Maqedoni-Greqi, tre variantet e paktit për në NATO
• Greqia ka tre variante për të hedhur në tavolinë gjatë këtij muaji, në mënyrë që të japë “OK” për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO.E përditshmja greke, “Ta Nea”, ka zbuluar dje në faqet e saj, tre variantet e shefes së diplomacisë greke Bakojanis për ndryshimin e emrit të Maqedonisë. Skenari i parë dhe më i mirë për Athinën dhe Shkupin është që të dy vendet të vijnë deri te zgjidhja e problemit për emrin e Maqedonisë para takimit të kreut të NATO-s në Bukuresht më 2 prill”. Sipas “Ta Nea”, kjo do ta bënte më të sigurt Maqedoninë për miratimin e ftesës për në NATO. Skenari i dytë i mundshëm, parashikon që Shkupi të qëndrojë në mospajtueshmërinë e tij dhe të mos heqë dorë nga pozicionet, gjë që nuk përjashtohet si mundësi. Gjatë zhvillimit të këtyre ngjarjeve, takimi i NATO-s në Bukuresht mundur të konfirmojë se nuk e ka konsensusin e domosdoshëm, që t’i dërgohet ftesë Maqedonisë për anëtarësim në Aleancë. “Në NATO do të hyjnë Shqipëria dhe Kroacia, ndërsa Maqedonia do të mbetet jashtë Aleancës Veri-Atlantike”, vlerëson gazeta. Skenari i tretë ose amerikan është që nëse nuk zgjidhet problemi rreth emrit deri në takimin në Bukuresht, Washingtoni do të bëjë presion ndaj Greqisë që ta pranojë dërgimin e “ftesës me kusht të caktuar”. Ky kusht do të ekspozohet në dokument adekuat të Aleancës, ku do të konfirmohet se procedura për anëtarësim në NATO nuk do të lëvizë përpara, nëse Maqedonia nuk e zgjidh problemin me Greqinë në afat konkret. Sipas gazetës, Washingtoni vlerëson se në këtë mënyrë nuk do të vihet në rrezik siguria për Maqedoninë dhe se në këtë mënyrë ajo do të jetë e garantuar.