Hotelet dhe restorantet në “sitë” për cilësinë e ushqimeve
Hotelet dhe restorantet, sidomos ato që ushtrojnë veprimtarinë në zonat turistike të vendit, do të kontrollohen për cilësinë e ushqimeve që ofrojnë. Pas urdhrit të nxjerrë pak ditë më nga ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, Drejtoria e Shëndetit Publik bën të ditur se do të ushtrojë kontrolle të rrepta në ditët në vijim, jo vetëm te të gjitha subjektet tregtare që ofrojnë produkte ushqimore për konsumatorët, por edhe në hotele e restorante. Drejtori i këtij institucioni, Mhill Gecaj, thotë se me afrimin e sezonit turistik të gjitha këto subjekte duhet të pajisen me libreza shëndetësore, si dhe leje higjieno-sanitare, në të kundërt atyre do t’u rrezikohet aktiviteti. “Të gjitha subjekteve që ofrojnë shërbime të tilla, sidomos në zonat turistike, duhet të kenë kujdes për pajisjen me dokumentacion të posaçëm për ushtrimin e këtij aktiviteti. Nga Inspektoriati Sanitar Shtetëror nuk do të tolerohet as edhe një subjekt, asnjë lokal, asnjë hotel, asnjë bar apo restorant”, - tha Gecaj. Librezave shëndetësore u janë shtuar disa risi, të cilat kanë të bëjnë me një numër edhe më të madh analizash, të cilave duhet t’u nënshtrohet personi që ka subjektin. Gjatë muajve të kaluar, Drejtoria e Shëndetit Publik ka evidentuar edhe raste të personave që kanë falsifikuar këto libreza, të cilët janë për ndjekje penale. “Është subjekti i cili paraqitet vetë pranë Drejtorisë së Shëndetit Publik dhe Inspektoriatit Sanitar për t’u pajisur me librezë shëndetësore dhe nuk është më inspektori i cili ia çon. Në të gjitha rastet e konstatimit të shkeljeve që janë bërë nga ana e inspektorëve për lëshimin dhe pajisjen me libreza të personave apo subjekteve të ndryshme, janë marrë masat administrative”, - tha Gecaj. Sipas një udhëzimi të posaçëm, të nxjerrë nga Drejtoria e Shëndetit Publik në Tiranë në verën e vitit të kaluar, tashmë është ngritur një strukturë e re që do të merret me pajisjen e librezave shëndetësore, dhe nuk do të jenë më inspektorët personat përgjegjës që do t’i shpërndajnë këto libreza, duke shmangur kështu abuzimet që janë konstatuar në dhënien e tyre. Për këtë arsye, është krijuar një zyrë e posaçme pranë Drejtorisë së Shëndetit Publik, që funksionon me orar të plotë, çdo ditë, ku të gjithë subjektet duhet të paraqiten pranë kësaj zyre për t’u pajisur me librezën shëndetësore. Disa nga kriteret që duhet të plotësohen për t’u pajisur me librezë shëndetësore janë kryerja e disa ekzaminimeve, duke filluar që nga mjeku familjes, aty ku personi ka kartelën personale. Po ashtu, nevojitet kryerja e ekzaminimit laboratorik pranë Drejtorisë së Shëndetit Publik. Ndërkaq, kërkohet edhe një ekzaminim radiologjik ose te mjeku pneumolog, për të parë nëse ka vatra turbekulozi. Pa kryer këto katër ekzaminime, personi nuk mund të pajiset me leje shëndetësore. Vetëm gjatë muajit të kaluar janë pajisur me libreza shëndetësore rreth 1500 subjekte, me leje higjieno-sanitare rreth 350 të tilla, ndërkohë që janë vënë rreth 28 gjoba.