E Hënë, 2 Nëntor 2026

Hotel “Dajti”, sherre para privatizimit

27/05/2005  Largohet vetëm dy ditë para ankandit një prej blerësve më potentë të hotel “Dajtit”

Sherret vazhdojnë të ndjekin privatizimin e hotel “Dajtit”, që tenton për herë të tretë të shitet. Vetëm dy ditë para privatizimit, një prej blerësve më potentë të hotel “Dajtit”, Bexhet Pacolli, ka deklaruar se tërhiqet nga procesi i ankandit, i ofenduar nga insinuatat e bëra në shtyp kundër tij. “Nuk e blej hotel ‘Dajtin’ për t’u bërë i pasur, pasi paratë nuk i kam lënë t’i bëj në Shqipëri“, ka thënë Pacolli, duke deklaruar se nuk do të marrë pjesë në tender. Sipas tij, akuzat e bëra jo vetëm në shtypin shqiptar, por dhe në atë kosovar, kanë cënuar dinjitetin e tij. Ndërkaq për të blerë hotel “Dajtin” mbeten vetëm gjashtë konkurrentë, nga shtatë që kanë regjistruar ofertat e tyre. Sot zhvillohet ankandi për privatizimin e hotelit, që ka një histori të pasuksesshme 5-vjeçare. Burime nga Agjencia Kombëtare e Privatizimeve, kanë bërë të ditur se vlera fillestare e hotel "Dajtit" në momentin e shitjes do të jetë 1 miliard e 800 milionë lekë. Burimet zyrtare të AKP-së sqaruan se pas dorëzimit të dokumentacionit të kompanive të interesuara për blerjen e hotelit, kërkesat do të shqyrtohen nga komisioni përkatës nga data 7 deri në 14 qershor. Më pas do të jetë Këshilli i Ministrave ai që do të shpallë edhe fituesin e tenderit mbas datës 14 qershor.

Asnjë nga emrat e subjekteve që do të marrin pjesë në ankand, nuk është deklaruar për të ruajtur koefidencialitetin e procesit. Procesi i privatizimit të hotel "Dajtit" ka dështuar dy herë të tjera në të shkuarën. Të interesuar për blerjen e tij kanë qenë biznesmeni kosovar, presidenti i "Mabetex", Bexhet Pacolli dhe biznesmeni vlonjat, Sulo Shehu. Kompani tjetër e interesuar për privatizimin e këtij hoteli ka qenë edhe kompania e prodhimit të çimentos në Fushë-Krujë, "Seament". Hotel "Dajti" i ndërtuar në vitin 1943, ka arkitekturë italiane të stilit roman. Edhe pse jo një ndërtesë e lartë, "Dajti" ka një shtrirje të gjerë në një truall me sipërfaqe 8 mijë e 760 metra katrorë. Ai ka një kapacitet prej 98 dhoma, nga të cilat, 38 janë dhoma dyshe. Në mjediset e tij ka restorant me 100 vende, sallë konferencash, tavernë, parking, si dhe mjedise të nevojshme shërbimi. Përveç këtyre, hoteli ka edhe mjedise të tjera "underground" me një sipërfaqe totale prej 2 mijë e 345 metra katrorë.

1.87 miliardë lekë oferta për hotelin

8760 metra 2 hapësira e hotelit

1.6 miliardë lekë vlera e truallit

Blerësit e mundshëm

Bexhet Pacolli, president

Sulo Shehu, biznesmen

”Seament”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›