E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kodikët, Kinezët i restaurojnë me dorë dhe vegla mjekësore

27/05/2005  Udhëtimi i parë drejt Kinës

Relacion rreth udhëtimit të dy arkivistëve që shoqëruan kodikët për restaurim në RP të Kinës; Për disa muaj mbi dhjetra punonjës kinezë, brenda dhe jashtë orarit të punës punuan për restaurimin e kodikëve shqiptare, ku u përfshinë mbi tetë institucione të kulturës kineze; E gjithë puna e restaurimit është kryer me dorë, me vegla mjekësore, pa asnjë aparaturë

Nisja nga Tirana për në Kinë u bë më datë 18 mars 1971, bashkë me 30 shqiptarë, që edhe ata udhëtonin për në Kinë, duke ndjekur itinerarin Tiranë-Beograd. Këtu qëndruam vetëm një gjysmë ore, sa u furnizua avioni me karburant. Çanta nuk u lëshua asnjë çast nga dora. Nga Beogradi udhëtuam për në Budapest. Këtu fjetëm një natë në hotelin e aeroportit, meqë ishim tranzit. Këtu erdhën shokët e ambasadës sonë për t’u interesuar për fjetjen. Në hotel fjeta në një dhomë bashkë me një shok shqiptar. Të nesërmen u nisëm përsëri me avion për në Moskë. Në aeroportin e Moskës qëndruam 8 orë. Në asnjë vend ku kalova nuk më kontrolluan dhe as dyshuan çfarë kisha brenda. Nga Moska u nisëm për në Omske. Në aeroport qëndruam vetëm një gjysmë ore dhe përsëri udhëtojmë për Irkuck, ku fjetëm një natë. Të nesërmen u nisëm për në Pekin, ku mbërritëm në ora 11 paradite. Më datë 21 mars mbërritëm në aeroportin e Pekinit. Kishin dalë për të na pritur këshilltari i ambasadës tonë dhe shokë të Akademisë së Shkencave të RP të Kinës dhe të Institutit Arkeologjik: kryetari i degës së punëve të jashtme pranë Akademisë së Shkencave, përfaqësuesi i ushtrisë pranë Institutit Arkeologjik, përgjegjësi i Institutit Arkeologjik dhe punonjës shkencorë të tij, si dhe përkthyesi.

Çantën me kodikët e dorëzuam në ambasadë për ta ruajtur. Të nesërmen u bë takimi i parë në një nga sallat e hotel “Pekinit”. Çantën e solli shoku Jovan Antoni dhe në prezencë të specialistëve kinezë kjo u hap. Në mbarim të bisedimeve, kodikët iu dorëzuan Institutit Arkeologjik për të bërë studimin. Kodikët u siguruan në kasaforta dhe ditë e natë ruheshin nga dezhuri, rojat. Gjatë takimit u fol për rëndësinë historike të kodikëve, për historikun e gjetjes së tyre, për shkallën e dëmtimit fizik. Në këtë takim, nga specialistët kinezë, u tha se nuk kishin pasur ndonjë rast të punonin me materiale të ngjashme dokumentare, sidomos në pergamenë. Për këta kodikë duhej të bëhej një punë shumë e madhe, mbasi ata nuk kishin eksperiencë as edhe për t’i mbrojtur. U tha se puna do të bëhet pa u nxituar dhe do të ndihmohemi edhe nga institucione të fizikës dhe të kimisë e të tjera. Puna e parë ishte sigurimi i kushteve të përshtatshme atmosferike, forcimi i fletëve dhe pastaj restaurimi.

