Liburna shqiptaro–italiane nis eksplorimin e Karaburunit
Një ekspeditë e përbashkët shqiptaro-italiane ka nisur të eksplorojë zonën nënujore të gjirit detar të Vlorës, duke u përqëndruar përgjatë bregdetit të gadishullit të Karaburunit.
Drejtori i parqeve arkeologjike Amantia-Orikum, Gëzim Llojdia, tha të hënën për ATSH-në se “Ekspedita është pjesë e projektit kombëtar “Liburna” ose arkeologjia nënujore shqiptare, që ka nisur të zbatohet në bregdetin jugor të Shqipërisë”, e përfshirë në marrëveshjet e bashkëpunimit mes qeverive të Shqipërisë dhe Italisë për periudhën 2007-2011. “Projekti ka si objektiv studimin e bregdetit shqiptar dhe ndërtimin e hartës arkeologjike të tij”, sqaron Llojdia. Sipas tij, në kuadrin e këtij projekti, para pak javësh në zonën nënujore të Porto Palermos, u zbuluan objekte qeramike që i përkisnin shekullit IV dhe u realizua zonifikimi i plotë i kësaj pjese të bregdetit. Një nga fazat më interesante të projektit, është eksplorimi i Gjirit të Vlorës, ku përfshihet edhe zona nënujore e Triportit, ku vitin e kaluar u nxorën nga thellësia e detit rreth 200 objekte, të cilat u inventarizuan në Muzeun Historik Arkeologjik të qytetit. Kjo zonë, ku gjenden rrënojat e një qyteti antik, që u zbulua në vitin 1904 nga arkeologu Karl Paçi dhe që kanë ngjallur diskutime për formën e çuditshme të një muri të zgjatur drejt detit, është ende e paeksploruar. Ndërkaq, Gadishulli i Karaburunit, më i madhi i bregdetit shqiptar, me gjatësi 16 km dhe gjerësi maksimale 4,5 km, mbetet objektivi kryesor i ekspeditës. Zona perëndimore e këtij gadishulli është e pasur me gjire e plazhe të vogla e të izoluara, me ujra të thella e të pastra. Në veri të gadishullit gjendet shpella detare e Haxhi Alisë (lundërtar ulqinak i shek. XVII), me e madhja në Shqipëri. Plazhet kryesore të Karaburunit janë ato të Dafinës dhe Gramës, në të cilat mund të shkohet vetëm përmes rrugës detare. Pranë plazhit të Gramës gjendet shpella e Skllevërve, e cila në periudhën e antikitetit shfrytëzohej për nxjerrjen e gurit për nevojat e ndërtimeve. Në faqet shkëmbore të plazhit janë zbuluar mbishkrime antike, të cilat mendohet se janë shkruar nga lundërtarët e ndryshëm që kanë kaluar aty. Ekspedita do të fokusohet kryesisht në zonën nënujore të gjirit, ku fshihet një pjesë e historisë së lashtë. Espedita e përbashkët shqiptaro-italiane, e dyta e këtij lloji brenda dy vjetësh, drejtohet nga Adrian Anastasi, drejtor i arkeologjisë nënujore në Durrës dhe prof. Xhulian Volpe, rektor i Universitetit të Foxhias (Itali). Në përfundim të saj do të zhvillohet ceremonia e dorëzimit të objekteve të zbuluara në zonën nënujore, të cilat do të depozitohen pranë Muzeut Historik të Vlorës.
Netët e Poezisë Strugane, festivali mbyllet pa çmime për shqiptarët
Pavarësisht replikave mbi vendin e zhvillimit të festivalit “Netët Strugane të Poezisë” dhe gjithë të tjerave, ky aktivitet është zhvilluar dhe ka ndarë çmimet e tij. Me ndarjen e çmimeve për laureatët dhe me takimin tradicional ndërkombëtar poetik "Urat", mbrëmë përfunduan Netët e 48-ta Strugane të Poezisë.
Poetit slloven, Tomash Shalamun iu dha “Kurora e artë e poezisë”, ndërsa çmimin “Urat e Strugës”, që UNESKO e jep për librin më të mirë debutues me poezi në botë, e mori poeti nga Senegali, Usman Sar-Sarus. Poetja maqedonase, Vesna Acevska fitoi çmimin “Vëllezërit Miladinovci”, ndërsa çmimin “Vula e artë mërgimtare” e fitoi poeti Mark Shobelov, me përmbledhjen në vargje “Këngë mërgimi”.
25 Gusht 2009