E Diel, 1 Nëntor 2026

Korçë, taksisti grabit e lë në mes të rrugës turistet

KORÇE Shoferi i taksisë grabit dhe lë në mes të natës në rrugë dy turiste austriake. Ngjarja është regjistruar mbrëmjen e së hënës, teksa dy turiste austriake ishin nisur në udhëtim nga Korça në drejtim të Leskovikut. Pasi kanë marrë një automjet taksi për të udhëtuar drejt qytetit turistik dy studentet nga Vjena Lara Bogataj, 22 vjeçe dhe Sabrina Elisabet, 26 vjeçe, e kanë gjetur veten të detyruara për të zbritur nga automjeti, pasi drejtuesi i këtij të fundit i ka kërcënuar. Sipas të dhënave, ngjarja ka ndodhur në afërsi të urës së Floqit rreth orës 20:00, ku të dyja turistet u detyruan të denonconin se pasi ishin nisur nga Korça në drejtim të Leskovikut, rreth 8 km nga Korça, shoferi u kishte vjedhur disa nga sendet personale që kishin në çanta dhe më tej i kishte zbritur nga mjeti e ishte larguar. Sipas Policisë kanë qenë banorët e zonës ata të cilët ndihmuan dy vajzat e terrorizuara për të bërë denoncimin në polici. Pasi kanë dhënë përshkrimin e drejtuesit të mjetit, por edhe tipin dhe ngjyrën e makinës tip BMW me targë AA216EA në të cilën ato kishin hipur për të shkuar në Leskovik, Policia ka bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorit. Ai është identifikuar si Oltian Trajko, 28 vjeç, banues i qytetit të Korçës. Pas arrestimit në banesën e shoferit është ushtruar edhe një kontroll, ku si rezultat janë gjetur sendet e vjedhura: çantat, paratë, kamera, parfume e sende të tjera me vlerë. Pasi kanë dhënë dëshminë në Komisariatin e Policisë në Korçë, dy vajzat janë larguar nga qyteti.   dh.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›