E Diel, 1 Nëntor 2026

Hotel Dajti “i ndaluar” frymëzon Bienalen e Tiranës



Bienalja Ndërkombëtare e Artit Bashkëkohor e Tiranës është ngjarja më e madhe e artit në Shqipëri e cila synon të përdorë artin bashkëkohor si një mjet për të analizuar gjendjen e sotshme dhe për të ngritur një zë kritike në diskursin shoqëror. Edicioni i sivjetshëm është menduar të zhvillohet përgjatë periudhës (shtator – tetor ‘09) nën titullin “The Symbolic Efficiency of the Frame” / “Efektshmëria Simbolike e Kornizës”. Siç shpjegon kuratori Edi Muka, ky edicion do të mbahet në një nga hotelet më madhështorë të dikurshëm, siç ishte “Hotel Dajti”, i ndërtuar nga Italia fashiste në fund të viteve 30-të. Gjatë të kaluarës sonë komuniste për shumë vite ishte vendi vendi i vetëm ku çoheshin të huajt, por ku nuk lejohej te hynte asnjë shqiptar. Tani ai qëndron i plackitur dhe i dhunuar në mes të qytetit në pritje për t’u transformuar në të ardhmen, ndoshta, në Ministrinë e Jashtme. Duke vazhduar përvojën e suksesshme të edicioneve të mëparshme, TICAB do të vazhdojë strukturën e hapjeve të njëpasnjëshme, të ndërtuar me episode të ndryshme, të cilat përkojnë me numrin e kuratorëve të ftuar. Në një përpjekje për t’ju përgjigjur në mënyrë kritike zhvillimit të egër urban dhe arkitekturor të qytetit, edicioni i këtij viti synon të zgjerohet përtej fushës së arteve pamore në fushën e arkitekturës dhe proceseve të urbanizimit. Sa i përket strukturimit të Bienales të Tiranës, këtë vit ajo di të jetë e ndarë në tre episode që do të kurohen nga Edi Muka e Joa Ljungberg, Ana Dzokic e Mark Nilen dhe Korin Diserens. Siç shprehen Edi Muka dhe drejtorja artistike Joa Ljungberg, “Nocioni shërben si pikënisje për t ëhapur një diskutim mbi natyrën komplekse të reales dhe realitetit dhe mënyrave të ndryshme se si ne i perceptojmë ato dhe i lidhim me historinë. Pavarësisht nga këndi i vështrimit apo metodologjia e përdorur, qoftq kjo shkencore, estetike apo filozofike, ajo ç’ka na intereson janë hendeqet që shfaqen në këtë proces perceptimi në ndryshim të vazhdueshem.” Të dy kuratorët shpjegojnë se, si
pikënisje fizike të përpjekjes tonë, ne do të kemi ndërtesën e boshatisur te Hotel Dajtit. I gjendur në qendër të kryeqytetit, dikur i shkëlqyeshmi Hotel Dajti, dergjet sot në pritje të transformimit të tij të ardhshëm. Një monument kulture historik dhe arkitekturor, një dëshmitar i heshtur por i gjallë i ideologjive dhe strukturave të pushtetit që e ndërtuan dhe e përdorën përgjatë viteve, Hotel Dajti me muret dhe dyshemetë e tij të lodhura është një “kornizë simbolike” e përsosur. Kështu, artistët ndërkombëtarë ftohen që të ndërveprojnë me hotelin dhe historinë e tij, duke shpresuar të ndërpresim rrjedhjën e pandalshme të kohës në të cilën ka hyrë Dajti. Një ndërveprim që synon të inkurajojë imagjinatën dhe të na shtyjë drejt një të kuptuari më të thellë të situatës globale.

25 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›