Kosova ishte luftë e drejtë, jo “provë gjenerale” imperialiste
Nga David Clark*
“Guardian”
Dhjetë vjet pasi aeroplanët e NATO-s filluan aksionin kundër Serbisë, lufta e Kosovës mbetet kundërthënëse. Në kohën kur ndodhi, lufta u mirëprit nga shumë si provë e një rendi humanitar që po ngrihej në botë. Aktualisht, trashëgimia e asaj lufte është konsumuar nga debati për luftën kundër terrorizmit.
Ajo që Vacllav Havel e quajti "lufta e parë e vlerave", tashmë më së shpeshti përcaktohet si precedent i rrezikshëm.
Edhe një mbrojtëse e zëshme e ndërhyrjes në Ballkan, si Clare Short, e cilësoi si gabim të politikës së jashtme të Tony Blair-it "tendencën për veprime të mëdha" të Blair-it në Kosovë.
Ka disa arsye për një gjë të tillë, ku pa dyshim më të rëndësishme janë pasojat e luftës në Irak, luftë e cila ngriti dyshime mbi legjitimitetin dhe efikasitetin e fuqisë ushtarake perëndimore.
Duke u larguar nga parimi i mosndërhyrjes dhe fakti që nuk pati mandat nga Kombet e Bashkuara, Kosova shpesh shihet si mëkati i parë që bëri të mundur Irakun. Madje dhe pushtimi i Abkazisë dhe Osetisë së Jugut dhe njohja e pavarësisë së tyre nga Rusia, është cilësuar si pasojë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Krahasimet e kësaj natyre në të vërtetë më shumë krijojnë konfuzion sesa e qartësojnë situatën.
Lufta në Kosovë ishte përgjigje ndaj një gjendjeje të jashtëzakonshme humanitare dhe jo një lojë gjeopolitike e fuqive të mëdha. Por, edhe kjo pikë vihet në pikëpyetje. Të vetëquajturit antiimperialistë kanë ngritur një histori, sipas së cilës krimet e Sllobodan Millosheviçit janë minimizuar apo falur, derisa Perëndimi portretizohet si nxitës i dhunës.
Sipas këtij varianti të historisë, përpjekjet e Millosheviçit për të arritur një zgjidhje të ndërmjetësuar, u sabotuan në konferencën e paqes në Rambouillet nga Evropa dhe SHBA-të, derisa vdekjet e refugjatëve brenda Kosovës ishin shkaktuar nga bombardimet e NATO-s.
Këta kritikë flasin sikur edhe shkatërrimi i Bosnjës të ishte prodhim i imagjinatës.
Realiteti është se në kohën e Rambouillet udhëheqësit perëndimorë ishin bërë më të zgjuar përballë lojës ‘tërhiqe mos e këput’ të Millosheviçit. Millosheviçi vazhdonte gjoja të ndërmjetësonte, por pa besuar në negociata, derisa vazhdonte terrorin etnik në terren. Ata e kishin përjetuar një gjë të tillë për tetë vjet.
Në Kosovë, forcat serbe kishin vrarë 1500 njerëz dhe kishin dëbuar 270 mijë të tjerë përpara se të fillonin aksionet e NATO-s. Dhuna u shtua menjëherë në prag dhe pas fillimit të bombardimeve, por kundërshtarët e kësaj lufte qëllimisht ndryshojnë rolin e shkaqeve dhe pasojave.
Një anketë e zhvilluar nga statisticienë të njohur në 2002-shin konfirmoi atë që refugjatët kishin thënë gjithmonë, që po largoheshin nga shtëpitë e tyre si pasojë e një programi të organizuar për kasaphanë mbi baza etnike.
Analiza e të dhënave tregoi një lidhje të fortë mes vdekjeve, shpërnguljes dhe aktivitetit të forcave serbe. Nuk ka pasur lidhje mes vrasjeve, dëbimeve dhe aktivitetit të NATO-s apo aksioneve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Të dhënat tregojnë se shpejtësia dhe zgjerimi i mobilizimit serb ishte tregues i një plani të hartuar më parë dhe jo rezultat i bombardimeve të NATO-s.
Rreth 850 mijë njerëz, gati gjysma e shqiptarëve të Kosovës, u dëbuan jashtë vendit dhe pjesës më të madhe të tyre u ishin marrë dokumentet vetjake, me qëllim që të pengohej kthimi i tyre. Rreth 10 mijë njerëz u vranë nga forcat serbe. Këto krime ndoshta nuk kanë mundur që të përkufizohen si gjenocid, por ishin mjaft të tmerrshme.
