Houérou: BB bëri gabime në Jalë, por nuk hetuam qeverinë
Vizita e zëvendëspresidentit të Bankës Botërore për Europën dhe Azinë Qendrore riktheu edhe njëherë debatin për shkatërrimin e shtëpive në Jalë. Në mbledhjen e përbashkët mes qeverisë shqiptare dhe këtij institucioni financiar ndërkombëtar, zoti Berisha përfitoi nga rasti që ta konsiderojë skandalin një çështje të mbyllur, pasi, sipas tij, të gjitha gjërat janë qartësuar. Por, përgjigjja e drejtuesit të Bankës ishte një “mea copa”, duke pranuar gabimet e Bankës Botërore në realizimin e projektit për Menaxhimin e Integruar të Zonës Bregdetare, por theksoi se inspektimet nuk janë bërë ndaj klientëve të saj, pasi nuk ka qenë ky misioni i Panelit të Inspektimit. Në epiqendër të skandalit në Jalë, ku qeveria urdhëroi prishjen e disa objekteve me financimet e Bankës Botërore disa vjet më parë, ishte dhëndri i kryeministrit Berisha, Jamarbër Malltezi, i cili ishte koordinator i projektit. Pikërisht, një ndër gabimet që u pranua nga Banka Botërore gjatë seancës së posaçme ishte edhe pranimi i zotit Malltezi në këtë projekt, duke u konsideruar “konflikt interesi”. Që prej muajit shtator Banka Botërore është në pritje të depozitimeve të kërkesave në gjykatë nga banorët e dëmtuar, të cilët kërkojnë dëmshpërblim, ku ajo ka ofruar asistencë ligjore për ta.
Edhe një herë Jala
“Publiku shqiptar e di se ka pasur një lloj kundërshtie, siç është e zakonshme midis partnerëve, për projektin e zhvillimit të zonës bregdetare”, - tha zoti Berisha dje në takimin ku ishte i pranishëm zëvendëspresidenti i Bankës Botërore për Europën dhe Azinë Qendrore, zoti Philippe Le Houérou. Ai u shpreh se “të gjitha këto probleme janë qartësuar përfundimisht në rrafshin bilateral dhe nuk mbetet as edhe një çështje lidhur me këtë projekt”. Qeveria ka zbatuar me luajalitet marrëveshjen me Bankën Botërore”, - u shpreh kryeministri, sipas të cilit: “Banka e ka shumë të qartë dhe zv.presidenti siguroi qeverinë se është plotësisht i bindur në rëndësinë e këtij projekti dhe në korrektesën e qeverisë shqiptare”. Pikërisht një deklaratë e tillë u pasua nga komentet e zotit Houérou, i cili sqaroi se Paneli i Inspektimit nuk ka hetuar klientin e saj (qeverinë shqiptare, - shën. red.), por procedurat e ndjekura nga stafi i saj në realizimin e këtij projekti. “Në këtë pikë dua që të jem shumë i drejtpërdrejtë përsa u takon ndodhive të vitit të kaluar në lidhje me Projektin e Menaxhimit të Integruar të Zonës Bregdetare. Bankës i vjen shumë keq që një inspektim që synonte të shihte nëse Banka u ishte përmbajtur ose jo politikave të veta, solli akuza kundër veprimeve të qeverisë në lidhje me këtë projekt”, - tha përfaqësuesi i Bankës në Uashington. Ai vijoi: “Dua të jem shumë i qartë se procesi i Panelit të Inspektimit nuk heton veprimet e klientëve tanë dhe nuk duhet të interpretohet si i tillë. Për më tepër, nuk pati asnjë provë për korrupsion në mënyrë që Departamenti për Integritetin Institucional i Bankës të kryente hetime të mëtejshme”, - tha zoti Houerou. Ai përfundoi duke theksuar se, “përfundimisht duhet të pranojmë që Banka ka bërë gabime në këtë projekt”.
Dëmet
Prishja e disa banesave pa ndjekur procedurat e duhura ligjore në zonën e Jalës, ku po zbatohej projekti i Bankës Botërore, pataksi gjithë opinionin e huaj dhe veçanërisht drejtuesit e këtij institucioni në Uashington. Kjo shërbeu për të nisur hetimet, ku u dërgua një ekip inspektimi pas ankesës së një qytetareje me origjinë nga zona e Jalës, me banim në Kanada, e cila u ankua për dëmtimin e pronës së saj nga qeveria shqiptare dhe Banka Botërore. Më pas u bë një hetim i thellë, ku dolën në pah gabime, të cilat ishin bërë që në zanafillën e projektit, të firmosur në kohën e qeverisë “Nano”. Gabimet vijuan edhe më tej, kur sipas planit të parashikuar për rehabilitimin e zonës bregdetare, u shkatërruan me dhjetëra banesa, duke përdorur strukturat e qeverisë shqiptare dhe financimet dhe mjetet e Bankës Botërore. E gjithë historia përfundoi me një falje publike që bëri Banka në Uashington, ndërsa qeveria shqiptare akuzoi donatorin dhe klanet në Shqipëri për abuzim me projektin. Në përfundim, të humbur dolën banorët që iu shkatërruan pronat, një pjesë e të cilëve duket se i kanë hyrë rrugës së mundshme të gjyqësorit për të fituar të drejtën e tyre.
