E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Të gatshëm të miratojmë kërkesat e Topit

Partia Socialiste shprehet e gatshme të bëjë ndryshimet e duhura juridike në Kodin e ri Zgjedhor për t’iu përgjigjur vërejtjeve të shprehura nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Në një njoftim për shtyp, PS-ja bëri të ditur se e mirëkupton kërkesën e Topit dhe mendon se nuk ka asnjë pengesë për dekretimin e datës së zgjedhjeve, megjithatë shprehet se është e gatshme dhe pa humbur kohë të saktësohen juridikisht kërkesat e Presidentit. “Partia Socialiste shprehet e gatshme që, pa humbur kohë, të votojë në Kuvend për saktësimin e nuancës juridike që lidhet me nenet 8 dhe 9”, - thuhet në njoftimin për shtyp. Më tej, në njoftim thuhet se “Partia Socialiste e mirëkupton kërkesën e Presidentit të Republikës për saktësimin e nuancës juridike që lidhet me afatin ligjor për nxjerrjen e dekretit për datën e zgjedhjeve, pavarësisht faktit se në këndvështrimin tonë ky afat është një parim i përgjithshëm që vendoset në Kodin Zgjedhor dhe Presidenti nuk ka aktualisht asnjë pengesë për dekretimin e zgjedhjeve sipas Kushtetutës”. E megjithatë, në njoftim është treguar kujdes të kujtohet edhe një herë arsyeja përse Presidenti nuk e dekretoi Kodin Zgjedhor dhe vë në dukje vlerësimet e numrit një të shtetit për punën e bërë për arritjen e standardeve në ligjin e ri elektoral e specifikisht tek administrimi i zgjedhjeve. “Pasi u njoh me dekretin e Presidentit të Republikës për kthimin në Kuvend për rishqyrtim të projektligjit për Kodin Zgjedhor, Partia Socialiste çmon vlerësimet e bëra nga Presidenti në letrën sqaruese të dekretit për punën e bërë për Kodin e ri Zgjedhor dhe për standardet e mishëruara në të për sa i përket administrimit të zgjedhjeve në vend”, - thuhet në njoftimin për shtyp të selisë rozë.

Koçi: Vendimi i Topit, progres politik

Kryetari i PS’91, Petro Koçi, përshëndeti dje kthimin e Kodit Zgjedhor sërish në Kuvend nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Sipas tij, ky hap shënon pavarësinë e institucionit të Presidentit nga politika. Koçi u shpreh gjithashtu se Presidenti ka vepruar konform Kushtetutës dhe se Kodi Zgjedhor duhet shqyrtuar jo me anshmëri, por me gjithëpërfshirje politike. Sipas Koçit, është koha për të korrigjuar ligjin për Kodin Zgjedhor, duke futur edhe dy koalicionet e tjera përveç PS-së dhe PD-së. Megjithatë, kreu i PS’91 nuk nxitua që ta konsideronte këtë hap të Presidentit si fitore të kauzës së koalicionit ku bën pjesë. "Nuk dua ta konsideroj këtë veprim si fitore tonën, por si fitore të principeve politike dhe demokratike që e bën më kuptimplotë grevën dhe protestat e qytetarëve. Kjo nuk është fitore e njëanshme, por një progres politik", - u shpreh kryetari i PS’91, Petro Koçi.

