E Shtunë, 31 Tetor 2026

Horge Lorenco, fitore dhe rekord

Spanjolli Horge Lorenco ka fituar dje garën e tij të parë në Moto GP, duke triumfuar në pistën e Estorilit. Spanjolli debutues me Jamahan ka treguar se në këtë sezon do të jetë në luftë për vendet e para në renditje, pasi ka arritur të kalojë me mjeshtëri si Valentino Rosin, ashtu edhe Dani Pedrozën. Një sukses i merituar për 21-vjeçarin, i cili bëhet piloti më i ri, që në vitin e debutimit arrin të sigurojë podiumin në tri garat e para të sezonit, duke thyer me vetëm një ditë rekordin e vendosur nga "armiku" i tij, Dani Pedroza.

Spektakli fillon që në start, kur Valentino Rosi arrin të kalojë Dani Pedrozën dhe vihet në ndjekje të Lorencos. "Doktori" parakalon spanjollin dhe kërkon të shkëputet nga ndjekësit e tij. Me grupin e kryesuesve bashkohet edhe Andrea Doviciozo, falë një starti mjaft të mirë, ndërsa mungon në "apel" kampioni Keisi Stoner. Australiani mbetet në vendin e nëntë pas xhiros së parë, ndërsa më pas humb edhe tri pozicione, për shkak të një pjese të kamerës që shkëputet dhe "valëvitet" në anën e majtë të motorit të tij. Ndërkohë, në kreun e garës, Lorenco dhe Pedroza fillojnë një betejë të ashpër pas krahëve të Rosit. Fitues rezulton debutuesi i Jamahas, i cili merr vendin e dytë dhe më pas parakalon Rosin me një manovër spektakolare në kthesën dyshe. Piloti italian duhet të dorëzojë vendin e dytë pas pak xhirosh, pasi gomat e tij Brixhston shfaqin probleme dhe Pedroza është i vetmi që vihet në ndjekje të Lorencos. Në xhiron e 16-të, Doviciozo gabon në kthesë, duke dalë jashtë piste dhe duke shuar shanset për të arritur një pozicion të rëndësishëm në këtë garë. Në vendin e katërt ngjitet Niki Hejden, por edhe amerikani nuk e ka të gjatë dhe rrëzohet vetëm një xhiro pas Doviciozos, duke e lënë këtë pozicion për Kolin Eduards. Në kreun e garës është Lorenco, që vazhdon të kontrollojë qetësisht, ndërsa Pedroza nuk arrin të ngushtojë diferencën prej 1.5 sekondash me bashkatdhetarin e tij, me Rosin që është përfundimisht në vendin e tretë, duke u munduar të çojë motorin deri në vijën e finishit. Ndërkohë, Stoner arrin të rifitojë terrenin e humbur, duke u ngjitur deri në vendin e gjashtë, pas disa parakalimesh spektakolare. Pilotët nuk ndryshojnë më pozicione dhe Horge Lorenco pret i qetë vijën e finishit, duke siguruar një sukses shumë të rëndësishëm, të parin në karrierë në kategorinë Moto GP. Pas tij renditet Dani Pedroza, ndërsa Rosi merr vendin e tretë, i ndjekur nga Kolin Eduards dhe Xhon Hopkins. Në klasifikimin e përgjithshëm, Lorenco dhe Pedroza kryesojnë së bashku me 61 pikë, duke treguar se mund të jenë ata pretendentët kryesorë për titullin në këtë edicion.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›