Shteti serb kreu një krim kundër njerëzimit, një plan i ekzekutuar në mënyrë të pamëshirshme, me qëllimin e vetëm që të ndryshohej struktura etnike e Kosovës, përmes dëbimit dhe vrasjeve masive.
Nëse Millosheviçi do ta kishte realizuar planin e tij për pastrim etnik, Ballkani sot do të ishte një vend plotësisht i ndryshëm. Do të kishim një regjim pasues në Beograd, që do t'ia dedikonte aktivitetin ruajtjes së fitores, duke destabilizuar rajonin me ëndrrën e papërmbushur të Serbisë së Madhe. Qindra mijëra shqiptarë të Kosovës do të ishin ende në kampet e refugjatëve në Shqipëri e Maqedoni.
Dëbimi i kosovarëve do t'i jepte Al Kaedës një justifikim shtesë në krimet e bëra nga "kryqëzatorë" kundër myslimanëve. E pa dyshim që kjo akuzë do të kishte gjetur edhe mbështetjen e atyre që sot kritikojnë aksionet e NATO-s. Ishte NATO-ja që e parandaloi një skenar të tillë.
Le të mos harrojmë se Millosheviçi e nisi luftën bazuar në emër të "supermacisë ortodokse të krishterë", kurse Ariel Sharon, i cili ishte i fiksuar nga "kërcënimi islamik" i një Shqipërie të Madhe, ishte ndër përkrahësit e tij më të zëshëm.
Kosova ndryshon radikalisht nga rasti i luftës në Irak sa u përket pasojave në sistemin ndërkombëtar.
Në rastin e Kosovës ishte Rusia që veproi njëanshëm, duke mos pranuar balancën e opinionit ndërkombëtar. Çdo vend anëtar i NATO-s, çdo vend anëtar i BE-së dhe fqinjët e Serbisë i mbështetën sulmet ushtarake.
Operacionet ishin ndërmarrë në baza shumëpalëshe në strukturat e NATO-s, derisa gjendja e paskonfliktit iu dorëzua për administrim OKB-së. Qeveritë që morën pjesë në ndërhyrje, e dinin se ky ishte një largim radikal, por nuk e bënë një hap të tillë për të nënçmuar shumanshmërinë apo për të forcuar dominimin e SHBA-së.
Ata dëshironin që bashkësia ndërkombëtare ta pranonte faktin se angazhimi i OKB-së për liritë individuale duhet të ishte më i rëndësishëm se të drejtat për sovranitet të shteteve dhe pushtetarëve të tyre. Vendet që ndërhynë, synonin të forconin të drejtën ndërkombëtare, jo ta nënvlerësonin atë.
Ka aspekte të ndërhyrjes së NATO-s që mund të kritikohen. Këtu hyjnë përdorimi i disa tipave bombash apo zgjedhja e pakujdesshme e disa caqeve, çka rezultuan me humbje të panevojshme në jetë njerëzish. Dështimi i NATO-s për të parandaluar sulmet hakmarrëse mbi civilët serbë dhe romë e çnderon qëllimin humanitar të ndërhyrjes së NATO-s. Por këto janë çikërrima krahasuar me faje serioze, siç është pastrimi etnik i sponsorizuar nga shteti.
Një dekadë më pas, shumë nga problemet mbeten. Pajtimi mes bashkësive etnike nuk është arritur, enklavat serbe janë të pavullnetshme për të bashkëpunuar me qeverinë në Prishtinë derisa Serbia vazhdon të mos pranojë të përballet me humbjen e sovranitetit ndaj Kosovës. Por, njëherësh, pavarësia nuk çoi në dhunën etnike dhe ekstremizmin e trumbetuar.
Vendet e rajonit në mënyrë të qëndrueshme po shkojnë drejt një lloj uniteti të ri si vende të BE-së. Këtu përfshihet dhe Serbia, qeveria demokratike e së cilës dorëzoi në Hagë Radovan Karaxhiçin dhe është angazhuar të arrijë standardet ndërkombëtare. Ultranacionalistët janë margjinalizuar dhe rajoni ka mundësi për një të ardhme pa dhunë.
Lufta në Kosovë ishte momenti që ngriti pyetjen nëse rënia e Murit të Berlinit do të shënonte kthimin e barbarizmit etnik dhe politikës së fuqive sipas stilit të para-Luftës së Ftohtë apo do të ishte një fazë më e mirë e historisë së Evropës.
Kjo trashëgimi nuk është nderuar ashtu siç duhej. Pavarësisht të gjithave, Kosova duhet kujtuar si shembull ku vendet perëndimore përdorën fuqinë e tyre, ndonëse jo në mënyrë të përkryer, për të bërë diçka të mirë e të nevojshme.
*Këshilltar për Evropën në Ministrinë e Jashtme britanike (Foreign Office)