E Hënë, 2 Nëntor 2026

Si kopjua Kodiku me gërma ari

27/05/2005  Porosia kineze për ruajtjen e Kodikëv

Relacion për mënyrën si u punua nga specialistët kinezë për restaurimin e kodikëve

Puna e bërë për restaurimin e kodikëve: Puna për restaurimin e kodikëve ka kaluar nëpër disa procese apo faza.

Faza e parë ishte shfletimi, ndarja e fletëve nga njëra-tjetra i kodikëve, ose shqitja e fletëve. Mbas studimesh dhe eksperimentimesh, u vendos që shqitja e fletëve të bëhej me metodën e induktimit të lagështirës. Kjo metodë evitonte prishjen, shkërmoqjen e fletëve gjatë fazës së ndarjes, mbasi këto ishin ngjitur fort dhe mjaft të thata, prandaj, kur prekej fleta, thërmohej. Për këtë qëllim u ndërtua një arkë prej xhami, u montua një aparat i thjeshtë për prodhimin e avullit dhe përçimin e tij në kuti. Brenda në arkë u vendos një barometër për të vëzhguar temperaturën dhe lagështirën. Dhënia e lagështirës së nevojshme fletës së thatë zgjaste 3 orë. Ky proces pune kërkonte vëzhgim të vazhdueshëm të temperaturës, të lagështirës dhe të sasisë së avullit që jepej. Në vartësi të temperaturës dhe të lagështirës së ajrit atmosferik të jashtëm, jashtë arkës, janë përdorur, përveç arkës prej xhami organik, edhe letra thithëse të lagura, dhoma prej plastmasi, akull, ujë, në mënyrë që temperatura dhe lagështira të jenë konstante. Për këtë fazë janë bërë edhe punime të tjera, si regjistrimi i fletëve, fotografimi i tyre, numërtimi për të shmangur ngatërresat e fletëve dhe për të fiksuar gjendjen, radhën ekzistuese të tyre. Por fletët ishin shumë të prishura dhe dhënia e lagështirës i kthente në baltë, prandaj është bërë forcimi i tyre me substanca kimike, si polyvinyl bytyral, që vihej ndërmjet fletës ekzistuese dhe letrës prej mëndafshi të prodhuar posaçërisht për restaurimin e kodikëve. Faza e dytë e punimeve ishte restaurimi i fletëve. Gjatë shfletimit u shkëputën copëza të vogla të fletëve, pati grisje dhe humbje të disa pjesëve. Me anën e letrës prej mëndafshi dhe të substancave kimike të polyvinyl bytyral, që ka dhe veti ngjitëse, copëzat e shkëputura janë vënë në vendet e tyre, janë ngjitur grisjet dhe janë plotësuar boshllëqet e vogla. Gjatë këtij procesi janë bërë edhe punime të tjera, si: pastrim i fletëve prej precipitimit, depërtimit të ujit, pluhurit dhe mykut, me anë të disa shpatave prej metali, furçave të buta dhe substancave kimike thymol. Eshtë bërë rrafshimi i fletëve, duke e futur çdo fletë ndërmjet dy xhamave dhe duke u vënë pesha. Gjithashtu për pastrimin e germave prej floriri është përdorur alkool laktik. Faza e tretë e punimeve është mbyllja hermetike e fletëve në xham organik. Puna e mbylljes është bërë në një ballon, sferë që nuk përmbante ajër, por vetëm azot dhe thymol puro në vakuum. Me anën e një lloji zamku, të përbërë prej substancash kimike klorobenzen dhe klorotorm, bëhej mbyllja e parë e fletëve në ballon. Kjo përsëritej edhe tri herë të tjera, në një interval prej 1-2 orësh. Edhe kjo fazë kishte punime të tjera, si prerja e xhamave, lëmimi i anëve të tij për të formuar një kënd 45 gradë, pastrimi i tyre, fiksimi i fletëve të kodikëve në xham. Çdo fletë e mbyllur hermetikisht futej në një qese, fole, të përgatitur prej substancave kimike terylene dhe çdo 20 fletë ose qese lidheshin në një album, vëllim. Kështu, kodiku me germa ari, që kishte 420 fletë, u nda në 21 albume, kurse kodiku me germa argjendi, që kishte 190 fletë, u nda në 9 albume. Krahas restaurimit të kodikëve është bërë edhe një punë tjetër shumë e madhe, që ka kushtuar shumë nga ana financiare dhe është dashur kohë mjaft e gjatë për ta kryer. Kjo punë u bë për nxjerrjen e kopjeve të dy kodikëve dhe për maketet e tyre. Kopjet e kodikëve janë nxjerrë me qëllim që shfrytëzimi i tyre të bëhet jo nëpërmjet dorëshkrimeve origjinale. Kopja e kodikut me germa ari është bërë në pergamenë dhe është shkruar me germa ari, si origjinali. Ky kodik është riprodhuar me anë të fotografimit dhe të retushimit. Ndërsa për riprodhimin e kodikut me germa argjendi është prodhuar një lloj letre speciale. Për shkrimin e germave është përdorur alumini, me anë të kopjimit. Për këtë kodik ka ndihmuar shumë për shpejtimin e punës edhe dërgimi nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shtetit i mikrofilmit të studimit dhe të transkriptimit të bërë nga prifti (siç!) Pier Batiffol. Një tjetër punë është bërë për nxjerrjen e maketeve të kodikëve, që janë prej allçie, për të pasqyruar dëmtimin fizik të tyre (sa të dëmtuar ishin para restaurimit). Lidhur me ruajtjen e dy kodikëve, kemi porosi të veçantë nga specialistët kinezë: kodikët duhet të ruhen në dhoma të thata, të freskëta dhe me hije; të evitohet drita e diellit, e natyrës dhe ndriçimet e forta për kohë të gjatë, në rast përdorimi. Për prekjen e kodikëve duhet të përdoren doreza pambuku. Kodikët duhet të vendosen horizontalisht dhe të mbrohen prej tronditjeve të forta. Herë pas here duhet të bëhet kontroll dhe të shfletohen fletët. Ndalohet përdorimi i fenolit, konforit dhe naftalinës brenda në dhomën e ruajtjes, mbasi këto dëmtojnë xhamin organik.

Sanie Mara, Reshat Alia.

28.11.1971

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›