Shabani, një tjetër "kuqezi" në Gjermani
Faruk Shabani ka konfirmuar se është një nga boksierët më premtues të peshave "welter" në Gjermani. Kosovari me nënshtetësi gjermane, është prej dy vitesh pjesë e ringut profesionist, ndërsa vazhdon të jetë i pamposhtur, ndonëse ka zhvilluar deri tani 13 takime, 5 nga të cilat të fituara me "Knock Out". Fitorja e 13-të ka ardhur pikërisht në mbrëmjen e së shtunës, ku kosovari 26-vjeçar ka fituar me pikë përballë estonezit Albert Starikov. Ndonëse Shabani kishte zhvilluar një ndeshje tjetër në ringun profesionist vetëm dy javë më parë, ai ka arritur të tregojë një formë shumë të mirë përballë kundërshtarit me eksperiencë që kishte përballë. Pas një fillimi të ngadaltë, ai ka arritur të shkëmbejë disa gjuajtje të suksesshme dhe vetëm në raundin e tretë është rrezikuar nga goditjet me të djathtën të kundërshtarit të tij. Megjithatë, Shabani ka arritur të dominojë dhe deri në raundin e 8-të kishte siguruar një avantazh të dukshëm përballë kundërshtarit të tij, duke siguruar një fitore me vendim unanim të gjyqtarëve. Suksesi i boksierit të lindur në Prishtinë është pasqyruar gjerësisht edhe në mediat gjermane, të cilat kanë theksuar se ai hyn në listën e sportistëve më premtues të peshave "welter". Fakti që ai ka shënuar 13 fitore dhe asnjë humbje, e ka bërë një prej kundërshtarëve më të kërkuar në këtë pikë të karrierës së tij. Për më tepër, fakti se të gjitha ndeshjet janë fituar me vendim unanim të gjyqtarëve apo me KO, bëjnë që ai të vlerësohet shumë nga kritikët për mënyrën e tij agresive të të boksuarit. Megjithatë, Shabani duhet të fitojë disa shkallë më shumë në renditjen ndërkombëtare në takimet e ardhshme, në mënyrë që të pretendojë për organizimin e ndeshjeve me elitën e boksierëve të peshës "welter".