Gjatë fotografimit të kodikëve do të evitoheshin sa të ishte e mundur ndriçimet e forta. Gabimi kryesor ishte se duhej të ishin ba demarshet për restaurim menjëherë sapo u gjetën, ashtu të lagur siç ishin, sepse me kalimin e kohës ishte vështirësuar restaurimi. Po të ishte kërkuar restaurimi menjëherë pas daljes nga dheu, restaurimi do të kishte qenë më i lehtë dhe më i suksesshëm. Por do të bëjmë të gjitha përpjekjet për restaurimin e tyre, thanë shokët kinezë. Në mbrëmje, sekretari i Përgjithshëm i Akademisë së Shkencave shtroi për nderin tonë një darkë në hotel “Pekini”. Në bazë të programit, më 25 mars u bë takimi i dytë, në një nga sallat e Institutit Arkeologjik. Morën pjesë drejtori i Institutit Arkeologjik dhe shumë punonjës. Në një nga sallat e punës pamë mbi tavolinë 4 kuti prej xhami organik, ku ruheshin kodikët nga temperaturat, pluhuri dhe lagështia e jashtme. Specialistët kinezë thanë se këto dy monumente të rëndësishëm të kulturës shqiptare janë njëkohësisht edhe tanët. Eshtë një nder i madh për neve që na dorëzohen, besohen këto dy monumente… Tani për tani duhet të mendojmë dhe mandej të marrim masa mbrojtjeje për të mos u dëmtuar më tej. Në këtë takim shokët kinezë folën për metodat që do të përdoreshin për fillimin e punës së restaurimit; për analizat që ishin bërë për përcaktimin e përbërjes së fletës: pergamenë apo letër; për kushtet atmosferike të mikromjedisit, që duheshin krijuar për kohën gjatë punës. Gjithashtu raportuan se kodikët ishin futur në sfera prej xhami, për të mos rënë në kontakt me ajrin atmosferik dhe se do të ruheshin në kasafortë me roje gjatë ditës dhe gjatë natës. Për restaurimin e kodikëve është bërë një punë e madhe dhe e kushtueshme. Gjatë tre muajve të parë merrnin pjesë mbi 10 punonjës. Më vonë u shtuan edhe disa persona të tjerë, për të shkurtuar kohën e përfundimit të restaurimit të kodikëve. Por, meqenëse edhe këta punonjës nuk mjaftonin, u bë edhe një shtesë tjetër me punonjës dhe u vendos të fillohej të punohej edhe jashtë orarit. Kështu, gjatë 3-4 muajve të fundit, punonin dhjetëra punonjës, brenda dhe jashtë orarit të punës, dhe dorëzimi u bë më datë 1 nëntor 1971. Detyra e restaurimit të kodikëve ishte marrë përsipër nga Akademia e Shkencave të RP të Kinës. Instituti Arkeologjik, që përballoi punën kryesore, varej nga Akademia. Një ndihmë të konsiderueshme kanë dhënë edhe disa institucione të tjera, si: Instituti i Kimisë, Instituti i Biologjisë, Instituti i Gjeologjisë, Instituti i Shëndetësisë, Fabrika e Lëkurës, Fabrika e Letrës, Biblioteka Kombëtare e Pekinit, Shtëpia Botuese e Artit. Për restaurimin e kodikëve një kujdes dhe një interesim të veçantë ka treguar qysh në ditët e para shoku Go Mo Zho, President i Akademisë së Shkencave dhe nënpresident i Asamblesë Kombëtare të Kinës. E gjithë puna e restaurimit është kryer me dorë, me vegla mjekësore, pa asnjë aparaturë. Më datë 1 nëntor 1971… në orën 15.00 mbasdite u bë ceremonia e dorëzimit të kodikëve. Kishin ardhur nga ana e ambasadës së RP të Shqipërisë shokët Jovan Antoni, Kleo Bezhani, Reiz Xhelili dhe shokë të tjerë. Nga pala kineze kishin ardhur: këshilltari ushtarak i Akademisë së Shkencave, përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme, të Institutit Arkeologjik si dhe të institucioneve të tjera që morën pjesë në restaurimin e kodikëve. Në një tavolinë në sallën e pritjes ishin ekspozuar origjinalët, kopjet dhe maketet prej allçie. Të nesërmen, kodikët origjinalë, kopjet dhe maketet u ambalazhuan në 9 arka, duke marrë të gjitha masat për mbrojtjen e tyre nga lagështia, myku, tronditjet, hapja.

Më datë 3.11.1971 në ora 18.30 u nisëm me tren nga Pekini për në Kanton. Arkat u sistemuan në kabinën e fjetjes të shoqëruesit.

Më datë 6.11.1971, në orën 7.30 të mëngjesit, mbërritëm në Kanton. Atje na priti një shoqe kineze, nëpunëse e shoqërisë lundruese shqiptaro-kineze, së bashku me një makinë për transportimin e 9 arkave për në portin e Kantonit.

Vapori “Vlora” ishte jashtë portit, në det të hapur.

Me një motoskaf u nisëm për nga vendi ku gjendej vapori. Të 9-të arkat i ngjitëm në vapor, duke ia dorëzuar kapitenit, bashkë me shkresën zyrtare që morëm nga ambasada jonë në Pekin. Arkat i sistemuam në një nga dhomat që ishin të sigurta në çdo pikëpamje, qoftë për sigurimin, qoftë nga temperaturat dhe lagështira.

Vapori “Vlora” mbërriti në Shqipëri më 31.12.1971, por neve i tërhoqëm arkat më datë 6 janar 1972, kur vapori u fut në port. Arkat u kontrolluan një nga një dhe mbasi u gjetën në rregull, me një makinë të veçantë, u sollën në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit. Arkat u hapën dhe materiali u sistemua në kasaforta prej hekuri.

Gjatë tetë muajve të qëndrimit tonë në RP të Kinës, Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave e kemi informuar vazhdimisht mbi zhvillimin e gjithë punimeve në lidhje me restaurimin e kodikëve dhe mbi çdo gjë tjetër i kemi dërguar informacione.

I kemi propozuar drejtorisë, duke marrë edhe mendimin e ambasadës sonë në Pekin, që t’i dhurohej Akademisë së Shkencave të RP të Kinës nga një kopje e kodikëve, në shenjë miqësie për punën shumë të madhe që ata kanë bërë për restaurimin e kodikëve. Gjithashtu kemi propozuar të na dërgoheshin dhurata simbolike. Por këto dy propozime nuk patën asnjë përgjigje.

Sanie Mara, Reshat Alia

28.11.1971

Shënim nr.1: Restaurimi. Kodikët e shekullit të 6-të dhe të 9-të janë gjithsej 30 volume, plus kopjet e maketet. Këto të gjithë futen në 9 arka dërrase, me të cilat janë transportuar në Kinë. Kodikët nuk i nxe kutia e kartonit. Mendojmë të porositen 9 arka metalike, ku të futen brenda 9 arkat e dërrasës. Për 30 volumet duhen 7 arka metalike. Për kodikët e tjerë duhen 13 arka metalike. Gjithsej 20 arka metalike. 16.12.1978.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›