke aluduar se kërkesat e PS janë vetëm një lojë e saj. “Vetëm 8 ditë pas dështimit për bllokimin e vizave ai thotë: ‘Nuk më duhet më gjë me kutitë, më duhet me numërimin’. Ka tallje më të madhe se kjo? Nuk mund të gjesh askund një makabritet të tillë”, tha Berisha.
Opozita refuzon kompromisin
Gjatë orëve të para të mëngjesit të djeshëm, seanca plenare u ndërpre dy herë, pasi u kërkua si nga mazhornaca po ashtu edhe nga opozita të kryheshin negociata për arritjen e një konsensusi, negociata të cilat rezultuan të pa suksesshme pasi të dyja partitë ruajtën të njëjtin qëndrim që kishin në fillim të seancës.
Palët vendosën të vazhdojnë negociatat gjatë ditëve në vazhdim, në kërkim të konsensusit. Për këtë arsye, u kërkua nga Partia Socialiste shtyrja për votim ditën e hënë në mënyrë që gjatë kësaj kohe të realizohen të tjera negociata për arritjen e një konsensusi.
Seancën e djeshme u debatua edhe lidhur me opinionin e Bashkimit Europian, që refuzoi kërkesën e Shqipërisë për të qenë një vend kandidat. Diskutimet u karakterizuan nga nervozizmi dhe akuzat e ashpra e të ndërsjella mes palëve duke filluar nga lidhjet me botën e krimit e trafiqet e drogës deri te përfshirja në eliminimet mafioze.
Kuvendi diskutoi dje dhe aktin normativ të qeverisë për pensionet e ish-ushtarakëve. Opozita e cilësoi aktin “të padrejtë” dhe që sipas saj nëpërkëmb këtë kategori. Por nga ana tjetër ministri i Financave Ridvan Bode, deklaroi se ky akt nuk prek pensionet e të gjithë ushtarakëve, apo policëve por vetëm një kategorie ish ushtarakësh të cilët kanë dalë në pension të parakohshëm.