Historia Shqipëri-BB
Banka Botërore ka përfunduar programin 4-vjeçar dhe është në bisedime me autoritetet shqiptare për të vendosur marrëveshjen e re për periudhën 2010-2013. Në takimin e zhvilluar dje mes zëvendëspresidentit të Bankës Botërore për Europën dhe Azinë Qendrore dhe kabinetit të Këshillit të Ministrave, zoti Berisha përcaktoi si prioritet, ku kërkohet financime nga kjo bankë, bujqësinë, duke u ndaluar kryesisht te ngritja e sistemit të vaditjes dhe zhvillimin e sektorit të ullirit. Po ashtu, ndër prioritetet e qeverisë, ku priten financime, janë edhe zbutja e varfërisë, zhvillimi i shëndetësisë etj. Zv.presidenti i BB-së u shpreh dje se Shqipëria ka fituar statusin e një vendi me një nivel mesatar të ardhurash, dhe Banka Botërore e ka kaluar vendin tonë në grupin e shteteve që përfitojnë financime nga Banka Ndërkombëtare për Rindërtim e Zhvillim, duke ndihmuar kështu aksesin tashmë në rritje të Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare të kapitaleve. Deri vitin e kaluar kjo bankë financonte projekte me kredi në shuma të kufizuara, por tashmë ajo ka vendosur një fazë të re, ku nuk ka më kreditime me terma të buta, por janë kryesisht tregtare.
Që nga viti 1991 dhe deri tani janë dhënë 1.4 miliardë dollarë nga të gjitha agjencitë dhe strukturat e kësaj banke. Sipas të dhënave zyrtare, janë financuar 70 projekte në fusha të ndryshme si infrastruktura, lufta kundër varfërisë, shëndetësia, arsimi, reformat administrative, mjedis etj. Banka Botërore është institucioni financiar ndërkombëtar që ka hedhur më shumë fonde në Shqipëri që prej hapjes së vendit gjatë viteve të tranzicionit.
Banka Botërore, histori suksesesh dhe skandalesh në Shqipëri
Pa dyshim që Banka Botërore ka financuar mbi 1.4 miliardë dollarë në Shqipëri për kapërcimin e tranzicionit, por gjatë zbatimit të projekteve të financuara prej saj janë shënuar edhe disa skandale në kuptimin e mirëfilltë të saj. Njëri prej tyre e ka zanafillën që në vitet 2002-2005. Kjo bankë ka financuar mbi 100 milionë dollarë për ngritjen e sistemit të kanalizimeve në tokat bujqësore, ku shumica e tyre sot janë jashtë përdorimit, apo nuk janë përdorur asnjëherë për qëllimin për të cilin është financuar. Drejtuesit e Bankës në Uashington nisën hetimet, por fatkeqësisht, ajo që do të duhej të ishte më e interesuar për zbardhjen e plotë, pra qeveria shqiptare, - nuk ka bërë asgjë për të vënë para ligjit shpërdoruesit e fondeve të Bankës Botërore. Skandali i dytë është ai i zbatimit të Projektit për Menaxhimin e Zonës Bregdetare të Jugut, ku mbi 20 milionë dollarë u vunë në pikëpyetje pas prishjes së ndërtimeve pa leje. Edhe rasti i tretë ku janë konstatuar shkelje të rënda në projektet e Bankës Botërore në Shqipëri është financimi i TEC-it në Vlorë. Vetëm disa muaj më parë Banka pranoi gabimet që janë bërë në mbështetjen financiare të këtij projekti, i cili nuk respektonte politikat e vetë Bankës. Pas ankesës që bëri Aleanca për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës, e cila ishte kundër realizimit të këtij termocentrali, nisën procedurat hetimore, të cilat, të përfundim dolën me konkluzionin se Aleanca ka moralisht të drejtë, por objekti është realizuar dhe tashmë do të duhet të hidhen edhe disa miliona dollarë të tjerë për ruajtjen dhe monitorimin e ndotjes nga TEC-i. Kaq janë të mjaftueshme për të vënë një pikëpyetje në të ashtuquajturën “histori suksesi mes Shqipërisë dhe Bankës Botërore”. Gjithsesi, kjo bankë ka kontribuar jo pak për kapërcimin e vështirësive të Shqipërisë në tranzicion dhe shqiptarët i janë mirënjohës kësaj banke. Edhe të ashtuquajturat skandale nuk do të kishin ndodhur nëse qeveritë tona do të ishin partnere serioze me këtë institucion financiar ndërkombëtar.
15 Janar 2010