LSI: Rast i mirë për të bërë negociata

Pak orë pasi Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ktheu sërish në Kuvend Kodin Zgjedhor, Lëvizja Socialiste për Integrim kërkoi që ky rast të shfrytëzohet për hapjen e bisedimeve për kërkesat e saj dhe të partive të tjera që e mbështesin. Nënkryetari i LSI-së, Pëllumb Xhufi, e përshëndeti vendimin e Presidentit Topi, ndërsa vlerësoi se është një hap i madh fakti që numri një i shtetit shqiptar u bë garant i Kushtetutës së Shqipërisë. “Ne gjykojmë, si Lëvizje Socialiste për Integrim, se ky moment i mosdekretimit të Kodit Zgjedhor duhet të përbëjë një rast të mirë për të reflektuar jo vetëm për elementë të cilët janë bërë bazë për kthimin e Kodit, por edhe për çështje të tjera, të cilat kanë të bëjnë me vetë përmbajtjen e Kodit, sidomos lidhur me ato dispozita që kanë të bëjnë me administrimin e procesit zgjedhor, i cili ka qenë edhe shqetësimi kryesor i Lëvizjes Socialiste për Integrim në fazën e fundit të miratimit të këtij Kodi”, - tha Xhufi. Lidhur me vërejtjet konkrete të shprehua nga Presidenti në letrën që i ka nisur dje Kuvendit, Xhufi tha se mosdekretimi i Kodit është bërë për arsye serioze, në radhë të parë për përplasje që ekzistojnë midis neneve të veçanta të këtij Kodi dhe Kushtetutës së Shqipërisë. “Pra, ky Kod është jokushtetues dhe kjo natyrisht ngarkon me një përgjegjësi të madhe iniciatorët dhe protagonistët e këtij Kodi. Kodi, siç rezulton, karakterizohet nga shkelje dhe gafa të rënda juridike”, - nënvizoi nënkryetari i LSI-së. Si një ndër deputetët grevistë, Xhufi nuk mund ta fshihte se hapi i Presidentit përbën fitore për partitë që e kontestojnë Kodin e madje hynë dhe në grevë urie.

Edhe pse në letër nuk përmendet si arsye e kthimit të ligjit asnjë prej pikave që kontestojnë LSI-ja dhe partitë e tjera, ata thonë se kthimi i Kodit vërteton atë shqetësim, i cili u bë objekt i betejës politike, që Kodi u karakterizua nga logjika dhe nga qasja e përjashtimit dhe mungesës së plotë të transparencës dhe të shkeljeve të procedurave. Dhjetë deputetë të partive të vogla nga LSI-ja, PS’91 e PDK-ja hynë për tetë ditë në grevë urie për shkak se nuk u morën parasysh kërkesat e tyre për të pasur më shumë përfaqësim në administrimin e zgjedhjeve. Grevistët kërkuan komisione civile me anëtarë që nuk vijnë nga partitë politike. Por, duke parë këmbënguljen e dy partive të mëdha për ta miratuar atë, deputetët dolën nga greva dhe një arsye ishte edhe shpresa se Presidenti i Republikës do të kthente sërish ligjin në Kuvend.

Minxhozi: Qeveria të nxjerrë nga kriza minierat

Deputeti socialist, Qemal Minxhozi, deklaroi dje se ka një ulje të ndjeshme të eksportimit të kromit që prodhohet në Shqipëri. Sipas tij, është qeveria e cila duhet të ndërhyjë sa më shpejt, për ta nxjerrë nga kriza këtë sektor, pasi është alarmante situata nëse 2000 punonjës të kësaj industrie nxirren në rrugë si të papunë. Minxhozi në deklaratën e tij për mediat ka bërë apel për qeverinë të gjejë rrugët e zgjidhjes që minatorët e ferro-kromit të mos gjenden të papunë. "Gjatë kohës së përgatitjes së projektbuxhetit të vitit 2009, Partia Socialiste propozoi në Parlament që të hartohej një buxhet sa më real, duke pasur parasysh edhe krizën botërore që do të ketë efektet e saj në Shqipëri. U propozua që të kishte një buxhet të veçantë për të përballuar këtë krizë botërore, gjë e cila nuk u morr parasysh dhe efekti i parë kësaj krize ndihet në Shqipëri në industrinë minerare, nxjerrëse dhe përpunuese të kromit”, - tha Minxhozi. Për deputetin socialist është një situatë tepër alarmante, ku 2000 punëtorë së shpejti do të jenë pa punë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›